Shkollat nuk janë vende të sigurta për nxënësit LGBTIQ+
Shkrim i Agon Rexhepit.
Në kalendarin e festave, 7 marsi shënon Ditën e Mësuesit. Kjo ditë është mjaft e popullarizuar dhe e kremtuar gjithandej shkollave shqipe. Mu në këtë ditë, po e kthej fokusin diku tjetër. Po e kthej te njëra prej temave më të padiskutuara apo në rastin tjetër, të diskutuara me konotacion negativ, respektivisht te nxënësit LGBTIQ+ dhe të drejtat LGBTIQ+.
Sistemi i arsimit në Kosovë lë shumë për të dëshiru. Këtë e ka vërtetu edhe PISA, e besa e vërtetojmë edhe ne kolektivisht në vazhdimësi. Problemet e këtij sistemi janë të shumëta. Përvoja e disa nxënësve, sidomos atyre që vijnë nga grupe të shtypura shoqërore, është një ndër njollat e zeza të këtij sistemi. Fatkeqsisht, angazhimi për luftimin e kësaj dukurie është i vogël, i inicuar kryesisht prej OJQ-ve dhe nismave të pavarura, e jo nga institucionet dhe akterët tjerë relevantë.
Të drejtat LGBTIQ+ dhe sfidat e komunitetit LGBTIQ+ nuk janë tema të cilat diskutohen në shkollat publike të Kosovës. Këtë e kemi pa e kuptu në forma të ndryshme, qoftë kur vetë kemi qenë a jemi nxënës, qoftë përmes diskutimit me nxënës, a qoftë përmes hulumtimeve të ndryshme që organizatat e shoqërisë civile kanë bërë.
Orientimi seksual, identiteti gjinor dhe seksualiteti janë tema që kurrikulat tona i përfshijnë. Por, praktika e diskutimit të mirëfilltë të këtyre temave fort të rëndësishme për zhvillimin personal, sidomos të adoleshentëve, çalon për shumë arsye. Njëra ndër arsyet e dështimit të informimit të saktë mbi këto tema është përdorimi i librave me informata të papërditësuara, të cilat i referohen hulumtimeve të viteve të 90-ta. Librat nuk janë të përditësuar me të gjeturat e fundit shkencore dhe kam përshtypjen se kanë një përpilim tekstual jo fort të qartë.
Po ashtu, problemi thellohet te mësimdhënësit, të cilët në shumicën e rasteve japin mendimet personale mbi seksualitetin, seksin dhe gjininë. Mendimet e tyre, me gjithë respektin, kryesisht janë heteronormative, ose në opsionin më të keq, e besa më të shpeshtë, homofobike e transfobike. Kjo lloj mësimdhënie rreth diçkaje që ka fort rëndësi për individin, përveç që ushqen homofobinë e transfobinë ekzistuese mes nxënësve, kam përshtypjen se frikëson dhe stigmatizon edhe nxënësit LGBTIQ+.
Librat e biologjisë, psikologjisë dhe sociologjisë nuk duhet të përmbajnë të pavërteta shkencore, sidomos rreth seksualitetit dhe gjinisë, tema këto goxha komplekse. Përkundrazi, pikërisht këto lëndë dhe të tjerat duhet ta ndryshojnë diskursin publik mbi gjininë dhe seksualitetin. Duhet të na tregojnë të dhënat shkencore, diversitetin e seksualiteteve, rëndësinë e njohjes së seksualitetit etj.
Këtij problem i shtohet edhe mungesa e edukimit seksual nëpër shkolla. Edukimi seksual potencialisht do të mund të na edukonte mirëfilli mbi gjininë, seksualitetin, trupin, dukuritë e tjera relevante, ngacmimet seksuale, marrëdhënie e sigurta, punën e seksit etj.
Faktin që edukimi seksual është tejet i rëndësishëm e mbështet edhe Ditjon Fetahu nga Këshilli Rinor Kosovar ndryshe i njohur edhe si KYC (Kosovar Youth Council). Ai ndër të tjera tha se lënda zgjedhore është një mundësi e mirë përmes së cilës edukimi seksual do të mund të bëhej pjesë e kurrikulave shkollore.
“Praktika e zgjedhjes së lëndës zgjedhore është problematike dhe nuk bazohet në rregullore ligjore e as në nevojat shoqërore. Mendoj se duhet të krijohet një udhëzues administrativ që përcakton përzgjedhjen e lëndëve zgjedhore në bazë të nevojave shoqërore” – tha ai.
Sa për informatë, KYC është një organizatë jo qeveritare e cila për më shumë se 20 vite punon me të rinjtë e të rejat e Kosovës. Nën ombrellën e KYC-it funksion Këshilli i Nxënësve të Kosovës, struktura më e madhe përfaqësuese e zërit të nxënësve në Kosovë. KNK është përfaqësuese e Këshilleve të Nxënësve te 107 shkollave publike të mesme të larta në 30 komuna të Kosovës. Pra, kjo strukturë përfaqëson mijëra nxënës nga Kosova.
Përvoja e nxënësve LGBTIQ+ është tejet shqetësuese, traumatizuese dhe alarmante. Ngacmimi apo ndryshe i njohur si bullizmi, është një problematikë shumë e shpeshtë ndaj nxënësve LGBTIQ+ apo ndaj atyre nxënësve që presupozohet se janë LGBTIQ+. Mendoj, por nuk e mbështes dot mendimin me hulumtime, që më shumti ngacmohen nxënësit djemë “të feminizuar” që nuk përkojnë me binarët e gjinisë.
Ngacmimi ndaj tyre është traumatizues dhe lehtë përkthehet në përformancë të dobët në shkollë e në jetë. Madje, ky ngacmim zhvillon pasiguri dhe trauma që mund të ekzistojnë gjatë te një individ. Ende më e trishtë bëhet situata kur krejt kjo ndodh para syve të kolektivit arsimor, të cilët nuk e marrin mundin ta luftojnë këtë dukuri.
Rrjedhimisht, shkolla ishte dashtë me kriju politika specifike kundër ngacmimit, e sidomos kundër ngacmimit si rrjedhojë e homofobisë, transfobisë, racizmit etj. Po ashtu, kolektivi arsimor e Këshillet e Nxënësve duhet me inicu brenda shkollës sa më shumë fushata edukuese që flasin rreth bashkëjetesës kolektive, mirëqenies shoqërore, respektimit të njëri-tjetrit, respektimit të të drejtave të njeriut etj. Dënimi i nxënësve bullizues po ashtu do të ishte një hap përpara drejt zgjidhjes së këtij problemi. Por, duhet punuar edhe me ta për ta kuptu prej nga po vjen vullneti për ngacmim.
Në bazë të informatave që na tha Ditjoni, KYC është duke punuar në një hulumtim kuantitativ dhe voluminoz, i pari i këtij lloji, me një mostër studimi fort gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, rreth shkollave publike dhe shumë dukurive që ndodhin në to. Një ndër shumë temat për të cilat po hulumtohet është edhe bullizmi/ngacmimi.
Në bazë të të dhënave të deritanishme, del që në më shumë se gjysmën e shkollave të Kosovës ka mësimdhënës që ngacmojnë studentët. Kurse, më shumë se gjysma e nxënësve shprehen se në shkollat e tyre ekziston ngacmimi i nxënësve mes vete.
Të dhënat e deritanishme janë si vijojnë:
Në pyetjen “Sa mësimdhënës ngacmojnë/bullizojnë nxënësit në shkollën tuaj?”, nxënësit janë ndarë kështu në bazë të përgjigjjeve: 7,3 % e tyre mendojnë se shumë mësimdhënësë në shkollën e tyre bullizojnë nxënësit, 16,6 % e tyre mendojnë se disa mësimdhënës, 31,9 % e tyre mendojën se pak mësimdhënës dhe 44,2 mendojnë se asnjë mësimdhënës nuk i ngacmon nxënësit në shkollën e tyre.
Kurse, të pyetur për ngacmimin mes nxënësve në shkollën e tyre, nxënësit janë përgjigjur si vijon: 15.1 % e tyre mendojnë se gjithmonë ndodh ngacmimi/bullizmi mes nxënësve, 25,2 % e tyre mendojnë se ndodh shpesh, 41,1 % e tyre mendojnë se ndonjëherë ndodh ky lloj ngacmimi dhe 17,6 % e tyre mendojnë së asnjëherë nuk ndodh ky lloj ngacmimi.
Edhe pse këto të dhëna nuk e tregojnë ekskluzivisht ngacmimin me bazë homofobinë e transfobinë, patjetër që një ndër mënyrat e ngacmimit është pikërisht ajo. Të dhënat e deritanishme janë shumë shqetësuese. Shkollat duhet të jenë të sigurta dhe gjithëpërfshirëse. Por, praktika dhe përvoja po na tregon se shkollat tona publike nuk janë të sigurta e as gjithëpërfshirëse. Përkundrazi, ato po e ushqejnë një lëmsh shoqëror, me fije të ngjyrosuna me problematike specifike.
Pra, problematikat e nxënësve LGBTIQ+ në shkollat publike janë të shumëta. Ndër to, mund të numërojmë: mungesa e hapësirave të sigurta për shtjellimin e temave LGBTIQ+, dezinformimi i nxënësve në lidhje me diversitetin seksual e gjinor, ngacmimi i nxënësve si pasojë e homofobisë e transfobisë, mungesa e politikave mbrojtëse për nxënësit LGBTIQ+ apo kundër ngacmimit me bazë seksualitetin, mungesa e grupeve mbështetëse, mungesa e shenjave mikpritëse dhe gjithëpërshirë në ambientet e shkollës, etj.
Vlen të përmendet një e gjetur mjaft interesante e këtij hulumtimi që po kryen KYC, në bazë të asaj që tha Ditjon Fetahu. Në rezultat e deritanishme, 66 % e të anketuarve janë deklaruar si heteroseksual, 1.2 % si biseksual/a, 0.3 % si lezbike apo gej, 0,5 % si panseksual/e, 28 % kanë refuzu me u deklaru (kjo është interesante dhe ka nevojë për elaborim të mirëfilltë) dhe 3.4 tjetër.
Fort më gëzon kjo përqindje e lartë e nxënësve të shkollave të mesme të larta publike të Kosovës që nuk hezitojnë të deklarojnë hapur seksualitetin e tyre. Kjo veç e forcon faktin se “e ardhmja është queer”.
Kujtoj se këto të dhëna janë të gjeturat e deritanishme të cilat ende nuk janë publikuar në një raport përfundimtar zyrtar. Gjithsesi, të gjitha të dhënat statistikore dhe të tjera janë të dhëna të konsultuara me Ditjon Fetahun nga Kosovar Youth Council.
Inkurajoj nxënësit LGBTIQ+ të cilët janë pre e bullizmit në shkolla ose përjetojnë çfarëdo diskriminimi për shkak të orientimit seksual, identitetit gjinor apo mënyrën se si duken a çfarë veshin, ta adresojnë çdo problem tek instancat relevante, tek organizatat apo platformat e pavarura si Dylberizm, te psikologët e shkollave, te Këshilli i Nxënësve, KYC apo kudo që janë më rehat.
Infrastuktura e shkollës, ajo arkitekturore dhe ajo sociale, duhet të jenë ftuese, mikpritëse dhe gjithëpërfshirëse. Rrjedhimisht, duhet angazhim zinxhiror e konsistent i akterëve të sistemit arsimor në krijimin e një infrastukture të tillë, e cila do të kishte ndikim pozitiv edhe në zhvillimin dhe përparaimin gradual të shoqërisë tonë.
Agon Rexhepi është një aktivist i ri queer nga Prishtina. Si aktivist për të drejtat e njeriut, përmes blogut dhe poezisë, ai synon ta ngrisë vetëdijen rreth çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, e sidomos me të drejtat LGBTIQ+.