Lara, ylli i K-pop, del hapur duke iu drejtuar fansave me mesazh falënderues

Lara, anëtarja e grupit të vajzave K-pop Katseye, të hënën ndau një mesazh personal me fansat, duke folur hapur se identifikohet si pjesë e komunitetit të dylberave, me sinqeritet dhe çiltërsi. Ky mesazh shënoi një moment të rrallë dhe domethënës në botën tradicionalisht konservatore të K-pop.
Këngëtarja amerikane, që është vokalistja kryesore e grupit, theksoi se identiteti queer i saj është diçka që ajo e përqafon plotësisht.
“Kur doli ‘Dream Academy’, isha shumë e frikësuar të jem e sinqertë, sepse nuk e dija se a do të më pranonin njerëzit dhe mendoja se kjo do të m’i prishte gjasat për t’u pranuar”, tha Lara gjatë një bisede të drejtpërdrejtë me fansat e saj.
Lara iu drejtua me falënderim fansave, tek tha se tash e ka përqafuar krenarinë.
“Kisha shumë frikë [të dilja hapur] dhe tani jam shumë mirënjohëse që njerëzit në jetën time, dhe ju gjithashtu, ishit kaq mbështetës, kështu që ndihem shumë krenare për këtë dhe nuk kam aspak turp… Më keni dhënë kaq shumë dashuri dhe mbështetje dhe më bëri të ndihem kaq e sigurt në atë se kush jam”, tha Lara.”The Debut: Dream Academy” ishte një shfaqje audicioni që u transmetua nga 1 shtatori deri më 17 nëntor 2023. Shfaqja u prodhua nga HYBE së bashku me Geffen Records.
Burimi:Korea JoongAng Daily