Nepali hyri në histori si shteti i parë i Azisë Jugore që njohi martesat e të njëjtit seks
Nepali është shteti i parë në Azinë Jugore, që njihet si rajon tradicional e konservator, që njeh ligjërisht martesat e të njëjtit seks e që është një fitore mahnitëse për të drejtat e komunitetit LGBTQ+.
Gjykata Supreme e Nepalit ndërmori hapin historik me vendimin që të gjitha martesat e të njëjtit seks duhet të regjistrohen ligjërisht.
Përmes një vendimi të përkohshëm, gjyqtari i Gjykatës Supremre Til Prasad Shrestha ka urdhëruar qeverinë nepaleze që të fillojë menjëherë regjistrimin e martesave të të njëjtit seks dhe bashkimeve të partnerëve heteroseksuale jo-tradicionalë, ndërkohë që legjislacioni është përgatitur për të ndryshuar ligjin.
Derisa të futet një kuadër i ri ligjor për të mbështetur përgjithmonë bashkimet e partnerëve të të njëjtit seks, Gjykata Supreme vendosi që duhet të krijohet një regjistër i veçantë i martesave për çiftet e të njëjtit seks, i cili thuhet se u jep atyre të njëjtat të drejta si çifteve heteroseksuale.
Sunil Pant, aktivisti kryesor për barazinë martesore në Nepal dhe dikur i pari e i vetmi anëtar gej i parlamentit foli për reagimin e lumtur ndaj këtij vendimi.
“Njerëzit tashmë po festojnë,” njofton Human Rights Watch. “Ata po kthehen me nxitim në fshatrat e tyre për të mbledhur dokumente për martesat e tyre.”
Pant vlerëson se rreth 200 çifte të të njëjtit seks mund të regjistrojnë martesat e tyre në muajt e ardhshëm.
Vendimi pason dorëzimin e një peticioni në qershor nga aktivistët e komunitetit LGBTQ+, duke kërkuar zbatimin e vendimeve tashmë ekzistuese. Ka vendime që datojnë që nga viti 2007, që udhëzojnë qeverinë nepaleze të njohë martesën e të njëjtit seks dhe të formojë një komitet për të përgatitur një ligj për legalizim. Megjithatë, administratat e njëpasnjëshme i kanë zvarritur punët dhe nuk kanë arritur të sjellin ndryshime legjislative.
Gjykata Supreme e Nepalit ka kërkuar që kundërshtarët e urdhrit të saj të paraqesin kundërshtimet brenda dy javësh.
Vendimi historik i Gjykatës së Nepalit e bën atë kombin e parë të Azisë Jugore që angazhohet për barazinë martesore. Bangladeshi, Butani, India, Pakistani, Shri Lanka dhe Maldivet ende nuk lejojnë që çiftet e të njëjtit seks të martohen.
Brenda kontinentit të Azisë, vetëm Tajvani ka legalizuar martesat e të njëjtit seks.
Në Indi, një panel prej pesë gjyqtarësh i gjykatës më të lartë të vendit filloi debatin në prill nëse qytetarët e demokracisë më të populluar në botë do të fitojnë barazi martesore.
Artikulli është publikuar fillimisht në PinkNews dhe është përkthyer nga Dylberizm.