Meta heq elementet me tematikë LGBTQ+ Pride nga aplikacioni Facebook Messenger
Gjigandi i teknologjisë, Meta, raportohet se ka hequr elementet me tematika Pride dhe LGBTQ+ nga Facebook Messenger, pak ditë pas ndryshimeve në rregullat mbi gjuhën e urrejtjes, të cilat do t’ua lejojnë përdoruesve t’i quajnë dylberat “të sëmurë mendorë”. Te këto tematika bënin pjesë, ndër të tjera, ndryshimi i ngjyrave në aplikacionin e mesazheve, si dhe mundësia e përdorimit të figurave të njohura si “emoji” që lidheshin me tematikën.
Elementet me tematika (themes) “trans” dhe “non-binary themes” kishin ngjyra që përputheshin me flamujt e krenarisë të identitetit gjinor përkatës. Tematika tjera në Facebook Messenger janë edhe ato të lojërave Minecraft dhe Squid Game.
Ndryshimi, për të cilin raportoi fillimisht 404 Media, vjen pas vendimit të pronarit miliarder Mark Zuckerberg për t’i hequr shënimet nga verifikuesit e fakteve (fact-checkers) nga Instagrami, Threads dhe Facebooku dhe për t’i zëvendësuar ata me shënime të komunitetit të ngjashme me ato që shihen në X (ish-Twitter).
Ndryshimi ka shkaktuar “kaos total”, sipas bisedave të brendshme të zbuluara nga 404 Media, meqë disa punonjës të Metas raportohet të kanë marrë pushim mjekësor, duke ia dhënë kompanisë si arsyetim për pushim se janë “LGBTQ+ dhe të sëmurë mendorë”.
Burimi Pinknews