Dylberizm përgjatë vitit 2023
Përgjatë vitit 2023, Dylberizm vazhdoi aktivizmin në shpërndarjen e informatës queer në gjuhën shqipe në hapësira publike dhe dixhitale. Pas pesë viteve angazhim vullnetar, Dylberizm këtë vit e vazhdoi punën si Organizatë Jo-Qeveritare, vendim i cili krijoi kushte për shtjellim më të thellë të çështjeve queer. Kështu duke u zgjeruar në ekip dhe në përmbajtje.
Më poshtë i gjeni disa nga materialet, aktivitetet dhe ngjarjet më të rëndësishme të Dylberizm gjatë vitit 2023:
Muaji shkurt, Muaji i Historisë Queer vazhdoi të shënohet nga Dylberizm me përgatitjen e materialeve të cilat nderojnë jetët queer nga rajoni e bota. U publikuan storie të rezistencës që kanë hapur rrugën për të gjithë ne, ndërsa vazhdojmë të bëjmë histori.
17 majin, Ditën Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë, Dylberizm e shënoi përmes një aksioni rrugor që iu dedikua çështjeve transgjinore, më saktësisht grave transgjinore të cilat vazhdojnë të jenë më të cenuarat, duke mos gjetur mbështjetje e as siguri as në rrethet e tyre më të ngushta. Mbishkrime si: “Dheze Motër”, “Siguri për gratë trans”, i gjeni ende nëpër rrugët e Prishtinës. Thirrjen e plotë mbi këtë aksion mund ta gjeni këtu.
Aksioni tjetër rrugor nga Dylberizm u bë në gusht me transformimin e mbishkrimit homofobik “Ki** the Gays” në “Kiss the Gays” në kampusin e Universitetit të Prishtinës, duke dërguar mesazh se çdo rrugë duhet të jetë e sigurtë për secilin dylber në Kosovë.
Muajin e Krenarisë, Dylberizm e shënoi me prodhimin e materialeve të shumta queer, me vëmendje të veçantë në aktivitetet e Javës së Krenarisë në Prishtinë dhe kryeqytetet e rajonit.
Gjatë muajve të verës, Dylberizm punoi në kurimin eprogramit të edicionit të parë të Prishtina Queer Festival i cili u organizua në datat 1, 2 dhe 3 shtator. Festivali këtë vit kishte për qëllim promovimin e kulturës shqiptare queer përmes ngjarjeve kulturore dhe artistiketë cilat përfshinin muzikë, performanca, publikim, shfaqje filmash dhe pazar queer.
Përgjatë festivalit, Dylberizm në bashkëpunim me Lirindja publikoi botimin “Trans në Kosovë: Një histori e pakryer” një përmbledhje e historisë së shënuar të transgjinorëve në Kosovë. Botimi vazhdon të jetë në shitje dhe mund ta gjeni në Bubble Pub, Librarinë Dukagjini, dhe Project Space.
Nga 13-19 nëntor, u shënua Java e Ndërgjegjësimit Transgjinor ku u publikuan artikuj të ndryshëm rreth çështjeve transgjiore, me fokus në thirrjet e hapura për ngritje të fondeve nga çikat transgjinore nga Kosova të cilat filluan tranzicionin, shpenzime të cilat nuk mbështeten nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ju mund të ndihmoni përmes kësaj vegze.
Duke u solidarizuar me luftën e popullit palestinez për liri dhe mbijetesë, Dylberizm, ashtu si në vitet e kaluara, vazhdoi të informoj audiencën për shtypjen e palestinezëve dhe për fushatat e shpërlamjes rozë të shtetit aparteid të Izraelit.
Edhe këtë vit si çdo vit tjetër, Dylberizm vazhdoi të jetë hapsirë e sigurt për gjithë dylberat shqiptarë, të cilët vazhduan të ndajnë historitë e tyre jetësore përmes rubrikës tonë Ndaje Storien Tone.
Vazhdojmë me luftimin e homofobisë dhe transfobisë edhe në 2024. Bashkohuni!