PËR DYLBERIZM
Dylberizm është platforma e parë në gjuhën shqipe e dedikuar për informimin dhe edukimin mbi çështjet LGBTQ+.
Dylberizm-i u krijua më 19 mars të vitit 2018 nga aktivistët e pavarur queer kosovarë, si një faqe edukative në Instagram. Më 28 qershor 2020, Dylberizm bëhet platforma online e para, e cila specifikisht shërben për informimin dhe edukimin queer në gjuhën shqipe, dhe e cila mirëmbahet plotësisht në baza vullnetare.
Dylberizm-i u formua si nevojë për përfaqësimin dinjitoz të çështjeve queer. Në një shoqëri të kapur nga sistemi heteroseksist, shqiptarëve që nuk i takojnë shumicës heteroseksuale/cis-gjinore, iu refuzohet përfshirja në veprimtaritë kryesore ekonomike, politike, kulturore dhe sociale për shkak të identitetit të tyre. Institucionet edukativo-arsimore në vend, përveçse kanë dështuar në edukimin e të rinjve në çështjet mbi seksualitetin dhe gjininë, ato edhe kanë ushqyer diskriminimin dhe urrejtjen ndaj personave queer, duke përdorur fakte të papërditësuara, terminologji seksiste dhe homofobike, dhe mospërfshirje në kurrikulat dhe tekstet shkollore.
Ndër të tjera, shqiptarët besojnë fuqishëm se janë popull heteroseksual e veç me dy gjini. Nëse dikush nuk identifikohet brenda këtyre binareve, atëherë konsiderohen si “jo shqiptarë”.
Dylberizm është krijuar që të dëshmoj se gjithë këto paragjykime, besime, dhe urrejtje janë frikë irracionale që është brendësuar brenda vetëdijës kolektive shqiptare si pasojë e sistemit dhe shoqërisë heteroseksiste dhe heteropatriarkale.
Është koha që këto mite të rrejshme e të dëmshme të zhduken, dhe të zëvendësohen me pranimin e faktit të thjeshtë që: munesh me konë Edhe Shqiptar edhe Dylber. Shqiptarët LGBTIQ+ kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë pjesë e shoqërisë shqiptare. Këngët e vjetra për dashurinë mes burrave shqiptarë, ashikëve dhe dylberëve, na tregojnë që homoseksualizmi nuk është diçka e re në kulturën tonë. Në këto këngë vërehet edhe thyerja e roleve gjinore tradicionale të djemve dhe vajzave shqiptare. Burrneshat shqiptare na tregojnë që gjinia jo gjithmonë është fikse: burrë/mashkull apo grua/femër, por që është konstrukt i normave në të cilat jetojmë. Këngët dhe legjendat e vjetra shqiptare për kalimin e Ylberit na tregojnë që ndryshimi i gjinisë/seksit nuk është çrregullim mendor, por është një rrugëtim i bukur për të jetuar jetën plotësisht si vetja.
Dylberizm-i është ombrella e gjithë shqiptarëve gej, lezbike, biseksualë, transgjinorë, aseksualë, interseks, me gjini jo-binare, androgjenë, dhe të gjithë shqiptarëve tjerë që nuk i takojnë shumicës heteroseksuale/cis-gjinore.