Qysh përdorimi i Grindr mund të çojë në probleme të shëndetit mendor
Çdo ditë, në mbarë botën miliona njerëz kyqen në internet në aplikacione të ndryshme për takime romantike dhe seksuale. Në komunitetin heteroseksual, gjysma e 670 milionë në mbarë botën përdoruesve duan të gjejnë një partner romantik afatgjatë dhe 40% e tyre në fakt e arrijnë këtë.
Në komunitetin gej, gjërat janë shumë më ndryshe. Miliona burra në mbarë botën hyjnë në aplikacione – si Grindr, Romeo ose Scruff – kryesisht për të pasur takime afatshkurta dhe seksuale.
Arsyeja kryesore e kësaj është kërkimi për lehtësimin e përkohshëm të ankthit dhe depresionit.
Një rreth vicioz (Një cikël helmues)
Shumica e burrave gej hyjnë në Grindr kur ndihen të trishtuar, të shqetësuar ose të vetmuar. Mundësia e shpejtë dhe e lehtë për të arritur te seksi, i largon dhe shpërqendron ata nga këto emocione të dhimbshme. Sa herë që iu lindin ndjenja të padurueshme dhe vështirë të përballueshme, ata kyqen në këto aplikacione dhe gjejnë dikë për t’u takuar.
Kur marrëdhënia të mbarojë dhe ata kthehen në shtëpi, lind një ndjenjë tjetër e pakëndshme: faji. Ata ndihen fajtorë që përdorin aplikacionet vetëm për të bërë seks të pakuptimtë me një njeri të huaj…dhe për të mos u ndjerë kështu, ata e hapin sërish aplikacionin.
Aty fillon një cikël helmues i cili mund të vazhdojë pafund nëse ata nuk ndalen të bëjnë diçka për ta këputur atë cikël.
Si ndikon kjo gjë në trurin e tyre?
Kjo mënyrë e gabuar e përdorimit të aplikacioneve për takime duhet të trajtohet si një varësi e vërtetë. Sepse në fakt, është varësi. Veprimi i qasjes dhe klikimit në Grindr i kombinuar me orgazmën si shpërblim, i bën burrat të dëshirojnë ta bëjnë këtë gjë vazhdimisht. Kjo ndikon që zonat e kënaqësisë në tru t’iu aktivizohen, duke krijuar paterna që janë jashtëzakonisht të ngjashme me ato të njerëzve që janë të varur nga heroina dhe kokaina.
Përdorimi i Grindr mundet gjithashtu të shkaktojë mungesë të interesit për përkushtim në lidhje. Përdorimi i gabuar i aplikacioneve për takime, mund t’i pengojë burrat gej të gjejnë marrëdhënie të qëndrueshme.
Le të marrim një shembull:
Që kur Ramizi ishte i vogël, prindërit e tyre e bënin të ndihej se të qenit gej ishte gabim. Sot, ai nuk del aq shumë, dhe ka shumë pak miq, të cilët nuk janë edhe aq të besueshëm. Thellë brenda vetes, Ramizi do të donte të takonte një burrë që ta dashuronte dhe ta respektonte. Por ai nuk mundet ta durojë ndjenjën e refuzimit nga dikush që do ta takonte përballë, e jo virtualisht. Kështu që në vend të kësaj, ai vendosë të hyjë në Grindr për të gjetur pranim nga burrat e tjerë gej që janë në internet për të njëjtën arsye. Ai gjen dikë , shihet me të dhe pa e ditur fare as se si quhet personi, përshëndeten dhe shkojnë diku bashkë.
Grindr mbron meshkujt gejë nga dhimbja e refuzimeve personale
Pas një kohe të përdorimit të aplikacionit, i gjithë vetëvlerësimi i Ramizit ka të bëjë vetëm me aftësinë seksuale. Ai nuk ndihet i sigurt në asnjë mënyrë tjetër. Për shkak se për të është më e lehtë të refuzohet apo të refuzoi dikë virtualisht dhe në mungesë të përvojave jashtë aplikacioneve, Ramizi nuk ndjehet i sigurt që t’i flas dikujt në përditshmëri.
Gjëja e trishtueshme është se ka shumë njerëz si Ramizi në komunitetin gej dhe në Kosovë nuk është diskutuar ende rreth ndikimit të përdorimit të aplikacioneve të takimit në shëndetin mendor.
Çfarë duhet bërë për këtë problem?
Hapi i parë është gjithmonë ndërgjegjësimi. Kur je i vetëdijshëm se ke një problem, ke bërë gjysmën e punës. Vetmia është shkaku kryesor i të gjitha varësive. Kur e dini këtë gjë, ju ndihmon ta kuptoni se problemi juaj mund të jetë pikërisht ky: jeni emocionalisht i vetmuar. Mund të jeni të vetmuar edhe nëse jetoni në një shtëpi plot me njerëz.
Nëse përdorimi i Grindr iu del jashtë kontrollit, sugjerohet se terapia psikologjike është një nga zgjidhjet më të mira për këtë problem.
Nëse e gjeni guximin, atëherë fshini të gjitha aplikacionet e takimeve nga telefoni dhe angazhohuni për të gjetur njerëz në jetën reale të përditshme dhe thjesht provoni të bëni biseda të mira me ta.
Si përfundim
Nuk po themi që nuk mund të përdorni fare aplikacionet e takimeve. Sidomos duke e konsideruar se në Kosovë për shumë persona të cilët ende nuk kanë dalur hapur dhe nuk mund të frekuentojnë vendet ku rrijnë personat queer për shkak të frikës nga ekspozimi dhe janë të vetmet rrugë për të qenë në kontakt me persona tjerë queer dhe për të përmbushur jetën e tyre seksuale. Mirëpo, këto aplikacione duhet të përdoren në mënyrë të vëmendshme dhe të ndërgjegjshme. Të vëmendshme për mënyrën se si ndikon në gjendjen emocionale dhe të ndërgjegjshëm në pranimin e tjetrit, qoftë nëse bën jetë të hapur ose sekrete.
Artikulli fillimisht është publikuar nga Medium, dhe është përkthyer dhe përshtatur nga Dylberizm.