Prishtina së shpejti me një strehimore për personat LGBTI
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin e komunës i cili kap vlerën prej 86 milionë eurove për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme buxhetore për periudhën 2021-2023.
Kjo pikë u miratua me 26 vota për, 5 abstenime nga të gjitha grupet e partive politike.
Drejtoria e Mirëqenies e Komunës së Prishtinës në programin e saj për vitin 2021 ka paraparë ndërtimin e një strehimoreje për personat që i përkasin komunitetit LGBTI. Për ndërtimin e strehimores janë paraparë 300 mijë euro.
Drejtori i Mirëqenies Sociale, Dren Kukaj ka bërë të ditur lajmin në një postim në profilin e tij në Facebook. “Me gati katërfish më shumë buxhet për shërbime sociale dhe gati dyfish më shumë buxhet për investime kapitale, viti 2021 do jetë viti me më së shumti buxhet për mirëqenie sociale ndonjëherë në Prishtinë.”
“Prishtina do bëhet me një qendër të madhe për shërbime sociale, një strehimore për personat LGBT, një pushimore për persona të moshuar dhe do lansojmë programe të papara sociale deri më tash për grupe të ndryshme e të ndjeshme të shoqërisë sonë. Fëmijët prej kategorive të ndryshme do përfitojnë më shumti” ka njoftua Kukaj. Lokaliteti për ndërtimin e strehimores akoma nuk është caktuar përfundimisht.
“Target i kemi personat të cilët kanë rënë pre e dhunës fillimisht në familje, dhe që strehimi është bërë i pamundshëm” ka deklaruar ai për Klan Kosova. Ai gjithashtu ka njoftuar edhe për hapjen e një qendreje të re drop-in e cila do të shërbejë për socializimin e personave LGBTI.
Organizata Centre for Equality and Liberty CEL Kosovo, e cila ka bashkëpunuar me Komunën e Prishtinës në këtë projekte ka njoftuar përmes platformës Facebook për lajmin.
“Pas një periudhe të gjatë me sfida për të siguruar vend për personat LGBTI+ në Kosovë tani me përkrahjen e Komunës së Prishtinës do të ofrohet siguri për të gjithë. Prishtina po bëhet me një shtëpi të sigurtë për komunitetet LGBTI+ në Kosovë.” thuhet në deklaratën e tyre.
Kjo organizatë deri më tani ka bashkëpunuar me Qendrën e strehimit STREHA në Tiranë, ku shumë prej viktimave të dhunës nga familja dhe të pastrehët e tjerë LGBTI nga Kosova janë strehuar përgjatë viteve të fundit.
Por së shpejti, të gjithë personat LGBTI në Kosovë, të cilët largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të mospranimit dhe abuzimit nga familja, do të kenë një hapësirë të sigurt dhe të strehim në Prishtinë.