Tu e lexu qitash
Agjenda e “Listës për Familjen”: Mbrojtja e traditës apo rrënimi i të drejtave?
Nale Dheze

Agjenda e “Listës për Familjen”: Mbrojtja e traditës apo rrënimi i të drejtave?

OPINION

Dorëheqja e Eman Rrahmanit dhe Visar Korenicës prej Lëvizjes Vetëvendosje e shpalos nji zhvillim mjaft shqetësues n’Kosovë – konkretizimin e nji tendence që i përngjan të djathtës ekstreme – nën maskën e mbrojtjes së “vlerave familjare”. Subjekti i ri politik që sot i bon dy javë, “Lista për Familjen”, osht’ formacion regresiv. Ai paraqet rreshtim kundër t’drejtave bazike.  

Krahun politik të ktyne dy deputetëve e majnë edhe Partia e Drejtësisë e Ferid Aganit edhe e AKR-ja e Behgjet Pacollit. E përbashkëta e krejt këtij koalicioni – krejt jon politikanë që kanë mbledhë vota n’Kosovë tu u promovu si konservatorë fetarë. 

Kjo nismë i mbështet strukturat patriarkale që i jepin përparësi normave konservatore, me t’vetmin synim për me i kontrollu identitetet personale dhe t’drejtat riprodhuese nën pretekstin e rujtjes së “shoqërisë së shëndoshë”. N’thelb, retorika e t’djathtës tenton me i majtë n’pushtet dinamikat shtypëse. 

Për shembull, n’deklarimet e “Listës për Familjen” t’drejtat LGBTIQ+ edhe fertilizimin e asistum mjekësor (IVF) paraqiten sikur me kon’ kërcënimi kryesor ndaj njësisë së familjes. Rrahmani dhe Korenica rreshtohën pikërisht n’këtë agjendë ultra-konservatore. Deklaratat e koalicionit të burrave për burrat mbi t’drejtat riprodhuse dhe identitetin gjinor përmbajnë dezinformata edhe shtrembërime t’rana karshi ktyne çashtjeve. Kta e bojnë tu u përqendru n’tregime qysh i konvenojnë burrave edhe të djathtës ekstreme për me majtë kontrollin mbi zgjedhjet individuale dhe për mi përforcu normat patriarkale.  

Kur folim për patriarkatin duhët me pasë parasysh që shtrimjen nuk e ka veç te privatja dhe personalja, por osht’ nji sistem me rraj’ t’thella t’shtrime n’politikë, n’ekonomi, n’kulturë dhe n’krejt sferat tjera shoqnore. Shtylla ku mahët ky sistem osht’ supozimi që grupe t’caktume – kryesisht burrat heteroseksual – duhët me majtë pushtetin edhe autoritetin parësor. Andaj, patriarkati i margjinalizon gratë dhe dylberat. Automatikisht i degradon në role të varura. N’këtë kontekst, e djathta ekstreme kërkon me i bo t’përhershme këto dinamika tu shty përpara politikat që i kufizojnë liritë personale edhe i përforcojnë rolet gjinore. 

Pretendimi i Rrahmanit, n’konferencë për media ku u shpalos koalicioni i këtyre burrave, që me projektligjin për Gjendjen Civile parashihët “Lejimi i ndërrimit të gjinisë sipas ndjesisë në Projektligjin për Gjendjen Civile madje edhe tek fëmijët” osht’ pa kurrfarë baze. Bile, me këtë deklaratë Eman Rrahmani e ka dezinformu publikun. Projektligji, i miratum prej Qeverisë nëntorin e vitit t’kaluam, nuk e përfshin këtë mundësi hiç e as nuk e len çelë opsionin që nji fmi me ndryshu gjininë n’dokumente zyrtare me pëlqimin e prindit. Neni 36 i projektligjit e përmend të drejtën e secilit shtetas të “Republikës së Kosovës, me zotësi të veprimit” për me ndryshu shënjuesin e gjinisë n’dokumente. Termi ligjor “me zotësi të veprimit” i definon personat e moshës madhore. S’bon me harru që gjyqësori i Kosovës, veçse i ka dhanë t’drejtë personave transgjinorë me ndryshu shënjuesin e gjinisë në dokumente personale. 

Mirëpo, edhe në nji realitet ku kjo ish kon’ e vërtetë, ky pretendim i tij ish kon’ nji përpjekje e qartë për t’i majtë binarët gjinorë të mbyllun brenda normave patriarkale. Rrahmani e as pjesa tjetër e koalicionit s’e shohin e as nuk e pranojnë n’asni formë realitetin e transgjinorëve edhe t’asni dylberi tjetër n’Kosovë.

Ndër tjera, agjenda e tyne që anon kah e djathta ekstreme, ndërthurët ngushtë me interesat e kapitalizmit, ku politikat ekonomike jon t’dizajnume n’atë mënyrë që disa t’zgjedhun përfitojnë mbi kurrizin e grupeve t’margjinalizume. Kështu, e përqendrojnë vëmendjen në njësitë tradicionale familjare edhe i shpërfilin realitetet e prindërve që i rrisin vetë fëmijët, familjet queer ose familjet që kërkojnë shërbime t’IVF-it.

Tash për tash, veç klinikat private n’Kosovë i kryjnë shërbimet e IVF-it. Edhe sigurisht, i kryjnë ato shërbime veç për çiftet heteroseksuale. Kundërshtimi i projektligjit për shëndetin riprodhues, me fjalë tjera kundërshtimi i nismës që e bon shërbimin e IVF-it ma t’qasshëm për krejt e jo veç për t’pasunit, e reflekton hezitimin ma t’gjanë të “Listës për Familjen” për me investu n’mirëqenien e krejt familjeve – veçanërisht n’mirëqenien e atyne që jon jashtë modelit tipik konservator.

Kjo retorikë nuk e veçon Kosovën. N’krejt botën, lëvizjet e ekstremit t’djathtë i rezistojnë çdo sfidimi t’strukturës heteronormative edhe patriarkale t’familjes. Ata i portretizojnë reformat t’cilat i lejojnë individët me ndryshu gjininë n’bazë t’identitetit gjinor nëpër dokumente personale si devijime t’rrezikshme, që minojnë familjen “natyrore” me “nënat, baballarët, bijat, djemtë” edhe si diçka që e rrezikon shtyllën morale të kombit.

Sigurisht që n’atë diskurs, historia e dylberave, e dokumentume e e knume n’kangt popullore shqiptare, nuk llogaritët si pjesë e traditës. Hilja osht’ e qartë: me paraqitë ni version t’rrejshëm t’historisë simas t’cilit dylberat nuk jon kon’ gjithmonë pjesë e shoqnisë, por si nifar importi që e paska imponu kjo Qeveri n’emën t’integrimit evropian. Kjo gjuhë “për familjen” nuk osht’ kurgjo veçse thirrje e nxitun prej frikës për me i rezistu shtytjes n’rritje për barazi, gjithpërfshirje dhe për liri personale.

Deklaratat e Rrahmanit dhe Korenicës e pasqyrojnë nji model që i ngjan atij të ekstremit t’djathtë n’pozicionimin e kauzës së tyne si “mbipolitike” – përmbi linjat partiake dhe me nifar shqetësimi për mirëqenien e shoqnisë. Ata e cilësojnë kundërshtimin e tyne ndaj politikave progresive si “detyrë qytetare” që i kapërcen kufijtë fetarë, etnikë apo gjinorë, tu bo thirrje për unitet në mbrojtje të vlerave tradicionale. Kjo osht’ nji strategji e zakonshme e t’djathtës ekstreme që kërkon me e errësu agjendën e saj reale: rujtjen e nji rendi shoqnor t’ngurtë edhe përjashtues e margjinalizues për gratë, dylberat dhe cilindo njeri që nuk përputhët me kandvështrimin e tyne t’ngushtë për shoqninë.

Na duhët me rikujtu që përkundër që vlerat demokratike jon’ t’randësishme edhe se ligjet që i mbrojnë t’drejtat LGBTIQ+ e liritë riprodhuese nuk jon’ privilegj që demokracia “na i jep dhuratë”. T’drejtat tona jon’ t’drejta themelore që patriarkati dhe e djathta ekstreme i luftojnë.

Tendenca me i rrënu këto t’drejta nuk i jep fuqi dhe autoritet asnji individi ose grupi t’deputetëve për me na e diktu ata çka osht’ e drejtë edhe e gabume. Çdo qenie njerëzore e meriton autonominë, lirinë me jetu n’mënyrë autentike dhe për me i gëzu ato të drejta me dinjitet.

Lufta për barazi nuk ka t’boj veç me njohjen ligjore. Parimisht ajo lidhët me atë bazën që nuk ish dashtë me u luftu asniher. Osht’ jetike që na me kon’ t’vendosun n’angazhimin tonë për barazi sociale, ekonomike dhe ligjore, tu mos i pranu narrativat e rrejshëm që synojnë me e minimizu përpjekjen tonë t’përbashkët për njerzillëk.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top