Kur transfobia, racizmi e mizogjinia “triumfojnë” në Lojërat Olimpike
Imane Khelif, boksiere algjeriane, e cila është duke garuar në Lojërat Olimpike të Parisit 2024, është përballur me fushatë dezinformese pas fitores ndaj boskieres italiane Angela Carini këtë të enjte. Carini u dorëzua, por s’ja dha dorën Khelif në fund të meçit që zgjati vetëm 46 sekonda. Fushatat e dezinformimit që burojnë prej shteteve të ndryshme e edhe personazheve të njohura konservatore në perëndim kanë pretenduar rrejshëm se Khelif nuk është grua dhe nuk është femër.
Sfidat e Khelif po nxjerrin në pah më së miri çështjet e ndërthurura të racizmit, transfobisë dhe mizogjinisë brenda botës së sportit. Këto paragjykime sistemike kanë krijuar pengesa të mëdha për atletet që ‘nuk i përmbushin’ normat konvencionale të gjinisë dhe racës, të cilat janë ilustruar pikërisht nga sfidat me të cilat po përballet Khelif.
Krejt këto keqkuptime kanë lindur për shkak se Khelif në vitin 2023 nuk e kaloi testin e ‘përshtatshmërisë’ gjinore në Kampionatin Botëror të vitit 2023. Shoqata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) e diskualifikoi nga gara duke u thirrur në nivelet të larta të testosteronit, gjë që çoi në akuza dhe shqyrtime të mëvonshme në lidhje me identitetin e saj gjinor.
Pas meçit me boksieren italiane, radhëve të atyre që vënë në pikëpytje seksin dhe gjininë e saj ju bashkëngjitën ish-presidenti amerikan Donald Trump, kryeministrja italiane Georgia Meloni, pronari i X (ish-Twitter) e Tesla-s, Elon Musk e shkrimtarja J.K Rowling.
”Mbani burrat jashtë sportit të grave”, ka shkruar Trump, kandidat i republikanëve për president të Shteteve të bashkuara, në rrjete sociale – duke iu bashkuar dezinformimit gjinor kundër Khelif.
Pavarësisht këtyre çështjeve të së kaluarës, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) e lejoi Khelif të garonte në Paris, duke pohuar se ajo plotësonte të gjitha kushtet e nevojshme dhe rregulloret mjekësore.
Reagimet kundër Khelif janë të rrënjosura në transfobi dhe mizogjini. Edhe pse Komiteti Olimpik pohoi se Khelif i plotëson të gjitha kërkesat e pranueshmërisë dhe njihet si grua, kjo nuk i ndali të gjitha komentet dhe gjuhën agresive drejtuar ndaj saj. Krejt këto reagime pasqyrojnë pikërisht çështjet e gjera shoqërore ku atletet që nuk ‘përputhen’ me normat tradicionale gjinore të ‘femërores’ shpesh shënjestrohen dhe margjinalizohen edhe më shumë.
Për më tepër, gratë zezake si Imane Khelif, janë subjekt i mbikëqyrjes më të fortë dhe përvojave diskriminuese në sport me testimin për nivelet e testosteronit. Diskriminimin në bazë të nivelit të testosteronit e ka konstatuar edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin e atletes jug-afrikane Caster Semenya kundër Zvicrës vitin e kaluar. Semanaya ishte detyruar të marrë medikamente për ta ulur nivelin e testosteronit. Megjithëse gjykata vendosi në favor të saj, e shumë turne si Olimpiada mbahen në shtete evropiane që janë pjesë e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, organizatat e mëdha sportive janë treguar kokëforta, duke mbajtur në fuqi kufizimet për nivelin e testosteronit.
Human Rights Watch i ka kundërshtuar rregullat e aprovuara nga organizata më e madhe e atletikës, Shoqata Ndërkombëtare e Federatave të Atletikës, duke thënë se ato i dëmtojnë atletet. Po ashtu, HRW ka deklaruar se rregulla të tilla janë pa themele të shëndoshë.
“Këto rregulla nuk janë të bazuara në asnjë gjetje të re shkencore dhe nuk kanë ndonjë bazë të dukshme objektive”, ka thënë HRW në deklararatën e saj.
Eksperienca e Imane Khelif me të cilën po vazhdon të përballet, është e padrejtë. Si një atlete e cila është duke korrur sukses në një fushë sporti e cila tradicionalisht është e dominuar nga burrat, Khelif detyrohet që përpos tjerash, edhe ‘ta vërtetojë’ gjininë e saj.
Pas ditësh të tëra fushatë online kundër saj, boksierja Imane Khelif tha në SNTV, kërkoi që të ndalet bullizimimi i atleteve.
“Mesazhi im për njerëzit në botë është t’i përmbahen parimeve olimpike dhe Kartës së Lojërave Olimpike, ta ndalin bullizimin ndaj të gjithë atleteve, sepse ka pasoja, pasoja madhore…Mund t’i shkatërrojë njerëzit, mund t’ia mbysë mendimet, shpirtin e edhe mendjen. Mund t’i ndajë njerëzit. Andaj, i kërkoj ta ndalin bullizimin”, ka thënë Khelif.
Ky rast edhe një herë na përplas me realitetin e racizmit, transfobisë dhe mizogjinisë në sport. Transfobia jo veç që prek personat transgjinorë dhe queer, por gjithashtu përforcon stereotipet e dëmshme e të ngurta gjinore që e kufizojnë lirinë e të gjithëve për t’u shprehur lirshëm. Normat tradicionale gjinore, kur monitorohen, krijojnë një mjedis në të cilin individët ndëshkohen për dallimet e tyre në vend që të vlerësohen për veçantinë e tyre.
Burimet: CNN, NPR, HRW, ABC NEWS, TIME