Gjykata bllokon urdhrin e Trumpit për transferimin e të burgosurave trans në burgjet për burra

Një gjyqtar federal ka bllokuar vendimin e Departamentit të Drejtësisë për transferimin e 12 të burgosurave transgjinore në burgjet për burra, duke frenuar një nga urdhrat ekzekutivë të presidentit Donald Trump që mohojnë njohjen e personave trans.
Të burgosurat e vendosura në Byronë e Burgjeve parashtruan ankesën e tyre më 30 janar për shkak të shqetësimeve se do të humbnin qasjen në trajtim mjekësor nëse transferoheshin në burgje që nuk ua njohin identitetin gjinor. Të dënuarat argumentuan se do t’i ekspozoheshin rrezikut të konsiderueshëm për cenimin serioz nëse do të transferoheshin, në kundërshtim me Amendamentin e Tetë të Kushtetutës (që ndalon dënimet mizore).
Gjyqtari Royce Lamberth ka lëshuar masë të përkohshme më 18 shkurt kundër transferimit të të burgosurave. Lamberth, i emëruar i ish-presidentit Ronald Reagan, e zgjati këtë ndalim të hënën me një urdhër paraprak duke vlerësuar se të burgosurat kanë gjasa ta fitojnë rastin e ndërtuar mbi argumente kushtetuese.
Distrikti i Columbia ka vendosur se “segregimi (ndarja) në bazë të seksit është pa mëdyshje në përputhje me kushtetutën”, pjesë kjo e argumenteve të Qeverisë. Megjithatë, gjyqtari Lamberth ka vlerësuar se vendosja e të burgosurave trans në burgjet e meshkujve do t’ia shtonte disforinë gjinore, meqë edhe nëse ato nuk do t’i nënshtroheshin dhunës fizike dhe seksuale “vetë prania homogjene e burrave do t’iu shkaktonte disonancë të parehatshme”.
Burimi: USA Today