Tajlanda pritet të bëhet vendi i parë i Azisë Juglindore që njeh martesat e të njëjtit seks
Të martën, me 18 qershor, Senati i Tajlandës miratoi ligjin për barazinë martesore, duke u bërë kështu vendi i parë në Azinë Juglindore që i hap rrugë njohjes së çifteve të të njëjtit seks.
Projektligji, siç ka raportuar Reuters, është rezultat i mbi dy dekadave përpjekjesh nga aktivistët, që u mbështet nga një shumicë dërrmuese e ligjvënësve të Senatit.
Ligji, i cili ka nevojë për miratim mbretëror, hyn në fuqi 120 ditë pasi të publikohet në gazetën mbretërore, që do të thotë se dasmat e para të të njëjtit seks mund të mbahen më vonë këtë vit.
“Sot ne festojmë një tjetër moment historik të rëndësishëm të rrugëtimit tonë drejt Projektligjit tonë për martesat e barabarta,” tha kryeministri tajlandez Srettha Thavisin në një postim në X.
“Ne do ta vazhdojmë luftën tonë për të drejtat sociale për të gjithë njerëzit pavarësisht statusit të tyre”, shkroi ai.
Mbështetësit e komunitetit LGBT e quajtën lëvizjen një “hap i madh përpara”, pasi Tajlanda u bë vendi i parë në Azinë Juglindore që miraton legjislacionin për barazinë martesore dhe i treti në Azi, pas Nepalit dhe Tajvanit.
“Jemi shumë krenarë që po bëjmë historinë,” tha Plaifah Kyoka Shodladd, anëtar i komisionit parlamentar për martesat mes personave të të njëjtit seks.
“Sot dashuria triumfoi mbi paragjykimet…pasi luftuam për më shumë se 20 vjet, sot mund të themi se ky vend ka barazi martesore.”
Ligjvënësit dhe aktivistët kanë festuar me gëzim në parlamentin e Tajlandës, duke valëvitur flamujt me ylber e disa duke ngritur grushtat në shenjë solidariteti me komunitetin LGBT.
Në provincën veriore Chiang Mai të Tajlandës, aktivistja për të drejtat e njeriut Matcha Phornin, gruaja e saj Veerawan Wanna dhe vajza e tyre e birësuar s’i hiqnin sytë prej ekranit të tyre televiziv tek shikonin seancën e senatit.
“Kemi mbështetje nga parlamenti, nga senatorët që miratuan këtë ligj. Kjo do të thotë që ne jemi të mbrojtur me ligj”, tha Matcha, pasi u përqafua me partneren e saj me gëzim kur kaloi projektligji.
“Dhe ajo do të birësohet ligjërisht pas kësaj”, tha Matcha, duke iu referuar vajzës së tyre.
Tajlanda, një nga destinacionet turistike më të njohura të Azisë, njihet tashmë për kulturën e gjallë dhe tolerancën në raport me komunitetin LGBT.
Në fillim të qershorit, mijëra njerëz që festonin dhe aktivistë parakaluan nëpër rrugët e Bangkok-ut, ku i’u bashkua kryeministri Srettha, i cili veshi një këmishë me ylber për të festuar Muajin e Krenarisë.
“Kjo tregon lidershipin e Tajlandës në rajon në promovimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore,” tha në një deklaratë Komisioni i Shoqërisë Civile për barazinë martesore, aktivistë dhe çifte LGBTQI.
Artikulli u publikua në Reuters dhe u përkthye nga Dylberizm.