Tu e lexu qitash
Kushtetuta osht’ e jona –  edhe kur deputetët harrojnë

Kushtetuta osht’ e jona –  edhe kur deputetët harrojnë

17 vjet mas miratimit t’Kushtetutës t’Kosovës dylberat e gjejnë veten me nji festë shtetnore t’zbehtë. Akti ma i naltë juridik që e ka shteti jonë, që syonon me garantu dinjitet, barazi dhe mbrojtje për t’gjithë, shpesh shpërfillet prej vetë institucioneve që janë betu që kanë me ju përmbajtë.

Kushtetuta i përket popullit. Ajo na përket neve. 

Kushtetuta u bo me nji premtim: që Kosova ka me qenë republikë e qytetarëve t’barabartë, ku t’gjithë i gëzojnë të drejtat dhe liritë, pa frikë, diskriminim ose trajtim t’dorës t’dytë. Ky premtim osht’ shkru qartë, tu fillu me preambulën e me sqarim t’fuqishëm në nenin 24:

“Askush nuk duhet të diskriminohet në bazë të … gjinisë, orientimit seksual … ose ndonjë statusi tjetër personal.”

Amo, sot, 17 vjet mas miratimit t’kësaj Kushtetute, dylberat n’Kosovë vazhdojnë me jetu n’frikë. Shumë prej tyne jetojnë nën nji kulm me dhunuesit e tyne masi s’ka nji strehimore që i mbron. Çdo vit, shumë njerëz detyrohen me ikë prej shpisë t’tyne e me lonë vendin e vet për me lypë strehim, e ni jetë ma t’mirë. Strehimi osht’ nevojë bazike, e qysh thotë edhe Këshilli i Evropës, osht’ nji e drejtë e njeriut që shteti jonë nuk pe përmbushë.

Hendeku mes asaj që premtohet n’Kushtetutë e asaj që realizohet n’praktikë osht’ shqetësues. Edhe pse gjykatat n’Kosovë dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e njohin t’drejtën për ndryshimin e shënuesit gjinorë e t’drejtën për me formu bashkime civile të t’njëjtit seks, ligjet tona kanë mbetë n’heshtje. Kuvendi refuzon me vepru, tu e blloku njohjen dhe mbrojtjen tonë ligjore jetike.

Çka do me thonë me u betu n’Kushtetutë, qysh e bon çdo deputet, e masanej me e injoru ose me e shkelë aktivisht frymën e saj?

Kushtetuta nuk o veç nji simbol me u përmend n’festa zyrtare. Ajo osht’ nji kontratë e gjallë me popullin. Nuk mundesh me u betu për nji pjesë të saj, e me shkelë pjesën tjetër. Nuk mundesh me folë për barazi, kur i mshelë sytë për pabarazitë që na i përjetojmë çdo ditë.

Për Qeverinë e ardhshme dhe për çdo deputet që mban ulëse n’Kuvend: kjo Kushtetutë osht’ për me u respektu, jo për me u përdorur sipas interesit personal e partiak. T’drejtat e njeriut nuk jon për me bo pazar me ardhë n’pushtet. Siguria nuk osht’ privilegj, osht’ e drejtë bazike. Barazia nuk osht’ qejf, osht’ detyrim.

Nuk ka liri t’vërtetë kur nji grup mbetet i përjashtum. Nuk ka të drejta kushtetuese nëse ato nuk vlejnë për krejt neve.

Kushtetuta osht’ e jona. Edhe kur ju e harroni.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top