Kënga e parë e Sade pas gjashtë vjetësh i kushtohet djalit të saj trans
Ylli i “Smooth Operator” po rikthehet. Këngëtarja nigeriano-britanike, Sade, është në prag të lansimit të këngës së saj të parë pas rreth gjashtë vjetësh. Kënga e re i kushtohet fëmijës së saj transgjinor, Izaak Theo Adu.
Krijimi i ri muzikor i Sade është pjesë e “Transa”, albumit të ri përmbledhës të realizuar nga organizata muzikore aktiviste Red Hot. Albumi do të përfshijë artistë të shumtë trans dhe jobinarë, si Sam Smith, Hunter Schafer, Perfume Genius, Clairo e të tjerë. Sipas organizatës, albumi ngërthen një “udhëtim shpirtëror në tetë kapituj” dhe përmban 46 këngë, me mbi tre orë e gjysmë muzikë.
Kënga e Sade, “Young Lion”, i kushtohet Adu, i cili është burrë trans. Edhe pse Sade njihet si artiste që nuk e shpalos jetën e saj personale, në të kaluarën i biri i saj ka postuar për mbështetjen e saj ndaj tij.
“Faleminderit që qëndrove pranë meje përgjatë gjashtë muajve të fundit Mami”, shkroi Adu në përshkrimin e një fotoje me nënën e tij të publikuar në Instagram në vitin 2019.
“Faleminderit që luftove përkrah meje për të kompletuar njeriun që jam. Faleminderit që më ke dhënë zemër në kohë të vështira, për dashurinë që më jep. Zemra më e pastër”, ka shkruar ai.
Dust Reid, që bëri përmbledhjen e këngëve të albumit bashkë me artisten dhe aktivisten trans Massima Bell, tha se Red Hot dëshironte një projekt që “tregon për të gjitha dhuratat që artistët trans i kanë dhënë botës”.
“Shpresonim ta krijonim një narrativ që pozicionon njerëzit transgjinorë dhe jo-binarë si liderë në shoqërinë tonë për sa i përket punës së thellë të brendshme që bëjnë për të afirmuar atë kush ata janë në mjedisin tonë aktual,” tha Reid për revistën Variety.
“Menduam se kjo është diçka që duhet ta bëjmë të gjithë. Pavarësisht se a identifikohesh si trans ose jobinar ose ndryshe, nëse i lë vetes hapësirë për eksplorimin e gjinisë tënde, nëse e përqafon anën tënde emocionale, ndoshta do ta kemi një të ardhme të orientuar kah vlerat e komunitetit, bashkëpunimit, kujdesit dhe shërimit”, u shpreh po ashtu Raid.
Red Hot është produksion jofitimprurës, i cili që nga viti 1989, bashkon artistë në projekte kreative që kanë për qëllim ndërgjegjësimin dhe mbledhjen fondeve për shëndetin publik dhe iniciativat që lidhen me diversitetin. Me projektin i parë të tij, “Red Hot + Blue”, ky produksion solli artistë të njohur si U2 dhe Sinead O’Connor duke riinterpretuar këngët e kompozitorit Cole Porter për të mbledhur fonde për ACT UP – organizatë ndërkombëtare e themeluar nga dylberat amerikanë më 1987, e përfshirë në protesta, vetëdijesim dhe në lobim për zbulimin e ilaçit për HIV-AIDS.
Në vitin 1996, Red Hot prodhoi albumin “America Is Dying Slowly”, me akronimin e AIDS, me artistë të hip hop-it që tematizonin krizën e vazhdueshme të HIV-AIDS-it. Albumi ishte përgjigje ndaj vdekjes së Eazy-E, një prej themeluesve të grupit të hip-hopit NWA, i cili vdiq nga një sëmundje e lidhur me HIV-AIDS-in më 1995.
Me publikimin e kësaj kënge, Sade bëhet një prej shumë të famshmëve të zëshëm që mbështesin fëmijët e tyre trans, siç janë edhe Charlize Theron, Dwyane Wade e Gabrielle Union dhe Cynthia Nixon. Albumi ‘Transa’ do të lansohet më 22 nëntor.
Artikulli u publikua në Them dhe u përkthye nga Dylberizm.