Dy gra transgjinore zgjidhen për herë të parë në parlamentin e Meksikës
Për herë të parë në histori, dy gra transgjinore kanë dalë fituese në zgjedhjet parlamentare në Meksikë.
Maria Clemente Garcia dhe Salma Luevano janë anëtare të partisë MORENA të presidentit aktual Andres Manuel Lopez Obrador dhe do të ulen në Dhomën e Deputetëve të parlamentit meksikan. Të dyja gratë kanë histori të gjatë si aktiviste për të drejtat LGBTQ+.
Partia MORENA, akronim për Lëvizja për Rilindjen Kombëtare, është një parti e majtë që mori pushtetin në vitin 2018, duke premtuar një prioritarizim të qytetarëve të klasës punëtore, duke përkrahur zhvillimin e diversitetit etnik, fetar dhe seksual, si dhe drejtësi mjedisore.
Edhe Garcia edhe Luevano shprehen se do të përkushtohen për të çuar para politika në shërbim të komunitetit LGBTQ+.
“Ka një varfëri të madhe… varfëri ekstreme në mesin e popullatës tonë transgjinore,” u shpreh Luevano për Reuters. “Do të luftoj me krenari për njerëzit tanë që janë të rrezikuar.”
Pesëdhjetëedy vjeçarja Luevano, zotëron një sallon bukurie të sajin në shtetin qëndror të Aguascalientes dhe gjithashtu, është edhe drejtuese e iniciativës së quajtur “Bashkë për shtegun e diversitetit”. Aktivizmin e saj e filloi ditën kur u ndalua nga policia tri dekada më parë për shkak se kishte të veshur rroba grash, por që atëherë, realiteti i personave queer ka ndryshuar shumë pak. Viti 2019 ishte viti me vdekjet më të mëdha në mesin e personave LGBTQ+ në Meksikë gjatë pesë viteve të fundit, ku më shumë gjysma e viktimave janë gra transgjinore, ndërsa një e treta janë burra gej.
“Kanë kaluar tridhjetë vjet dhe akoma përjetojmë të njëjtin diskriminim. Akoma luftojmë të njëjtat gjëra,” tha ajo.
Në Meksikë, Dhoma e Deputetëve ka 500 anëtarë. Treqind nga këta zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërsa dyqind të tjerët përzgjidhen nga i ashtuquajturi “përfaqësimi proporcional”, një sistem me lista të mbyllura që ia shpërndan ulëset e parlamentit partive politike në bazë të përqindjes së votës kombëtare. Garcia dhe Luevano do të zënë dy nga këto vende në shtator dhe do të shërbejnë një mandat tre-vjeçar.
Organizata jofitimprurëse që drejton Luevano, pati rol të rëndësishëm në përcaktimin e rregullave të reja që lejonin një numër minimal kandidatësh prej grupeve të papërfaqësuara të jenë pjesë e listës së mbyllur. Për shkak të këtyre ndryshimeve, më shumë se njëqind kandidatë LGBTQ+ morën pjesë në zgjedhjet e 6 qershorit, duke shënuar kështu numrin më të lartë në historinë e Meksikës.
Për sa i përket Garcia-s, ajo shpreson të përdorë zërin e saj në parlament për t’i mundësuar kompanive që punësojnë persona LGBTQ+ lehtësime të mëdha në taksa, si dhe për të ndryshuar Artikullin 1 të kushtetutës së Meksikës. Ky artikull i kushtetutës ndalon diskriminimin vetëm në bazë të preferencës seksuale, duke i lënë vend mungesës së mbrojtjes të personave transgjinor në nivelin federal.
Sipas Garcia-s, formulimi frazal i këtij artikulli përdor një terminologji që “asnjë organizatë nuk e ka përdorur për tridhjetë vite.” Prandaj, shpreson që qeveria federale të adaptojë ligje gjithëpërfshirëse që ofrojnë mbrojtje në bazë të “orientimit seksual dhe identitetit dhe shprehjes gjinore.”
Garcia, gjithashtu, shpreson që të vazhdojë të përdorë përvojën e saj të jetuar për të sjellë ndryshimin për komunitetin e saj. “Është një arritje,” u shpreh ajo për zgjedhjet historike, “është një hap para, është një simbol.”
Ndërkohë që personat LGBTQ+ në Meksikë vazhdojnë të përjetojnë diskriminim dhe akte dhune, fitorja e Luevanos dhe Garcias dëshmojnë se progresi është duke ardhur. Personat transgjinorë ligjërisht mund ta ndryshojnë gjininë e tyre në dokumentet qeveritare dhe vjet, Meksika ndaloi terapinë e konvertimit në një votim historik.
Edhe pse disa shtete kanë refuzuar të ndryshojnë ligjet e tyre lokale, pasi Gjykata e Lartë Meksikane në vitin 2015 e shpalli jo kushtetues ndalimin e martesave të personave të së njëjtës gjini, dy shtete filluan të ndërmerrnin reforma të thella. Muajin e shkuar, shteti Sinaloa dhe Baja California ndërmorën hapa për të përmirësuar ligjet që rregullojnë bashkëjetesën dhe martesën e personave të së njëjtit seks. Reforma e Sinolës duhet të aprovohet nga guvernatori, ndërsa propozimi i Baja California duhet të aprovohet nga tre prej pesë qeverive lokale brenda shtetit.
Francisca Abello, një ligjbërëse progresiste në legjislaturën e shtetit të Sonaloas është shprehur në media se këto ndryshime tregojnë rëndësinë e “lirisë, sigurisë dhe barazisë” së lumturisë të komunitetit LGBTQ+ meksikan. “Nuk duhet të ketë qytetarë të kategorisë së dytë,” tha Abello.
Më shumë se gjysma nga tridhjetedy shtete të Meksikës tashmë e lejojnë martesën mes personave të së njëjtës gjini, duke përfshirë këtu edhe shtetin konservator Puebla që u bë shteti i njëzetë meksikan që legalizoi barazinë martesore vitin e shkuar.