Raportet: Gjysma e rinisë kosovare nuk i do dylberat në lagje, shteti s’e llogarit dhunën ndaj dylberave
Nga raportet më të reja të Qendrës për Liri dhe Barazi (CEL) dhe fondacionit Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) dalin të dhëna shqetësuese lidhur me trajtimin e dylberave nga shoqëria dhe shteti. Gjysma e të rinjve nuk do të donin t’i kishin dylberat komshinj, sipas FES, derisa shteti s’ka databazë qendrore për dhunën ndaj personave LGBTIQ+ në bazë të një analize së CEL Kosovës.
Dylberat janë gjithandej, por sipas anketës më të fundit të Fridrich Ebert Schtiftung (FES) gjysma e të rinjve nuk do të donin të kishin persona LGBTIQ+ në lagje. Sipas Studimit për Rininë në Kosovë, rinia është ende shumë tradicionale dhe vlerat e saj morale varen nga pikëpamjet e prindërve të tyre.
Perceptimi i dallimit mes dylberave dhe përdoruesve të drogave si komshinj të padëshiruar dallon më pak se 20 për qind, sipas anketës së fondacionit gjerman.
“44,1% e të rinjve theksojnë se do të ndiheshin shumë keq nëse persona LGBTQIA+ do të jetonin në lagjen e tyre. Edhe më negativisht perceptohen të varurit nga droga. 66,6% e të rinjve deklarojnë se do të ndiheshin shumë keq nëse të varurit nga droga do të jetonin në lagjen e tyre”, raportin e FES.
Gjetjet kryesore të studimit tregojnë se gjysma e të rinjve nuk e arsyetojnë asnjëherë abortin, homoseksualitetin, mashtrimin me tatime nëse iu vjen mundësia, marrjen/dhënien e ryshfetit, si dhe përdorimin e lidhjeve për të “kryer punë” (p.sh., në spital e në zyra të ndryshme). Mirëpo këto qëndrime dallojnë me të rinjtë progresivë të arsimuar urbanë. Ata kanë qëndrime më liberale lidhur me abortin dhe homoseksualitetin në krahasim me segmentet e tjera të të rinjve.
Studimi i FES tregon se një e treta e të anketuarve (nga 14 deri 29 vjeç) mendojnë se pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ+ kanë shumë të drejta apo se kanë të drejta të mjaftueshme. Në këtë raport thuhet po ashtu se pikëpamjet më të kundërshtuara janë ato për të drejtën e martesës së çifteve të seksit të njëjtë dhe se çiftet e të njëjtit seks janë prindër të mirë.
Nga ana tjetër, CEL në analizën e dhunës me bazë gjinore ndaj komuniteteve LGBTIQ+ në Kosovë për vitet 2023 dhe 2024 ka konstatuar se institucionet nuk mirëmbajnë e nuk mbajnë siç duhet të dhëna për dhunën ndaj dylberave.
“Gjithashtu, nga pyetësori me përfaqësues/e nga Ministria e Drejtësisë zbulohen mangësi të mëdha në klasifikimin dhe kuantifikimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë, duke u konfirmuar se rastet e Dhunës me Bazë Gjinore të regjistruara në regjistrat e dhunës në familje nuk kategorizohen sipas orientimit seksual ose identitetit gjinor të viktimës”, shkruhet në këtë analizë.
Në drejtorinë e Policinë e Kosovës në kryeqytet, sipas analizës, në periudhën 2023-2024 janë raportuar 5 raste prej dylberave që përfshijnë dhunë emocionale, fizike dhe krime urrejtjeje, por pa specifika dhe klasifikime të detajuara të rasteve dhe trajtimit të tyre. Nga departamenti i ndihmës ligjore në CEL raportohet se në vitin 2023 kanë ofruar ndihmë për 13 raste, ndërsa në vitin 2024 kanë ofruar ndihmë për për 7 raste. Kjo ndihmë është ofruar për raste të ndryshme që raportuan dylberat.
Ndërsa organizatat jo-qeveritare, CSGD dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), kanë raportuar nga një rast dhune ndaj komuniteteve LGBTIQ dhe kanë konstatuar se “ngacmimet, shantazhet dhe kërcënimet për gratë lezbike apo trans, nuk marrin mbështetje të unifikuar ligjore ndërsa ushtruesve të dhunës u jepen dënime të ulëta e të pamjaftueshme për ta adresuar krimin”.
Në bazë të analizës “Nën spektrin e padukshmërisë”, CEL ka vërejtur që një “nga sfidat përmbajësore ka qenë mungesa e një baze të dhënash kombëtare për krimet e urrejtjes dhe dhunën me bazë gjinore që përfshijnë individët LGBTIQ+”.
Andaj, CEL i ka rekomanduar instituconeve që krimet ndaj dylberave t’i njohin si krime të urrejtjes ligjërisht, por edhe të ndërtohet strehimorja për dylberat që janë viktima të dhunës në familje.
“Pa reforma gjithëpërfshirëse, që përfshijnë përkufizimin e qartë të krimeve të urrejtjes, përfshirjen e komunitetit LGBTIQ+ në ligjin për dhunën në familje, krijimin e strehëzave të sigurta dhe përmirësimin e monitorimit të të dhënave, Kosova vazhdon të lejojë që komunitetet më vulnerabël [të cenueshme] të jenë të pambrojtura dhe të përballen me diskriminim të zgjatur [të vazhdueshëm]. Këto boshllëqe jo vetëm që e pengojnë drejtësinë, por krijojnë një mjedis që nxit dhe riprodhon ciklin e dhunës dhe diskriminimit ndaj komuniteteve LGBTIQ”, shkruhet në njërin prej rekomandimeve të analizës.