Tu e lexu qitash
Vrasja mizore e gruas trans nxit zemërim në Kolumbi: Le të na mobilizojë zemërimi!

Vrasja mizore e gruas trans nxit zemërim në Kolumbi: Le të na mobilizojë zemërimi!

Paralajmërim: Ky artikull diskuton dhunën, vrasjen dhe urrejtjen anti-LGBTIQ+, andaj përmbajtja mund të ketë elemente që nuk janë të përshtatshme për disa lexues/e.

Vdekja e dhunshme e gruas transgjinore Sara Millerey González, ka nxitur zemërim në Kolumbi – vrasje brutale kjo që presidenti Gustavo Petro e quajti “akt fashizmi”.

González, grua transgjinore dhe aktiviste 32-vjeçare, që jetoi në Bello – qytet në veriperëndim të Kolumbisë, u vra gjatë fundjavës së parë të prillit. Në bazë të raportimit të mediave lokale më 4 prill ajo u përdhunua dhe iu thyen këmbët dhe krahët para se ta hidhnin në përroin La García.

Ajo u pa duke luftuar për jetën e saj, gjë që e filmuan fqinjët dhe kalimtarët. Në ditët në vijim, videot u shpërndanë në media sociale. Sipas autoriteteve, Sara Millerey-n, e nxorën zjarrfikësit dhe policia nga uji, më pas u dërgua në spitalin më të afërt, por vdiq për shkak të plagëve të marra më 5 prill.

Në llogarinë e tij në X, presidenti i vendit Gustavo Petro e përshkroi vrasjen e Millerey-t si “fashizëm”: “Jam kritikuar që flas për nazizmin. E di shumë mirë se fashizmi është eliminimi i dhunshëm i dallimeve njerëzore: liria politike, fetare, etnike, seksuale. Ajo që ndodhi në Bello quhet fashizëm, sepse ka nazistë në Kolumbi.”

Lorena González Ospina, kryetarja e Bello, përmes medieve sociale u shpreh se po ngrinte zërin e saj për të “dënuar fuqishëm vrasjen e Sara Millerey”, duke e përshkruar vrasjen e saj si një “akt të tmerrshëm dhe me plot urrejtje”.

Shpërblimi prej 50 milionë pesos kolumbiane (11,000 dollarë) i ofrohet kujtdo që sjell informacione që çojnë në kapjen e atyre që janë përgjegjës.

Përmes një deklarate, organizata LGBTIQ+, Caribe Afirmativo, tha se vrasja e Sara Millerey nuk ishte incident i izoluar, por “një simptomë”. Një pasqyrë. Një klithmë që askush nuk dëshiron ta dëgjojë”.

“Le të na mobilizojë zemërimi”

Grupi shkroi po ashtu se në vazhdën e vdekjes së Millerey, të indinjuarit duhet të “na mobilizojë zemërimi”: “Duhet të na bëjë të ndihemi jorehat. Duhet të na dhemb. Duhet të na mbushë me inat. Por jo një inat i verbër, por mllef që organizon, mobilizon dhe transformon”.

“Sepse prononcimet nuk mjaftojnë më. Minutat e heshtjes nuk mjaftojnë më. Na duhet përgjigje politike, etike dhe kolektive. Një përgjigje që i rreket kërkesës për drejtësi, por edhe një transformim të thellë të strukturës shoqërore”.

“Kjo është arsyeja pse ne këmbëngulim: nuk mjafton të zemërohesh një herë në vit. Nuk mjafton të ndash një hashtag. Ne kemi nevojë për një politikë të jetës, të zisë aktive, të drejtësisë transgjinore. Ne duhet të flasim, t’ia japim emrin që i takon, t’i kujtojmë, t’i mbrojmë”, thuhet në deklaratë.

“Por ne kemi ende kohë për të bërë diçka tani. Vdekja e tyre të mos jetë e kotë. Të mos e normalizojmë më tmerrin. Që të ndalojmë së numëruari të vdekurit tanë sikur të ishin numra pa emra apo histori. Koha për t’i kujtuar. Koha për ta shndërruar zemërimin në veprim. Koha për të mos lejuar që harresa të fitojë përsëri”.

“Të paktën këtë herë, historia nuk duhet ta përsërisë veten me heshtje”.

Vdekja e dhunshme e Millerey – vrasja e 25 e dylberave në vend deri më tani këtë vit  – ka ndezur zemërim në Kolumbi, me shumë thirrje për mbrojtje më të mirë për njerëzit trans dhe dënime më të forta për krimet e urrejtjes.

Sipas mediave në gjuhën spanjolle, disa demonstrata në shkallë të gjerë janë mbajtur në të gjithë Kolumbinë ditët e fundit, duke përfshirë në Bogotá, Medellín, Cali, Barranquilla dhe Bello, për të bërë thirrje për drejtësi dhe për të protestuar ndaj dhunës sistematike transfobike.

Në vigjilje, dylberat dhe komuniteti më i gjerë ndezën qirinj për Millerey, mbanin fotografi të saj dhe valëvitnin flamuj trans.

Burimi: Pinknews 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top