Tu e lexu qitash
Poeti dhe aktivisti queer, Agon Rexhepi, triumfon në konkursin e poezisë “KultStrofa”

Poeti dhe aktivisti queer, Agon Rexhepi, triumfon në konkursin e poezisë “KultStrofa”

Mbrëmë, në hapësirat e kafe-galerisë “KultPlus” u mbajt nata finale e konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”.

Nën organizimin e platformës për art dhe kulturë, KultPlus, ky konkurs mbledh shkrimtarë e shkrimtare që shkruajnë shqip nga vende të ndryshme të botës. Në edicionin e katërt të këtij organizimi, sipas KultPlus, konkurruan rreth 100 pjesëmarrës/e nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Spanjën, Norvegjinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kosovën etj.

Në mesin e 10 poezive të përzgjedhura për natën finale nga juria e përbërë nga prof. Sali Bashota, prof. Nerimane Kamberi dhe poeti Arbër Selmani, ishte edhe poezia e poetit dhe aktivistit Agon Rexhepi.

Poezia me titull “Marrja e Shpisë” zuri vendin e tretë në këtë konkurs, duke u bërë kështu hera e parë që një poezi me përmbajtje queer fiton në një konkurs të këtij lloji.

Përmes kësaj poezie, Agoni shumë mirë përshkruan sfidat, përjetimet dhe eksperiencat e të qenit gej në një familje shqiptare. Ai, me fjalë zhargoni, por mjaft prekëse dhe të qëllueshme, flet mbi paragjykimet, shtypjen dhe sfidat që një person LGBTIQ+ i përjeton qysh fëmijë duke filluar nga familja, rrethi shoqëror, shkolla dhe çdo grup tjetër që e rrethon.

Pasi pranoi çmimin dhe thuri lëvdata për zellin e jashtëzakonshëm të KultPlus dhe jurisë profesionale, Agoni tha: “këtë çmim ja dedikoj çdo personi LGBTIQ+, kudo që janë dhe ashtu siç janë.” 

Po ashtu, ndër të tjera, ai tha se “fakti që poezia u vlerësua me këtë çmim në mesin e shumë poezive dhe poetëve me nam dhe që u mirëprit me duartrokitje e lëvdata nga shumica e audiencës së pranishme, ka shumë vlerë për mu dhe do të jetë shtysë për të vazhdu punën time si aktivist e artist queer”

Ky çmim është i një rëndësie të veçantë për artin, letërsinë dhe kulturën queer shqiptare, dhe jo vetëm.

Vlerësimi i poezisë së Agonit është një hap pozitiv i pranueshmërisë dhe vlerësimit të artit LGBTIQ+ në Kosovë. Po ashtu, ky vlerësim, shërben si shtysë për krijuesit LGBTIQ+ dhe promovon artin queer edhe në mjedise që jo domosdoshmërish janë mikpritëse.

Kujtojmë se kjo poezi ishte pjesë e festivalit botërorë Queer Cinema for Palestine të mbajtur në nëntor, në natën e hapjes “Dylberat për Palestinën” organizuar nga Dylberizm.

Agonin e urojmë për çmimin dhe e falënderojmë për kontributin e tij si aktivist e artist për komunitetin LGBTIQ+.

Ju sjellim poezinë e plotë.

Marrja e shpisë

Kur thonjtë e dorës tem t’vogël janë mbush me dhe t’u lujt “tezesh” n’mahallë
Kur dollapat janë mbush me kukullat e mia të bleme te “Shitoret e Kinezve” te Qafa
E kur fustanin e synetisë e kam mbajt vesh 2 muj ditë rresht,
Nuk jam kanë veç fëmijë i vogël, jam kanë marrja e shpisë.

Kur ent’ i kam la me shumë vullnet
E kur zani jem s’asht kanë si i djemve t’tjerë
E n’mahallë kur çik-o-djalë m’kanë thirrë
Nuk jam kanë veç fëmijë i vogël, jam kanë marrja e shpisë.

Kur shoqnia jem asht’ kanë veç me çika
E ecja jem s’asht’ kanë fort burrnore
E as kur me sha nuk kam dijt’.
Nuk jam kanë veç fëmijë i vogël, jam kanë marrja e shpisë.

Kur krejt shkolla “pederr” më ka thirrë
E kur jam depilu për herë të parë
Kur për çika s’kam fol me moshatarë
S’jam kanë veç adoleshent, jam kanë marrja e shpisë.

Kur nji djalë për herë t’parë e kam puth
Kur ereksion prej nji mashkulli kam pasë
E kur në za kam kajt t’u ju lut perenisë me m’shëru
S’jam kanë veç adoleshent, jam kanë marrja e shpisë.

Kur kamerat e televizioneve në paradë t’krenarisë m’kanë fokusu
E kur krejt akraballaku e kanë pa
S’jam kanë ma gzimi i familjes, jam kanë marrja e shpisë.

Kur veten e kam pranu si homoseksual
E krenar jam ndje
Kur ftyra m’asht gjakos veç për këtë fakt
S’jam kanë ma sugari i fisit, jam kanë marrja e shpisë

Kur t’shpisë e kanë kuptu që gruja të cilën edhe në ninulla ma kanë përmend
Asht’ burrë, e të njëjtën lumtuni ma jep
E kur botës i kam kallxu sa krenar me veten jam
S’jam kanë ma i tyne, jam kanë marrja e shpisë.

Prej që jam ba me dijt’
Jam kanë marrja e shpisë.
Edhe sot jam,
Marrja e shpisë, pa shpi.


Nëntor 2021, Agon Rexhepi

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top