Kuvendi i Hungarisë ndalon me ligj Paradën e Krenarisë

Ligji që i ndalon ngjarjet e Paradës t’Krenarisë t’dylberave, u miratu me 18 mars 2025 n’Kuvendin e Hungarisë, tu e shënu kështu edhe nji tjetër goditje ndaj komunitetit LGBTIQ+ n’shtetin evropian. Ligji që u mbështet prej partisë n’pushtet Fidesz e presidentit Viktor Orbán, i jep t’drejtë autoriteteve shtetnore me përdorë teknologji që identifikon ftyrat e njerëzve që marrin pjesë n’tubime t’ndalume prej shtetit për mi gjobitë pjesëmarrësit.

Ligji, që u miratu me 136 vota për dhe 27 kundër, i ndryshon kriteret për tubimet publike tu i ndalu ngjarjet që konsiderohen se i shkelin t’ashtuquajturat ligje për “mbrojtjen e fëmijëve” – ligj i cili osht’ n’fuqi qysh prej vitit 2021, i cili ndalon “shfaqjen ose promovimin” e homoseksualitetit dhe temave t’identitetit gjinor te personat nën 18 vjeç.

Me ndryshimet e reja ligjore, ata/ato që marrin pjesë n’këto ngjarje t’ndalume, munden me u gjobitë deri në 200.000 forintë hungarezë (rreth 500 euro). Për ma tepër, ideja e përdorimit t’teknologjisë për identifikimin e fytyrave, ka ngritë shqetësim shumë t’madh mes aktivistëve sepse po konsiderohet si rritje e mbikëqyrjes shtetnore edhe si frikësim i aktivistëve dylbera.

Miratimi i ligjit t’ri ka nxitë reagime të shumta, si n’Hungari ashtu edhe jashtë vendit. Mijëra hungarezë kanë protestu kundër vendimit n’Budapest, ku e kanë blloku Urën Margaret, kurse mrena parlamentit, deputetët e opozitës kanë dhezë bomba tymi me ngjyrat e ylberit si shejë e kundërshtimit ndaj ligjit.

Kurse organizatat vendore e ndërkombëtare e kanë dënu ashpër këtë ligj. Amnesty International e ka cilësu si “sulm t’hapun ndaj lirive themelore”, ndërsa organizatorët e Budapest Pride kanë deklaru se nuk kanë me nalë marshin e planifikum me 28 qershor.

“Na nuk kena me shujtë. Ky ligj osht’ ni përpjekje për me na fshi, por na ekzistojmë edhe kemi me vazhdu me luftu”, thanë organizatorët.

Ky ligj osht’ pjesë e masave që i shtypin dylberat e që janë ndërmarrë prej qeverisjes së Orbán. Qysh prej rikthimit të tij në pushtet n’vitin 2010, Orbán osht’ pozicionu si mbrojtës i “vlerave tradicionale”, tu i bo dylberat cak t’sulmit politik. Komisioni Evropian i ka kritiku vazhdimisht këto politika edhe ka konstatu se ato i shkelin politikat e BE-së, por pa naj efekt.

Pavarësisht masave shtypëse, dylberat n’Hungari nuk zmbrapsen. Shumë njerëz besojnë se kjo osht’ nji tjetër përpjekje për me e shpërqendru publikun prej problemeve ekonomike edhe korrupsionit politik para zgjedhjeve. Organizatorët e paradës edhe aktivistat kanë premtu që kanë me i sfidu këto ligje përmes rrugëve ligjore dhe aktivizmit, anipse kanë me u përballë me gjoba dhe me ndërhymjen e policisë.

Burimet: Reuters, CNN World, EuroNews, The Guardian.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top