Historia e martesave gej nga Perandoria Bizantine deri në ditët e sotme
Si shumë të rinjë të sapoardhur në qytetin e madh, Basili i Parë nuk dinte se çfarë të bënte kur u vendos në Kostandinopojë, diku nga mesi i viteve 800. Fatmirësisht, nuk shkoi gjatë para se ai të takonte një zotëri të sjellshëm të quajtur Nikolla, i cili e mori brenda, e ushqeu, e lau, dhe si përfundim, “duke shkuar në kishë u bashkua zyrtarisht me të”, dhe më pas “u dëfryen me njëri tjetrin.”
Basili i Parë u bë sundimtari i Perandorisë Bizantine në vitet 867-886, dhe sipas librit zbulues të historianit John Boswells të vitit 1994, Martesa e të njëjtit seks në Evropën paramoderne, kjo nuk ishte martesa e tij e vetme me një burrë tjetër.
Pasi pozita e tij në jetë ishte përmirësuar, Basili takoi një burrë të quajtur Gjon. Si shumë burra që i afrohen martesës së dytë, Basili shqetësohej se nxitimi në këtë lidhje të re mund ta bënte të dukej “i lirë”. Por me bekimin e familjes së Gjonit, martesa vazhdoi. Sipas Boswell-it, «një ilustrim mesjetar i mbijetuar i këtij incidenti tregon Basilin dhe Gjonin duke u bashkuar para një kleriku në një kishë, me Ungjillin të hapur para tyre dhe nënën e Gjonit që shikon». Imazhi në krye të këtij artikulli, është një ilustrim i mamasë së Gjonit, vejushës së pasur Danielis, që vjen për të përshëndetur Basilin e Parë. Pasi Basili dhe Gjoni të bashkoheshin, ajo do të quhej “Nëna e Mbretit” dhe do ta emëronte djalin e Basilit trashëgimtarin e saj.
Shumicës prej nesh, kur na kërkohet të mendojmë për historinë e martesave të të njëjtit seks, me siguri i kujtojmë edhe disa momente të tjera signifikante: Fitorja e Edie Windsor në Gjykatën e Lartë të vitit 2013, ose Goodridge kundër Departamentit të Shëndetësisë, rasti i vitit 2004 që legalizoi martesat gej në Massachusetts. Kjo mund të tregojë moshën time, por mendja ime gjithmonë shkon te Baehr kundër Miike, çështja që u shtri në Hawai gjatë pjesës më të madhe të viteve 90-ta, dhe në mënyrë famëkeqe bëri që ekipi i futbollit i Universitetit të Hawait të ndryshojë emrin e tyre nga “Luftëtarët e Ylberit” në vetëm “Luftëtarët”. Kur dukej e mundshme që gjykata mund të gjente se mohimi i licencave të martesës për çiftet e të njëjtit seks ishte, në fakt, diskriminim, Hawaii miratoi legjislacionin për të ndryshuar kushtetutën e tyre dhe për të përcaktuar martesën si mes një burri dhe një gruaje.
Sigurisht, historia e bashkimeve të të njejtit seks daton shumë më mbrapa. Mabel Hampton mori pjesë në një martesë lezbike në Central Park në vitet e 30-ta. Annie Hindle, mbreti drag i shekullit 19-të, u martua me së paku dy gra dhe një burrë.
Rrallë na shkon mendja për kohën e mesjetës kur konsiderojmë historinë e martesave të të njëjtit seks, edhe pse dëshmitë e mbijetuara tregojnë se të paktën, ka pasur rituale të vendosura për bashkimet kishtare midis burrave, që datojnë që nga koha e Basilit të Parë, në mos më herët.
Për shembull, Gerdai i Uellsit, shkroi për një traditë në Irlandë, gjatë fundit të shekullit të 12-të ose fillimit të shekullit të 13-të, e cila përfshinte dy burra që mbanin njëri-tjetrin rreth një kishe, për tre herë, dhe bënin një betim para një prifti, e ndjekur nga një një meshë e plotë e krishterë dhe shkëmbim ceremonial i gjakut.
Ose, duke konsideruar fjalët e Michel de Montaigne, (autori françez i shekullit të 16-të, i cili gjerësisht konsiderohet si babai i formës së esesë), i cili shkroi se kur ishte në Romë në vitin 1578, pa dy burra teksa po martoheshin në meshë, me të njejtën ceremoni që ne përdorim për martesat tona, duke marrë kungimin së bashku, dhe duke përdorur të njëjtin shkrim martesor, pas të cilit ata flenë dhe hëngrën së bashku.
Ballafaqimi me tregime të tilla të vjetra dhe të ritreguara shpesh, të cilat kanë kaluar nëpër përkthime të shumta, i shton këtyre tregimeve një shtresë të dukshme pasigurie. Por megjithatë, ato ende mund të ofrojnë mësime të rëndësishmë rreth të menduarit për marrëdhëniet e të njëjtit seks sot.
Ajo se çka më duket më mahnitëse për martesat mesjetare është se sa pak të përbashkëta kanë ato me martesat në Amerikën e sotme. Dashuria, e thënë thjesht, nuk ishte komponenti kryesor në marrëdhëniet mesjetare, dhe martesa, edhe pse e rëndësishme, nuk konsiderohej si marrëdhënia thelbësore më emocionale në jetë.
Ashtu siç Boswell shkroi, “Shumë pak kultura bashkëkohore paramoderne ose të jo-industrializuara do të pajtoheshin me argumentin e pakontestueshëm perëndimor se “qëllimi i një burri është të dashuroj një grua, dhe qëllimi i një gruaje është të dashuroj një burrë””. Boswell shtoi se “shumica e qenieve njerëzore në shumicën e kohërave dhe vendeve do ta konsideronin këtë si matës të varfër të vlerës njerëzore.”
Shumë prej kritikëve të Boswellit i përdorën konceptet tona të martesës, kundër tij, duke argumentuar se ceremonitë për të cilat ai shkroi, ishin thjesht marrëdhënia ligjore, ose rituale birësimi të të rriturve, ose deklarime zyrtare të vëllazërisë. Ato duken si martesa pasi që, martesat atë kohë ishin të ngjashme me kontratat. Ky lloj argumenti parashton një pytje shumë të kjartë: nëse idetë e sotme të martesës janë aq të ndryshme prej atyre antike, pse duhet të përdoren përkufizimet antike për të mbrojtur (ose kundërshtuar) çfarëdo martese sot?
Për personat që identifikohen si aromantikë ose aseksualë, këto kundërargumente ofrojnë pak mundësi historike: Nëse kritikët e Boswellit kanë të drejtë, atëherë kjo do të thotë se në vend të historisë së martesave të të njëjtit seks, ne po shikojmë në historinë kishtare të njohjes ligjore të miqësisë si marrëdhënie parësore në jetën e dikujt — një model queer i të jetuarit, që se kam ndëgjuar ndonjëherë. Imagjinoni se si do të ndryshonte peisazhi për marrëdhëniet queer (dhe ato heteroseksuale gjithashtu) nëse do të krijonim rituale për njohjen e miqësisë si marrëdhënien tonë kryesore. Martesa nuk do të ishte më sine qua non për një moshë madhore të shëndetshme, dhe marrëdhënieve afatgjata joseksuale do t’u jepeshin llojet e mbështetjes dhe njohjes nga të cilat varen martesat për të mbijetuar.
Ndoshta mësimi më i përshtatshëm që mund të nxjerrim nga historia e Basilit të Parë nuk është që martesat e seksit të njëjtë kanë ekzistuar gjithmonë, ashtu siç e dijmë sot, dhe për këtë kanë nevojë për njohje moderne, por që në kohëra të ndryshme, kishat dhe shtetet kanë nderuar shumë forma të marrëdhënieve. Në vend se të përpiqemi ta bëjmë të shkuarën që t’i përshtatet të tashmes, ndoshta ne mund ta përdorim të shkuarën që ta informojë të ardhmen.
Përkthim i artikullit me titull të njëjtë nga Hugh Ryan është autori i librit When Brooklyn Was Queer (Shtypi i Shën Martinit, Mars 2019) dhe bashkë-kurator i ekspozitës On the (Queer) Waterfront në Brooklyn Historical Society.