Ngrihet padi ndaj Kuvendit të Kosovës dhe Labinotë Demi Murtezi për diskriminim të personave LGBTIQ+
Pesë organizata jo-qeveritare që angazhohen për të drejtat e njeriut, Cel Kosova, YIHR (Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut), CSGD Kosova, QKSGJ (Qendra Kosovare për Studime Gjinore) dhe Civil Rights Defenders, kanë ngritur Padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kanë paralajmëruar që do të paraqesin dhe ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit për shkak të cënimit të dinjitetit dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës në datën 16 mars 2022.
Gjatë kësaj seance parlamentare është diskutuar për Projekt Kodin-Civil, debat ky i cili kishte krijuar përballje mes deputetëve dhe kishte inicuar një diskutim publik. Debati u mbizotërua me të dhëna jo-faktike dhe me një gjuhë ofenduese dhe diskriminuese ndaj personave LGBTIQ+ dhe pikërisht kjo çasje ndikon në polarizimin e masës karshi personave queer dhe njëherësh nxit urrejtjen, dhunën dhe diskriminimin.
Këto janë edhe arsyet mbi të cilat po ngritet kjo padi në Ditën Ndërkombëtarë për Zero Diskriminim. Për gjuhën ofenduese dhe çasjen jo-toleruese e diskriminuese të përdorur në këtë seancë kishte reagur edhe Avokati i Popullit.
“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se qëndrimet kundërthënëse dhe diskutimet polemizuese parlamentare janë tipar themelor i parlamentarizimit në vendet demokratike. Por kjo liri dhe privilegjetet që gëzojnë deputetët nuk mund të abuzohen për të stigmatizuar dhe demonizuar persona apo grupe të caktuara të shoqërisë tonë” – thuhet në deklaratën e organizatave.
Po ashtu, organizatat jo-qeveritare kanë njoftuar se padia është ngritur në përputhje me legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Deklaratën e plotë mund ta lexoni këtu.