Trinidad dhe Tobago vë nën shënjestër dylberat, rikthen në fuqi ndalimin e homoseksualitetit

Gjykata e Apelit në Trinidad dhe Tobago e ka kriminalizuar përsëri homoseksualitetin në vend – e kjo siç thonë aktivistët komunitetit LGBTIQ+ i vë nën shënjestër dylberat. Aktivisti Jason Jones, banor i Mbretërisë së Bashkuar, kundërshton nenet 13 dhe 16 të Ligjit për Kundërvajtjet Seksuale.
“Si një qytetar LGBTQ+ i Trinidad dhe Tobago (TT), ky aktgjykim shtypës ka prishur kontratën time si qytetare e Trinidadit dhe Tobagos dhe përsëri më bën kriminel të pakapur në sytë e ligjit”, shkroi Jones në reagimin e tij.
Ligji i epokës koloniale britanike kriminalizon marrëdhëniet seksuale me pëlqim mes të rriturve të seksit të njëjtë.
Në vitin 2018, gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Devindra Rampersad i shpalli nenet anti-kushtetuese. Rampersad vendosi në prill të 2018-ës se ligji bie ndesh me kushtetutën dhe shprehu synimin për të rrëzuar nenin 13, i cili dënonte “marrëdhëniet seksuale anale” midis burrave ose një çifti heteroseksual deri me 25 vjet burgim.
Rampersad gjithashtu donte ta eliminonte nenin 16 të ligjit, i cili ndalonte “aktet e pahijshme serioze”, të cilat efektivisht kriminalizonin çdo lloj marrëdhënieje seksuale që nuk është ndërmjet një burri dhe një gruaje. Ky ligj parashihte dënim prej pesë vjetësh burgim.
Vendimi përfundimtar i gjykatës ndryshoi ligjin që dekriminalizoi seksin me pëlqim nga të rriturit, duke përfshirë atë mes personave të seksit të njëjtë, nëse ata ishin të paktën 16 vjeç, raportuan mediat lokale atëkohë.
Megjithatë, Qeveria e shtetit të Karaibeve që atëherë u ankua kundër vendimit të Rampersad.
Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, Nolan Bereaux dhe Charmaine Pemberton, e përmbysën vendimin më 25 mars 2025. Marrëdhëniet seksuale të seksit të njëjtë tani janë të dënueshme deri në pesë vjet burgim, sipas gazetës lokale Trinidad Daily Express.
Bereaux dhe Pemberton konstatuan se nenet 13 dhe 16 ishin ligj i ruajtur, që do të thotë se ata duhet të qëndrojnë në fuqi. Megjithatë, gjykatësi Vasheist Kokaram besoi ndryshe dhe vlerësoi se ankesa e shtetit duhej të hidhej poshtë.
E aktivisti dylber, Jason Jones shkroi po ashtu se: “Gjykata e Apelit e TT ka vënë efektivisht shënjestër mbi kurrizin e dylberave dhe na ka bërë qytetarë të klasës më të ulët në vendin tonë”.
Në aktgjykim thuhet se “askush nuk është dënuar për seks anal me pëlqim brenda shtëpive të tyre”. Megjithatë aktivistët e tjerë dylbera shprehin shqetësim e mllef lidhur me këtë vendim dhe thonë se nuk është çështja te zbatimi.
Kennedy Maraj, bashkëthemelues i Pride TT, e përshkruan vendimin e Apelit si degradim të rëndë dhe tradhëti të sistemit gjyqësor.
“U thotë individëve LGBTQ+ se vetë ekzistenca juaj është nën shqyrtim ligjor, derisa ai procesi i brishtë i të drejtave të fituara me shumë mund është kthyer përmbys”, tha Maraj.
Burimi: PinkNews, The Guardian