Çka i bjen me jetu n’spektrin aseksual me nji botë hiperseksuale

Paralajmërim: Kjo storie diskuton tema që lidhen me marrëdhaniet seksuale, martesat e aranzhuara, dhunën seksuale, shëndetin mendor dhe përjashtimin – që për disa lexues mund të jenë shqetësuese dhe nxitëse.
Shpesh e kom gjetë vetën tuj u sorollatë n’hapsina që i kanë dhanë përparësi tërheqjes e shprehjes seksuale para se gjithash. Shoqni e fiksume mas seksit – tuj na përplasë n’ftyrë çdo ditë se jemi “qenie seksuale”. N’rrugë, n’media, n’kafe, n’libra, e kudo. E për neve që jemi n’spektrin aseksual – ska lidhje se a je aseksual, gri-seksual* ose demiseksual* – ky fiskim i përhapun na bon mu ndje alien t’ksaj toke, e bile edhe me na ngulfatë.
M’kujtohet ni bisedë që e kom pasë me ni shoqe, e cila osht’ e martume (me msit), po që nuk don me bo seks me burrin e saj. Kemi folë me orë t’tana edhe kur dikur e gjeti rahatinë mu çelë, m’tha “veç s’e kom dëshirën e njejtë si burri jem. Po m’doket që kom naj problem e duhna me shku te gjinekologia”. Ajo nuk shprehi që osht’ aseksuale, t’paktën qashtu menojke. Ama, tan kohën menojke që nuk osht’ “normal”. Tu folë mbi termin demiseksual – që disa njerz përjetojnë tërheqje seksuale veç kur lidhen thellë emocionalisht me dikon – u dok që u shliru. Ni peshë e madhe ju hjek nga supet. Ajo e kuptoi që n’fakt nuk osht’ jo-normale apo e damtume me naj mnyrë, veç osht’ ndryshe prej asaj se çka heteronormativja e ka proklamu si “t’rregullt”. Megjithatë, shumë njerëz nuk e kanë asnjëherë këtë mundësi me e kuptu veten.
Për neve që jemi n’spektër aseksual, kjo osht’ njo prej betejave kryesore. Jetojmë me ni botë që e glorifikon tërheqjen seksuale edhe na kan’ msu që ndjenja e dëshirës për tërheqje seksuale osht’ përvojë universale. Ky hiperseksualizëm shoqnorë na bon me u ndje sikur kemi diçka mangu, t’thyme, jonormale ose që diçka nuk o n’rregull me ty. Si rezultat, shumë persona aseksual kalojnë vite pa e kuptu plotësisht se pse nuk e nijnë t’njejtën tërheqje ndaj seksit si tjerët. Nuk kemi gjuhë për me përshkru e as guxim për me përqafë veten. I bjen si me i veshë nipar kpuca numër 32, e ti e ki komën numër 39 – asniherë nuk je tamon, e gjith je tu u vra diku.
Për shumë njerëz, e specifikisht për shumë gra dylbere, me jetu me ni botë t’hipërseksualizume ka pasoja ma t’mdhaja. Për gratë që janë detyru mu martu me burra, e ku marrëdhaniet seksuale janë të “domosdoshme”, paramendojeni se çka i bjen mos me ditë me shpjegu mungesën e dëshirës për seks, sidomos kur nuk osht’ veç shqetësim, po osht’ krejt identiteti yt. Për gratë aseksuale, t’cilat shpesh nuk e dijn ose nuk mund të dalin hapur, situata ndërlikohet edhe ma shumë. Dhuna seksuale brenda martesës shpesh neglizhohet ose normalizohet, veçanërisht kur gratë nuk e kuptojnë pse nuk e dojn seksin. Pritshmëria se “martesa=seks” e bon shumë ma t’vështirë me folë dhe mungesa e tërheqjes seksuale interpretohet si egoizëm ose edhe mizori.
Ideja që “nuk t’pëlqen seksi” mun me kon tmerruese edhe e shtirë me pranu. Me ni bisedë me nji shoqe tjetër, t’cilën partneri i saj e kishte qujt “gjysmë” sepse nuk ia “plotësonte nevojat seksuale”, nuk mujke me e sqaru pse nuk e donte seksin, por ishke shumë e ranë me e pranu që munet me kon aseksuale – sepse sipas normës, nuk konsiderohej taman grua.
N’situata të tilla, ku marrëdhaniet seksuale bohen pjesa kryesore e dinamikave t’ni lidhjeje, mungesa e vetëdijes osht’ ni formë e vetë-fshimjes dhe shtypjes së identitetit personal. Osht’ tejet e randsishme që me u zhvillu ni lloj gjuhe gjithëpërfshirëse që mundet me na ndihmu me kuptu që dëshira n’vetvete nuk osht’ ni përvojë që mundet me i përshkru e me ju përshtatë krejtve. Kur njerëzit si unë, gri-seksual, nuk përshtaten me narrativën tradicionale të tërheqjes seksuale, mbetemi pa mjete e mundësi me shpjegu veten. Qekjo mandej i ngujon personat aseksual në lidhje që nuk ua respektojnë kufijtë. Disa nuk e kanë as fuqinë me thanë “jo” pa ndjenjën e fajit.
Për neve, nuk ka ni përvojë t’vetme që i përshtatet krejtve. Naj her, tërheqja seksuale nuk ekziston; tek disa të tjerë munet me ardhë si moment kalimtar – por jo domosdo osht’ konstant.
Për ni kohë t’gjatë nuk kom ditë me shpjegu përvojën tem. Nuk kom ditë mi përshkru momentet kur nuk kom ndje aspak tërheqje seksuale, ose kur e kom përjetu intensivisht e osht’ zbehë shpejt. Për ni kohë kom menu që mun me kon naj problem me shëndetin mendor ose problem hormonal. Ka qenë e vshtirë me gjetë ni hapsinë ku unë përkas. Shumë prej neve n’spektrin aseksual tentojmë vazhdimisht me u përshtat në narrativat normative mbi dëshirat.
Mungesa e edukimit dhe t’kuptumit, apo edhe t’pranimit të aseksualitetit, griseksualitetit dhe identiteteve tjera brenda spektrit aseksual, na izolon tej mase. Shpërbërja e idesë se tërheqja seksuale osht’ përvojë universale dhe se ka mënyra t’ndryshme për me përjetu intimitetin, dashninë e marrdhaniet që nuk përqendrohen veç rreth seksit, osht’ jetike.
Presioni për me “performu” me ni mnyrë të caktume na shtin me menu se a jemi t’mjaftushëm. Por, nji sen duhet me e pasë të qartë që: aseksualiteti, gri-seksualiteti dhe demiseksualiteti (apo çdo identitet tjetër brenda spektrit aseksual) janë t’vlefshëm e t’mjaftushëm.
Dikush tërhiqet seksualisht, dikush nuk tërhiqet seksualisht, dikush tërhiqet seksualisht kaniher – edhe krejt qeto janë n’rregull. Përvojat njerëzore janë t’veçanta, andaj edhe duhemi me i festu e respektu si të tilla.
Gëzuar ekzistenca e aseksualëve.
Terminologji
Gri-seksual: Gri-seksual apo gri-aseksual është person që ndjen rrallë tërheqje seksuale. Termi “gri-seksual” përkufizon një person që mund të ndjejë ose ka ndjerë tërheqje seksuale në të kaluarën, por që tash ndjen tërheqje me intensitet të ulët apo të rrallë. Rrënja e fjalës “gri-seksual” (gray-sexual) i referohet ngjyrës së hirit apo ngjyrës gri, meqë paraqet zonën e hirtë (kombinimin apo të ndërmjetmen), ndërmjet aseksualëve (pa tërheqje seksuale) dhe aloseksualëve (personat me tërheqje seksuale). Personat gri-seksual shpesh janë pjesë e spektrit aseksual. Në bazë të anketës ACE Community Survey të 2019-tës, me mostër prej mbi 10,000 aseksualësh, 10.9 për qind e të anketuarve janë deklaruar gri-seksualë. Ngjyra e hirtë e flamurit aseksual i kushtohet gri-seksualëve.
Demiseksual: Person që nuk ndjen tërheqje seksuale ndaj tjetrit pa krijuar fillimisht lidhje emocionale me të. Personat demiseksualë dallojnë për nga ajo se sa u duhet ta njohin një person për të krijuar lidhje emocionale të tillë. Te demiseksualët, lidhja emocionale mund të krijohet nga shoqëria apo romanca, por nuk nënkupton domosdo dashurinë për tjetrin. Rreth 9.5 për qind e të anketuarve në anketën ACE Community Survey të vitit 2019, me mbi 10.000 respondentë aseksualë, janë deklaruar demiseksualë.