Ministrja austriake e Drejtësisë kërkoi falje publike për ndjekjen penale të homoseksualëve
Ministrja e Drejtësisë e Austrisë Alma Zadić kërkoi falje të hënën në emër të shtetit për ndjekjen penale të homoseksualëve, shkruan Večer.
Historianët vlerësojnë se rreth 13,000 njerëz u dënuan për shkak të orientimit seksual në Austri midis viteve 1950 dhe 1971.
“Si Ministre e Drejtësisë, unë sot kërkoj falje në emër të gjyqësorit në të gjitha format për ata homoseksualë dhe të afërmit e tyre të cilët u ndoqën penalisht në Republikën e Dytë në bazë të orientimit të tyre seksual.” shkroi Zadić në Twitter.
“Unë dua ta shpreh keqardhjen time të madhe për vuajtjet dhe padrejtësitë që ju kanë goditur,” tha Alma Zadić të hënën në Vjenë. “Institucionet që duhet t’i kishin mbrojtur ata në të vërtetë kanë shkelur dinjitetin dhe njerëzimin e këtyre njerëzve,” shtoi ajo. Ajo gjithashtu kërkoi falje për heshtjen e gjatë të gjyqësorit.
Sipas historianit austriak Andreas Brunner, deri në vitin 1971 rreth 13,000 njerëz ishin dënuar për homoseksualitet në Austri. Vetëm atëherë dënimi i kontakteve të të njëjtit seks u lehtësua disi, shpjegoi historiani.
Zadić gjithashtu njoftoi ngritjen e një monumenti të veçantë, i cili jo vetëm që duhet të jetë një kujtesë e padrejtësive historike, por edhe një paralajmërim që anëtarët e komunitetit LGBT vazhdojnë të jenë ende shënjestra të dhunës dhe urrejtjes. Do të nevojiten më shumë sqarime, dialog dhe mbrojtje të të drejtave, shtoi ministrja austriake.