Tu e lexu qitash
Nën slloganin “Të zëshëm dhe krenarë” Shkupi mbajti Paradën e katërt të Krenarisë
Nale Dheze

Nën slloganin “Të zëshëm dhe krenarë” Shkupi mbajti Paradën e katërt të Krenarisë

Të shtunën e 24 qershorit, qindra njerëz nga Maqedonia e Veriut dhe vendet e rajonit, bllokuan rrugët kryesore të Shkupit për të marshuar në Paradën e Krenarisë nën slloganin “Të zëshëm dhe krenar”. 

Aktivistë trans, mbetëresha drag, punëtore të seksit dhe aleatë filluan të mblidhen në ora 17:00 përballë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prania e tyre përballë këtij institucioni ishte një kujtesë e fuqishme se personat queer do të qëndrojnë të bashkuar përballë kërkesave për politika më gjithëpërfshirëse e jo-diskriminuese dhe kundër stigmatizimit nga shoqëria. Pas fjalimeve përshëndetëse u marshua nëpër rrugët e Shkupit në përcjellje të muzikës. 

Dylberizm iu bashkua këtij organizimi për të raportuar drejtpërdrejt për kërkesat e personave queer në vendin fqinj. 

“Në kohë krize, lufte dhe varfërie, dashuria harrohet lehtë dhe urrejtja pushton mendjet dhe zemrat e njerëzve edhe më lehtë. Vetëm me dashuri mund t’i rezistojmë dhunës së cilës i nënshtrohen të ndryshmit edhe kur ka paqe për të gjithë të tjerët. Askush nuk duhet të privohet nga e drejta për të dashuruar ose për t’u persekutuar sepse dashuria e tij nuk njihet nga normat dhe ligjet. Dashuria duhet të fitojë” thanë organizatorët për Dylberizm.

Paradës së Krenarisë iu bashkangjitën figura të ndryshme politike si deputetë nga partia e gjelbërt, lidhja social demokrate e Maqedonisë së Veriut, ish-kryeministrja e Maqedonisë Radmila Šekerinska, dhe ministri i Integrimeve Evropiane, Bojan Maricik. Deputja Sanela Shkrijelj e cila për Dylberizm tha “Marshoj sot sepse besoj se çdo njeri meriton të jetojë i lirë, dhe është përgjegjësia jonë si institucione shtetërore dhe si deputetë që të punojmë të arrijmë në ato kushte në vendin tonë”. 

Në parlamentin maqedonas pritet që së shpejti të prezantohet një draft ligj i ri që do të mundësonte njohjen ligjore të ndërrimit të gjinisë në dokumentet e identifikimit dhe në lidhje me këtë,    tha “është e drejtë njerëzore  dhe është përgjegjësi e jonja ta kalojmë atë ligj. Ne do të luftojmë në parlament, dhe shpresoj që të gjithë kolegët e mi do të bëjnë njejtë”. 

Përderisa marshi kaloi pa asnjë incident, disa ditë më parë në qytete të ndryshme të shtetit fqinj, pati reagime të ndryshme kundër mbajtjes së Paradës së Krenarisë nga grupe të ndryshme fetare si të rinjtë e një medreseje në Shkup, si dhe planifikohet një marsh anti-LGBTQ+ nga Kisha Ortodokse në Maqedoni. 

Skopje Pride përfundoi me një program kulturo-argëtues në stadiumin e qytetit. Pjesëmarrësit mbanin flamuj të ylberit dhe banera me thirrje për bashkim dhe kundër diskriminimit.

Parada e parë e Krenarisë e Maqedonisë së Veriut u mbajt në 2019.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top