Regjisori për sezonin e ri të “Doctor Who”: Nëse protagonisti është gej, le ta shohim

Një nga regjisorët e serisë klasike fantastiko-shkencore Doctor Who ka thënë se dëshiron të shohë më shumë eksplorim të seksualitetit të Doktorit (karakteri kryesor në serial) në sezonin e fundit, duke u shprehur se “të qenit dylber të formëson”.
Seria e 15-të e Doctor Who, e cila u promovua si “sezoni i dytë” për shkak të ndryshimeve në produksion dhe pasi Disney+ fitoi të drejtat ndërkombëtare të transmetimit, do të fillojë më 12 prill, ndërsa fansat shpresojnë që sezoni i fundit do të përmbajë edhe më shumë momente queer.
Duke folur për rolin e protagonistit të serialit, Ncuti Gatwa, 86-vjeçari Waris Hussein, i cili udhëhoqi historinë e parë televizive të Doctor Who, “An Unearthly Child”, në vitin 1963, i tha revistës së Doctor Who se ai shpreson që të ketë “kuriozitet” rreth seksualitetit të Doktorit.
“Jam kurioz për mendimin e Russell T. [Davies],” tha Hussein për prezantuesin. “Ku po e çon personazhin? Cili është misteri? Nëse Russell T. e ka bërë Doktorin dylber, a ka referencë për të? Duhet të ketë kuriozitet te njerëzit që Doktori i takon.”
Hussein, i cili është gej, shtoi: “Nuk ka kuptim të thuash: ‘Epo, nuk ka rëndësi’. Po. Çështja ka rëndësi. Të qenit dylber të formëson. Unë jam rritur me atë mentalitet – nuk mund ta heq qafe atë. Pra, duhet t’i japë formë Doktorit. Nëse ai është gej, le ta shohim. Por mos e humbni misterin”.
Burimi: Pinknews