Avokati i Popullit: Vandalizimi i zebrave të krenarisë me urrejtje, i papranueshëm
Insitucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar ndaj vandalizimit të zebrave të bëra me ngjyrat e ylberit për javën e Krenarisë në qendër të Prishtinës, duke e quajtur këtë veprim të papranueshëm. Avokati i Popullit i ka kërkuar institucioneve t’i plotësojnë përgjegjësitë e tyre, si dhe ka dënuar gjuhën e urrejtjes të përdorur në grafitet që prishën shiritat për këmbësorë me ngjyrat e krenarisë.
“Avokati i Popullit dënon fuqishëm gjuhën fyese dhe diskriminuese që është përdorur me rastin e vandalizmit të simboleve të personave LGBTIQ+. Veprime të tilla janë të papranueshme në një shoqëri ku vlerat kushtetuese bazohen në parimet e lirisë, të paqes, të demokracisë, të barazisë, të respektimit të të drejtave të njeriut, të sundimit të ligjit dhe të mosdiskriminimit. Ruajtja dhe kultivimi i këtyre vlerave, të mishëruara në rendin kushtetues të vendit, bëhet nëpërmjet promovimit të një kulture të respektimit dhe të tolerancës ndaj diversitetit të orientimeve seksuale dhe të identiteteve gjinore, e njëra ndër to është Java e Krenarisë dhe aktivitetet përcjellëse”, shkruhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.