Tu e lexu qitash
Avokati i Popullit: Deklaratat diskriminuese të deputetëve krijuan mjedis poshtërues dhe fyes ndaj dylberave

Avokati i Popullit: Deklaratat diskriminuese të deputetëve krijuan mjedis poshtërues dhe fyes ndaj dylberave

Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar se deklaratat e deputetëve të bëra më 16 mars 2022, gjatë debatit në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës kur po diskutohej lidhur me Projekt Kodin Civil, janë diskriminuese, shkelin dinjitetin e personave LGBTIQ+ duke krijuar një mjedis poshtërues dhe fyes ndaj tyre. Në opinionin si mik i gjykatës (Amicus Curiae) të lëshuar më 17 tetor 2024, i publikuar së fundi, Avokati i Popullit ka shkruar se duke u bazuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) deklaratat e deputetëve përbëjnë gjuhë urrejtjeje ndaj komunitetit LGBTIQ+.

Sipas opinionit, deputetët e Kosovës kanë thyer betimin e tyre ndaj Kushtetutës së Kosovës. Kjo pasi kur ata betohen si deputetë të Kuvendit, ata premtojnë respektimin edhe të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, ku parashihet mbrojtja nga diskriminimi edhe e shtetasve të Republikës së Kosovës që janë dylbera.

Gjithashtu, në bazë të opinionit të këtij institucioni, legjislacioni për mbrojtje nga diskriminimi përcakton se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe se askush nuk duhet të diskriminohet mbi bazën e statusit personal siç është, ndër të tjera, edhe orientimi seksual, që do të thotë se orientimi seksual është karakteristikë e mbrojtur e përcaktuar me nenin 1 të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Në mendimin ligjor drejtuar gjykatës, Avokati i Popullit, i ka përmendur diskursin kundër dylberave, të cilin e ka vlerësuar si propagandë.

“Në këtë seancë, u shprehën deklarata negative ndaj personave LGBTIQ+ nga disa deputetë, të cilët jo vetëm që propagandonin hapur “familjen natyrale” dhe “ruajtjen e llojit” dhe “traditës”, por edhe verbalizonin paragjykime ndaj çifteve të të njëjtës gjini. Sipas tyre, Kodi i ri do të rrezikonte “moralin publik” do të përfaqësonte “të pangopshmërinë seksuale”, “degjenerimin moral”, “sëmundjen”, “shkatërrimin”, sjelljen që është “në kundërshtim me natyrën njerëzore”, “shkeljen e shenjtërisë së familjes”, “përfaqëson një akt që seriozisht dëmton shëndetin publik duke u bërë shkak për sëmundje të rënda dhe të pashërueshme, si HIV/AIDS-i”, dhe që në fund rezulton në “traumë shoqërore”, thuhet në këtë opinion.

Më datën 1 mars 2024, Avokati i Popullit ka pranuar ankesë kundër Kuvendit të Kosovës që lidhet me diskriminimin dhe shkeljen e dinjitetit të personave LGBTIQ+ gjatë seancës plenare të Kuvendit e cila u mbajt me 16 mars 2022. Ankesa është paraqitur në emër të organizatave joqeveritare: YIHR, CEL, CSGD, QKSGJ dhe Mbrojtësit e të Drejtave Qytetare (Civil Rights Defenders). Po të njëjtën ditë, ankuesit kanë ia kanë drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës me padi kundër Kuvendit të Kosovës dhe deputetes Labinote Demi-Murtezi.

E avokati i Popullit pas analizimit të rrethanave ka vendosur t’i paraqesë gjykatës mendimin e tij në cilësinë e mikut të gjykatës.

Më 16 mars 2022, Kuvendi i Kosovës e mbajti një seancë plenare ku ndër të tjera, po zhvillonte edhe shqyrtimin e parë të Pojektkodit Civil. Neni 1138, paragrafi 2 i Pojektkodit Civil i cili parashihte se “Lejohen bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave të së njëjtës gjini. Kushtet dhe procedurat rregullohen me ligj të veçantë”. Dezinformimi dhe propaganda mbi këtë çështje ka vazhduar dhe Kuvendi nuk ua ka njohur çifteve të seksit të njëjtë as të drejtën për bashkësi civile e as për martesë.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top