Tu e lexu qitash
Sonte jepet premiera e filmit “4 Pills at Night” në Prishtinë
Nale Dheze

Sonte jepet premiera e filmit “4 Pills at Night” në Prishtinë

Filmi i metrazhit të shkurtë “Four Pills at Night” me regji nga Leart Rama, këtë të shtunë do ta ketë shfaqjen e parë speciale në Prishtinë pas shfaqjes në festivale të ndryshme ndërkombëtare si Locarno Film Festival, Milano Festival, Dokufest, Clement Ferrand Film Festival dhe të tjera. Shfaqja e filmit fillon në ora 20:00 në hapësirën publike të filmit dhe kulturës Kino Armata dhe pastaj do të organizohet një diskutim me regjisorin Leart Rama dhe producenten Nita Deda.

Filmi “Four Pills at Night” është vetëm njëri nga filmat e tjerë të regjisorit i cili i eksploron storiet të cilat fokusohen në emocionet e njerëzve dhe që reflekton realitetin aktual të tyre. Përmes imazheve më shumë se dialogjeve portretizohet jeta alternative e natës në Prishtinë dhe emocionet e personazhit kryesor i cili gjendet në mes situatave të lumturisë përmes kërcimit e muzikës dhe frikës e konfuzitetit nga mashtrimi dhe mungesa e pranimit.

Filmi mund të shihet vetëm si një pjesë e të gjithë narrativës e cila do të trajtohet në të ardhmen përmes prodhimit të një filmi të metrazhit të gjatë. Vlen të theksohet se regjisori përmes këtij filmi ka krijuar një gjuhë të re në kinematografinë kosovare përmes eksplorimit të storieve përmes mënyrave të ndryshme të filmbërjes.

Dylberizm ka biseduar me Leartin për t’i marrë perspektivat e tij rreth frymëzimit për filmin, procesit të filmbërjes dhe mbështetjes institucionale për regjisorët e rinj të cilët dëshirojnë ta përdorin fuqinë e kinematografisë për të trajtuar tema jokonvencionale për shoqërinë tonë.

Intervista:

Dylberizm: A mundesh me na tregu pak për momentin kur ke vendos me bo këtë film? Prej kah të ka ardhë inspirimi?

Leart Rama: Filmi “Four Pills at Night” është një film që nuk mund të lind si ide aksidentale, por përkundrazi është një film i tillë që ka nevojë për shumë planifikim, ri-mendim dhe siguri që filmi final të dalë pa kompromise dhe pa frikë për të rrezikuar në tregimin e një storie në një mënyrë jo shumë konvencionale! Filmi i jonë 4 Pills at Night ka shumë kohë që ka lindur si ide si rrjedhojë e shumë ngjarjeve rreth e rrotull meje, nga ato personale deri tek “dramat” kolektive të shoqërisë sonë që më kanë shtyrë të shkruaj një skenar që në fund doli filmi “4 Pills at Night”. Që nga viti 2018 kam filluar të shkruaj një skenar të metrazhit të gjatë me tematikë dhe storie të njejtë ku pas tre viteve, Dokufesti së bashku me festivalin e filmit Winterthur kanë hapur një thirrje për prodhimin e një filmi të shkurtër dhe bashkë me producenten e filmit Nita Deda kemi vendosur që para se ta realizojmë filmin e gjatë, ta realizojmë një copëz të saj  ku në fund ideja u përkrah nga thirrja e hapur dhe filluam me përgatitjet e menjëhershme.

Dylberizm: Cili osht mesazhi që ke dasht me përqu përmes filmit? Me cilin mesazh kishe dashtë me dale secili/a prej audiencës të shtunën?

Leart Rama: Filmi edhe pse në vete i përmbahet një narrative lineare të një storje që ndodh në një klub të natës mes dy të rinjve, në thelb narrativa e filmit përmban shumë degëzime të storieve dhe realiteteve të ndryshme që ndodhin me karakteret kryesore të filmit, por gjithashtu storiet që zhvillohen në mënyrë të pavarur nga protagonistët e filmit. Unë si regjisor dhe si storyteller (tregues i rrëfenjave) zakonisht me skenaret dhe filmat e mi nuk e krijoj një mesazh direkt dhe të qartë për publikun, por preferoj që mesazhin dhe arsyen se pse ky film është krijuar ta gjejnë brenda vetes së tyre. Filmi “4 Pills at Night” përmban një dokumentim jo të zakonshëm të rinisë së Prishtinës, një dokumentim real dhe pa korniza zbukuruese të një realiteti që jetojmë. Edhe pse filmi është fiktiv, është xhiruar në atë formë që pjesa e madhe e saj është reale dhe spontane. Filmi e tregon një botë alternative të një qyteti, ku jeta nuk ka rregulla dhe mund të jesh vetvetja, por edhe në këtë mes, të jesh vetvetja si në rastin e protagonistëve Vali dhe Drini mund të vijë me pasoja.

Dylberizm: Sa ka qenë vështirë me realizu filmin, edhe a ka vullnet prej institucioneve kompetente në Kosovë me mbështetë filma që i trajtojnë këto tema?

Leart Rama: Mënyrën se si kemi vendosur ta trajtojmë filmin dhe kohën kur kemi vendosur ta xhirojmë në mes të pandemisë, ishte shumë e vështirë për ta realizuar sidomos duke e marrë parasysh pjesëmarrjen e aq shumë njerëzve para dhe prapa kamerës ishte një sfidë shumë e madhe për ta arritur rezultatin që e kemi kërkuar nga vetja, por me punën e palodhshme të secilit pjestar të ekipit të filmit, arritëm ti mbyllim xhirimet dhe postproduksionin me shumë sukses, ku pas saj lodhja dhe puna e pandalshme na është shpërblyer me premierën botërore në festivalin prestigjioz të Locarnos. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur përkrahje të jashtëzakonshme nga çdokush përfshirë edhe institucionet shtetërore për të realizuar këtë film dhe për ta përfaqësuar Kosovën në mënyrë më të mire të mundshme që më bën të shoh një dritë në fund të tunelit dhe një shpresë që përkrahja ndaj të drejtave elementare të njeriut ndoshta në një të ardhme të largët mund të ndryshojnë për të mirë.

Dylberizm: A ke dëshirë ma shumë me ngritë pyetje a me dhanë përgjigje përmes filmave?

Leart Rama: Si regjisor zakonisht më shumë preferoj të ngrisë pyetje se sa ti servoj përgjigje të gatshme audiencës duke e marrë parasysh që jo çdokush mund të jetë i mendimit të njejtë si unë dhe se nëse audiencës i servohen përgjigjet e gatshme, atëherë filmi transformohet vetëm si një produkt konsumi dhe nuk qëndron në mendjen e shikuesit shumë gjatë, por nëse audiencës i servohen shumë pikëpyetje atëherë çdo person pas filmit do ta ushqejë atë storje që e ka parë në kinema me nuanca të eksperiencave të tyre personale dhe do t’ju qëndrojë gjatë në mendje. Sidomos tematikat e tilla si filmi 4 Pills at Night mendoj që është shumë e rëndësishme të jetë një film i tillë që ta bëjë audiencën, sidomos audiencën kosovare të mendojë dhe të reflektojë mbi filmin, mbi pikëpyetjet që filmi i ka transmetuar dhe të reflektojnë për bëmat dhe ideologjitë e tyre personale në jetën e përditshme që mund ti kenë bërë mbi komunitetin LGBTQ+

Dylberizm: A e ke ndonjë këshillë për të rinjtë e tjerë në Kosovë që dojnë me marrë rrugën e regjisë të filmit?

Leart Rama: Këshillat e mia të vetme për të rinjtë që dëshirojnë të bëhen regjisor, është që të guxojnë të dalin jashtë kornizave shoqërore dhe të guxojnë të jenë jo konvencional në një botë si bota e sotme që gjithçka duhet të jetë politikisht korrekte.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top