Tu e lexu qitash
Të shkarkohet Duda Balje!
Nale Dheze

Të shkarkohet Duda Balje!

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, dhe deputete e Parlamentit të Kosovës, Duda Balje, ka deklaruar sot në internet se do të votoj kundër martesave mes seksit të njëjtë.

Në profilin e saj në Facebook, deputetja Balje është deklaruar se nuk do ta votoj Kodin e Ri Civil sepse “ky kod përmban edhe lejimin e martesave të gjinisë së njëjtë”.

Duda Balje në profilin e saj në Facebook.

Ndër të tjera ajo tha: “Unë si deputete nuk mund të dal kundër fesë të cilës i përkas, principeve në të cilat jetoj e as kundër vlerave familjare me të cilat jam rritur. Prandaj, vota ime do të jetë KUNDËR. Kundër, sepse nuk përket me kulturën, traditën në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë.”

Kjo deklaratë e tillë është tejet diskriminuese, shqetësuese dhe e rrezikshme.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat të Njeriut të deklarohet kundër të drejtave të njeriut është jashtëzakonisht shqetësuese dhe ky akt i tillë duhet të dënohet urgjentisht. Balje, jo vetëm që po bën thirrje kundër respektimit të të drejtave të njeriut, por po i kontribuon diskursit publik homofobik dhe transfobik.

Besimi i saj fetar nuk duhet të jetë arsye diskriminimi e mohimi të të drejtave të njeriut, gjegjësisht një grupi të shtypur shoqëror. Si deputete e Kuvendit të Kosovës, ajo e ka përgjegjësi ligjore të i respektojë të drejtat e njeriut, t’i mbrojë ato dhe të angazhohet në avancimin e të drejtave të grupeve të shtypura shoqërore, dhe të i përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, gjinie, orientimi seksual etj.

Shkarkimi i Duda Baljes nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione është URGJENT dhe tejet I NEVOJSHËM për respektimin e të drejtave të njeriut dhe krijimin e besimit të qytetarëve te ky komision.

Të drejtat e njeriut nuk janë çështje mendimesh e pikëpamjesh personale! Mohimi i të drejtave të njeriut ndaj personave LGBTIQ+ kontribuon në shtypjen sistematike ndaj tyre, asgjësimin e përvojave të tyre dhe çnjerëzimin e këtij grupi të shtypur shoqëror.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top