Tu e lexu qitash
Gazetari dhe aktivisti gej gjymtohet dhe vritet nga kushëriri i tij në Azerbajxhan
Nale Dheze

Gazetari dhe aktivisti gej gjymtohet dhe vritet nga kushëriri i tij në Azerbajxhan

Paralajmërim – dhunë grafike.

Gazetari dhe aktivisti LGBT+ Avaz Hafizli u gjymtua dhe u vra në Azerbajxhan, ndërsa për vrasjen e tij u arrestua kushëriri i tij.

Hafizli, 24 vjeçar, ishte gazetar në kanalin e lajmeve Kanal 13. Ai ishte gjithashtu një aktivist i shquar, duke punuar palodhur për të mbrojtur komunitetin trans të vendit dhe duke bërë thirrje për veprime të qeverisë për krimet e urrejtjes kundër LGBT+, madje duke u lidhur me zinxhirë në portën e Prokurorisë së Përgjithshme gjatë një proteste.

Sipas mediave lokale, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministria e Brendshme lëshuan një deklaratë të përbashkët që konfirmoi se ai u vra të martën (22 shkurt) rreth orës 16:00. Ai u gjet me kokën dhe organet gjenitale të prera.

Burri gej u mbështjellë në një qilim dhe u transportua në morg në një “kamion plehrash”, thanë aktivistët, pasi policia nuk donte të “prekte një trup të ndyrë”.

Kushëriri i tij, Amrulla Gulaliyev, pranoi vrasjen e tij dhe është arrestuar ndërsa autoritetet po hetojnë. Por miqtë e Hafizliut dhe aktivistët lokalë besojnë se autoritetet janë pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e tij.

Një mike dhe aktiviste që punoi me Avaz Hafizli në Azerbajxhan, por së fundmi u transferua në Mbretëri të Bashkuar, tha për PinkNews se për shkak se ai protestoi hapur për të drejtat e LGBT+, Hafizli “po përballej me dhunën e policisë”.

“Pas protestave të tij të hapura, familja dhe të afërmit e tij filluan ta kërcënojnë,” vazhdoi ajo. “Ai e dinte që ekzistonte një rrezik, por vazhdoi.

“Dje ai u vra nga kushëriri i tij, brutalisht, iu pre koka dhe penisi”.

Ajo tha se kolegët dhe miqtë janë të shqetësuar “që ashtu si rastet e mëparshme, edhe kjo nuk do të hetohet me drejtësi” dhe se e vërteta do të mbulohet.

“I gjithë komuniteti queer tani është në panik, sepse kjo dhunë vazhdon të justifikohet në media dhe madje të lavdërohet nga disa politikanë”.

Një mik tjetër i Avaz Hafizlit tha për PinkNews se ai kishte frikë se familja e gazetarit të ndjerë “do ta varrosnin në varreza për njerëz të panjohur, pasi ata kurrë nuk e kishin pëlqyer, e refuzuan dhe madje e kërcënuan”.

Pasi Hafizliu u vra, miku e ndoqi trupin deri në xhami, ku ishte larë para varrimit dhe pa se i kishin hequr penisin.

“Është e sigurt të thuhet se vetë akti i drejtohej identitetit të Avaz si person gej,” shtoi ai.

“Nëse kjo nuk është një deklaratë e “ti nuk je burrë”, atëherë për çfarë qëllimi [do t’ia prisnin ata penisin?”

Lili Nazarov, një aktivist LGBT+ në Azerbajxhan, tha në një deklaratë se Hafizli “bëri çmos për të drejtat LGBT+” dhe shtoi se në vitin 2020 ai ndihmoi në organizimin e funeralit të një punonjëseje seksi trans, familja e së cilës refuzoi të merrte trupin e saj nga morgu, pasi ajo u godit 11 herë me thikë.

Sevinj Huseynova, një blogere e njohur nga Azerbajxhani, haptazi synoi komunitetin LGBTQI+ verën e kaluar, duke kërkuar për përjashtimin e tyre nga shoqëria.

Avaz Hafizli dhe një grup i vogël i njerëzve trans u mblodhën para prokurorisë në atë kohë për të kundërshtuar deklaratat e Sevinj Huseynovës, pas të cilave Sevinj Huseynova filloi të ngacmojë dhe kërcënojë Hafizliun.

Në korrik, Sevinj Huseynova vuri në shënjestër një grua trans nga Azerbajxhani duke postuar një video të ditëlindjes së saj. Nuray, e cila shfaqet në video, u dogj për vdekje me duar të lidhura më 16 gusht si rezultat i krimeve të urrejtjes. Pas ngjarjes, Avaz Hafizliu organizoi një protestë.

Pavarësisht ankesave të tij në polici dhe në prokurori për kërcënimet e blogeres, policia nuk bëri asgjë.

Në një intervistë, Avaz Hafizli, i cili u lidh me zinxhirë para Prokurorisë së Përgjithshme tha “Nuk kam asgjë për të humbur. Sevinj Huseynova dhe Prokuroria e Përgjithshme janë përgjegjës për çdo gjë që më ndodh mua.”

Pavarësisht se ka marrë më shumë se 40 ankesa për Sevinj Huseynova për krime të urrejtjes, policia nuk hetoi, nuk ka marrë në pyetje, ose ka pushuar arbitrarisht ankesat ndaj saj.

“Avaz më tha se ishte i frikësuar kur ndodhi kjo,” vazhdoi Nazarov.

“Fajtorët e vdekjes së tij janë shoqëria, qeveria e Azerbajxhanit dhe agjencitë e sigurimit shtetëror… Çdo vit, dhjetëra [njerëz] LGBTQI+ masakrohen sepse janë LGBTQI+. Çdo ditë, gratë vriten sepse janë gra, dhe qindra mijëra njerëz jetojnë në tmerr, por ata kurrë nuk kanë bërë asgjë për ta parandaluar atë; në fakt e kanë shkaktuar.

“Sa njerëz të tjerë duhet të vriten për të garantuar sigurinë dhe të drejtat tona? Kush do të vritet më pas?”

Pas këtyre ngjarjeve, Avaz Hafizli u vra brutalisht nga një i afërm, dhe prokuroria e shpalli vrasjen si “krim personal”.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top