Estonia bëhet shteti i parë i Evropës Qendrore që legalizon martesat e të njëjtit seks
Të martën (20 qershor) Parlamenti i Estonisë miratoi ligjin për legalizimin e martesës së të njëjtit seks, duke e bërë atë shtetin e parë të Evropës Qendrore që e bën këtë.
Martesa e të njëjtit seks është e ligjshme në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, por jo në shtetet e Evropës Qendrore, të cilat dikur ishin nën sundimin komunist dhe anëtarë të Aleancës së Traktatit të Varshavës të udhëhequr nga Moska, por tani këto shtete janë anëtare të NATO-s dhe, kryesisht, të BE-së.
“Mesazhi im (për Evropën Qendrore); është një luftë e vështirë, por martesa dhe dashuria janë diçka që ju duhet të promovoni,” tha pas votimit kryeministrja Kaja Kallas për Reuters.
“Ne jemi zhvilluar shumë në 30 vitet e fundit, që kur jemi çliruar nga pushtimi (sovjetik). Jemi të barabartë mes shteteve me të njëjtën vlerë,” shtoi ajo.
Nga koalicioni i partive liberale dhe socialdemokrate që Kallas ka mbledhur pas fitores së saj të fortë në zgjedhjet e 2023-ës, ky projektligj mori 55 vota nga 101 ulëse të parlamentit.
Ligji do të hyjë në fuqi nga viti 2024.
Në shtetin kryesisht laik Baltik me 1.3 milionë banorë, në një sondazh të vitit 2023 nga Qendra për të Drejtat e Njeriut. 53% e popullsisë estoneze mbështeti martesat e të njëjtit seks. Një dekadë më parë numri ishte 34%.
Megjithatë, 38% e estonezëve ende e konsiderojnë homoseksualitetin si të papranueshëm. Martesa e të njëjtit seks kundërshtohet nga pakica etnike-ruse, e cila përbën një të katërtën e shtetit, ku vetëm 40% e tyre e mbështesin atë.
Personat homoseksualë në Estoni priren të qëndrojnë të matur për identitetin e tyre dhe sipas qeverisë gjysma e tyre kanë përjetuar ngacmime kohët e fundit.
“Kjo ishte një mundësi e mirë për qeverinë, sepse opinioni publik për martesat e të njëjtit seks është kthyer në pozitiv, dhe pas zgjedhjeve të këtij viti, qeveria ka numrat për të kapërcyer opozitën konservatore,” tha Tomas Jermalavicius, Drejtori i Studimeve në International Centre for Defence and Security (Qendra Ndërkombëtare për Mbrojtje dhe Siguri).
Letonia dhe Lituania, dy shtetet tjera baltike që më parë u aneksuan nga Bashkimi Sovjetik, kanë projektligje të partneritetit të të njëjtit seks të ngecura në parlamentet e tyre.