Kërcënohen aktivistet LGBTIQ+ në Tiranë
Drejtorja ekzekutive e organizatës “PRO LGBT” në Tiranë, Alba Ahmetaj dhe partnerja e saj, njëherësh aktiviste LGBTIQ+, Edlira Mara, janë kërcënuar me jetë.
Eda dhe Alba janë nënat e dy vajzave te mitura, të cilat po luftojnë me institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe ligjet e tyre përjashtuese, për të bërë regjistrimin e familjes së tyre me dy nëna. Tash e më shumë se 4 vite, ato përballen vazhdimisht me ligjet përjashtuese dhe me një fushatë të frikshme kundër tyre dhe familjeve LGBTIQ+. Që kur rasti i tyre u bë publik, ka pasur jashtëzakonisht shumë komente negative dhe propaganda kunddrejtfamiljes së tyre.
Duke pirë kafë në qendrën e qytetit, Alba morri një mesazh në llogarinë e saj në Facebook, i cili e kërcënonte atë me vdekje (kur të vini ju te pedonalja prap si sot ne do jemi me sniper nga terraca tjua fusim ne lule te ballit do dilni ju per kafeee’’).
Sipas burimeve të Historia Ime, aktivisjta Alba Ahmetaj e ka bërë një kallëzim penal pranë Drejtorisë vendore të Policisë në Tiranë për rastin në fjalë.
Po ashtu, në shenjë solidariteti dhe për t’u bashkuar kundër padrejtësive, shtypjes dhe diskriminimit që po iu bëhet familjes në fjalë por edhe familjeve të tjera LGBTIQ+, Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT ka bërë një thirrje për një aktivitet solidarizues. Ky aktivitet do të organizohet të shtunën në ora 11:00 te Pedonalja, aty ku Eda dhe Alba ishin duke kaluar kohë kur u kërcënuan me jetë. Deklaratën e plotë për media mund ta lexoni këtu.
“Kërcënime të tilla kanë për synim të na intimidojnë, frikësojnë dhe detyrojnë të jetojmë në margjinat e shoqërisë. Për këtë arsye është e rëndësishme që ne t’i rezistojmë kolektivisht këtyre tentativave shtypëse dhe diskriminuese. Le të rimarrim sëbashku hapësirat tona, rrugët tona, parqet, sheshet tona – sepse ato i përkasin secilit prej nesh, pavarësisht se kë duam apo si identifikohemi.” thuhet në thirrjen e Aleancës LGBT. Thirrjen e plotë mund ta lexoni këtu.
Ne qëndrojmë në solidaritet me Edën dhe Albën duke ju bërë thirrje institucioneve shtetërore që ta trajtojnë rastin me prioritet, ndjeshmëri dhe përgjegjësi dhe po ashtu inkurajojmë organizatat e shoqërisë civile, mediat, aktivistët të bashkangjiten në këtë aktivitet solidarizues dhe të avokojnë për të drejta të barabarta. Lufta e Edës dhe Albës është tejet e rëndësishme për lëvizjen LGBTIQ+ në Shqipëri, rajon dhe më tej, por ato nuk duhet të privohen nga siguria e tyre për ta bërë këtë luftë. Në solidaritet!