“Me hijen e lirimit mbështjellë”, eksplorim i kufijve t’lirisë
Prishtina u bo shpija e ekspozitës “Me hijen e lirimit mbështjellë” që thellohet n’kompleksitetin e lirisë së dylberave. Është rrugëtim që e dërgon audiencën e saj prej hapsinave t’dylberave shqiptarë në ato t’romëve t’Sllovakisë, n’Palestinë, n’Ganë e n’shumë vene tjera. “Me hijen e lirimit mbështjellë” është sikur poezi për tregimet e pazakonta për lirinë si dashni, si veprim radikal, lirinë edhe dashninë në mes të sëmundjeve t’rana, lirinë si liri prej shtypjes së kolonëve e edhe si liri prej shtypësve t’njerëzve n’emën t’popullit t’cilin e udhëheqin.
E kurume prej Shaunak Mahbubani, me asistente kuratore Anyla Kabashin, ekspozita ofron nji eksplorim t’rallë t’identiteteve të dylberave në kontekstin e mas-pavarsisë. E organizume prej Institutit Sekhmet, ajo ofron nji hapsinë që bashkon artistë queer vendas, rajonalë dhe ndërkombëtarë, ku secili e secila prej tyne bjen nji perspektivë të veçantë mbi lirinë.
Prej poezisë së Ledia Dushit, “Ndryshue”, pjesëve të librit të akademikut shqiptar, Pirro Rexhpi, që e dëshmojnë me fotografi vjetërsinë e dylberave në Shqipni, te poezitë e Arbër Selmanit, ekspozita është thesar me vlerat artistike e dokumentuese për jetët e dylberave edhe artin e tyne në hapsinat shqiptare. Artistët e Kosovës e ata t’Shqipnisë e nisin edhe e përmbyllin këtë ekspozitë – e krahas veprave prej jugut global, aty nxitët dialogu i dylberave vendas me vende tjera.
Është ekspozitë që na nxit me menu edhe politikisht për solidaritetet tona. Jo vetëm që na e rikujton gjenocidin në Palestinë edhe rezistencën queer gjithandej, por na nxit që me menu që si dylbera me mendu në mënyrë kritike për estetikën evropiane edhe që me pasë vëmendjen te rezistenca queer në jugun global, që përfshin vende të shumta t’Azisë edhe t’Afrikës.
Narrativi prej margjinave
Mahbubani ka punu me teorinë e autopozës së Sylvia Wynter, e cila fokusohet në randësinë e rrëfimit të storieve individuale. Kjo filozofi e përshkrun ma së mirti “Me hijen e lirimit mbështjellë”, ku zanat e margjinalizum janë n’kryeqendër – storie që i nijmë rrallë, veçanërisht n’hapsinat queer t’cilat priren mi dhanë peshë tregimeve t’zakonshme.
“Secili prej artistëve n’këtë ekspozitë sjell nji perspektivë t’veçantë prej jetës t’tyne ose prej komunitetit prej t’cilit ata vijnë, për me na tregu se nuk ekziston nji formë t’vetme për me kon’ queer. Procesi kuratorial, interesin kryesor e ka për mi qitë n’pah personat që janë n’hije, që janë n’margjina, me pru narrativa që nuk i shohim zakonisht n’hapsinat queer, qysh është për shembull ndërthurrja e sëmundjeve kronike, HIV-it ose okupimit ushtarak”, thotë Mahbubani për Dylberizm.
Përmes kombinimit t’ftesave të drejtpërdrejta edhe thirrjes së hapun për artistë prej Ballkanit, dhe kontributit t’artistëve ndërkombëtarë, ekspozita ngërthen n’vete përvoja t’shumta queer.
Liria si horizont
N’thelb, “Me hijen e lirimit mbështjellë”, sfidon kuptimet konvencionale të lirisë. Siç na kallxon Shaunak Mahbubani, ekspozita bazohët n’konceptin e José Esteban Muñoz për dylberizmin (queerness) si horizont, për me eksploru lirinë si nji praktikë të rrjedhshme – gjithmonë në zhvillim.
“Liria si praktikë e jo si destinacion. Na e kërkojmë nji lloj lirie që i mbron krejt rreth nesh, pa e lypë asimilimin te ajo që osht’ normative, por tu e pasë zotësinë me i bo zgjedhjet tona, për me i shthurrë hegjemonitë e pushtetit përmes mjegullimit të kufijve edhe bashkimit të kontradiktave”, thotë Mahbubani.
N’këtë mënyrë, liria nuk kufizohët te tradicionalja. Ajo shihet si diçka që rritët vazhdimisht prej veprimit kolektiv, intimitetit dhe refuzimit t’binarëve strikt. Vetë titulli i ekspozitës e ka prejardhjen prej poezisë së poetes shkodrane Ledia Dushi “Ndryshue”, e cila flet për transformimin dhe kontradiktën. Edhe poezia e re e Uresa Ahmeti “Bahem”, e frymzume prej Dushit, i përgjigjet titullit t’ekspozitës tu e kriju nji dialog midis brezave për lirinë edhe qenien.
Arti dhe rezistenca: Perspektivë globale dhe lokale
Artistët pjesëmarrës paraqesin vepra që trajtojnë personalen dhe politiken e dylberave. Për shembull, artisti palestinez, Bashar Murad, i ri-imagjinon pistat e vallëzimit queer si hapsina për rezistencë, tu i mbushë ato me thirrjen për çlirim të Palestinës. Puna e tij e thekson qysh hapsinat e knaqësisë t’dylberave – qofshin pista të vallëzimit, miqësisë ose dashnisë – munën gjithashtu me qenë vende të veprimit radikal.
Va-bene Elikem Fiatsi e Ganës eksploron ekzistencën e saj queer n’raport me dhunën sociale dhe ligjore në vendin e saj, ndërsa Astrit Ismaili paraqet personazhin autobiografik Siki, udhëtimi i së cilës pasqyron realitetet e ashpra me të cilat përballen dylberat në Kosovë dhe në mbarë botën. Materialet e shtypuna prej Nanda Agiq rrëfejnë betejat e saj personale n’udhëtimin e saj t’mundimshëm si një gru trans që lufton për dukshmëri e siguri.
Ndërlidhja e perspektivave globale dhe lokale, janë nxitje për solidaritet mes dylberave – tu e përbashku luftën e shumfishtë për çlirim në Palestinë, Gana dhe Kosovë e shumë vende tjera. Në këtë ekspozitë, arti osht’ mjet i rezistencës.
Jo ekpsozita Eurocentrike
Nji prej qëllimeve të Mahbubani osht’ sfidimi i ekspozitave evropiane. Kjo ekspozitë i fton pjesëmarrësit me e përjetu artin në një mënyre sa personale, kolektive e intime, aq edhe të çrregullt.
“Interesi jem ma i madh osht’ te mënyrat e krijimit të ekspozitave t’cilat rrjedhin prej përvojave t’mija dhe t’shoqnisë teme në jugun global. Na e prodhojmë kuptimin n’intimitetit kaotik, prej pistave e vallëzimit, protestave, pazareve e rrugëve t’mbushuna me njerëz. Qëllimi i ekspozitës osht’ me e riaktivizu këtë energji me organizimin e veprave në hapësirë, për me ofru kuptime t’reja t’cilat lindin organikisht prej mënyrës qysh lidhën veprat mes vete e me audiencën”, thotë Shaunak Mahbubani.
Refuzimi i idealeve evropiane pasqyron nji kritikë ma t’thellë t’mënyrës qysh perëndimi i trajton identitetet e dylberave nga jugut global si dytësorë. Shaunak Mahbubani thotë se synon me e nxitë nji formë të ekspozitave në Kosovë që shkon në tjetër drejtim prej kornizës t’zakonshme estetike n’Evropë.
“Tu e pa që lëvizja queer në Kosovë është në ni kthesë shumë emocionuese, pe kom ndjesinë që kjo është mundësi e çmushme për me u përfshi në çështjet jashtë kornizës evropiane që na trajon si qytetarë të dorës së dytë. Tu përfshi ma shumë artista me ngjyrë, ekosistemi mundët me nxitë solidaritete horizontale në mes të Jugut Global, edhe që n’mënyrë reciproke me e ushqy shpirtin e çlirimit t’cilin e përfaqson Kosova”, thotë Mahbubani.
Vendosja e ekspozitës n’katin e gjatë të Hotel Grandit ka simbolikën e vet – okupimin e hapsinave për narrativat e dylberave, si deklaratë e guximshme për randësinë e ekzistencës së dylberave në kulturën e Kosovës. Përveç lokacionit shumë të njoftun, vizitorët mujnë me lexu edhe poezi në dritaret e hapsinës ekspozuese.
Çka munesh me pritë prej ekspozitës?
Për juve që hala se keni përjetu ekspozitën, ata që e kanë vizitu kanë lanë mesazhe për ju nga libri i vizitorëve: “Nji festë për sytë edhe zemrën”, shkrun dikush nga vizitorët. Dikush tjetër e ka pëshkru si “revolucionare”, e të tjerët kanë shkru se si e lanë ekspozitën tu u ni “t’frymzum” dhe “t’mbushun me shpresë”.
Kjo ekspozitë ka me qenë e hapun deri me 29 shtator 2024. “Me hijen e lirimit mbështjellë” ofron nji përvojë t’thellë shpirtërore që na paraqet dimensionet e shumfishta të lirisë edhe na nxit me shqyrtu solidaritetin drejt rezistencës queer në Kosovë e gjithandej.
Paralajmërim: Disa pjesë të ekspozitës munden me kon’ të randa ose/edhe shqetësuese për disa vizitorë shkaku i shtjellimit t’sëmundjeve qysh janë kanceri, HIV-AIDS, fotografive që tregojnë gjak ose/edhe vetëlëndim.