Tu e lexu qitash
Pjeshka e kafshuar dhe mënga e prerë: Simbolet e dashurisë së dylberave në Kinën e lashtë 

Pjeshka e kafshuar dhe mënga e prerë: Simbolet e dashurisë së dylberave në Kinën e lashtë 

Dy çiftet gej më të famshme në historinë kineze janë edhe burimet e disa prej simboleve më të njohura të dylberave në Kinë: pjeshkës së kafshuar dhe mëngës së grisur.

Paralajmërim: Artikulli në vazhdim shtjellon sfidat e shëndetit mendor dhe i referohet konkretisht vetëvrasjes.

“Të mirat e mëngës së prerë janë bujare. Dashuria për pjeshkën gjysmë të ngrënë nuk vdes kurrë.” – Liu Zun

Historitë që janë pjesërisht legjendë e pjesërisht të bazuara në realitet, janë zgjeruar përtej asaj që mund të imagjinonte kushdo. Ato janë zhvendosur nga një vështrim i romantizuar ndaj një lidhjeje gej në një term për të cilin duhet të kapemi si një grep historik nga e kaluara në të tashmen; si rikujtuesë të e asaj se ekziston një precedent për dashurinë queer që vazhdon në Kinën bashkëkohore, pavarësisht përpjekjeve për ta zhdukur atë.

Historia e parë fillon me një dukë dhe një kurtizan. Marrëdhënia e tyre u zhvillua nga viti 493-534 para Krishtit. Siç tregon historia, duka Ling, një burrë i martuar, ishte marrëzisht i dashuruar me kurtizanin e tij, Mizi Xia. Tregimi thotë se Mizi Xia ishte tepër i bukur dhe i dashur në të gjithë Wie, tokën që sundonte duka.

Ndërkohë që të dy ishin në një lidhje jashtëmartesore, duka u shpreh shumë haptas për dashurinë e tij për burrin tjetër. Ai njihej për mburrjen me Mizi Xia, në kohën kur të dy ishin të afërt. E ky fakt më vete, na tregon shumë për marrëdhëniet e dylberave në atë kohë. Dukës i lejohej të kishte një lidhje jashtëmartesore me një kurtizan mashkull. Atij iu lejua, jo vetëm të mburrej për marrëdhënien, por edhe t’i bënte favore të dashurit të tij.

Favorin e parë, duka ia bëri në kohën kur nëna e Xia u sëmur. Xia, pasi mori lajmin, falsifikoi nënshkrimin e dukës për t’ia marrë një nga karrocat. Kjo vepër dënohej me prerjen e këmbëve të hajdutit, por kur Xia u kthye, duka nuk e ndëshkoi. Në vend të kësaj, ai vlerësoi besnikërinë e të dashurit të tij ndaj familjes dhe gatishmërinë për t’u përballur me dënimin për t’i qëndruar pranë nënës së tij.

Një burim tjetër krenarie për dukën ishte pjeshka e kafshuar; një simbol që ende shënjon dashurinë mes burrave në Kinë. Derisa ecnin nëpër oborr së bashku, Xia zgjodhi një pjeshkë dhe e kafshoi një herë. Kur e kuptoi se ishte më e ëmbël sesa pjeshkat e tjera, ia dha Dukës. E Duka lavdëroi Xia, duke thënë: “Sa e sinqertë është dashuria jote për mua! E harrove oreksin tënd dhe mendove vetëm të më jepje gjëra të mira për të ngrënë!”

Është një histori e bukur, por rrëfimi i saj fillon me tjetër shkas. Fillimisht u regjistrua nga një studiues i cili përdori fillimin dhe fundin e tregimit si rrëfim me mesazh moral. Thuhej se pasi bukuria e Xia-s u shua, u zbeh edhe dashuria e dukës për të. Ai u akuzua për krime kundër dukës – krime për të cilat ai kishte marrë lëvdata. Vjedhja e karrocës dhe dhurata e pjeshkës së gjysmë të ngrënë, gjëra që i përgëzonte duka, do t’ia sillnin dënimin Xia. Studiuesi përdori tregimin si shembull i asaj se si njerëzit mund të vihen në rrezik kur i bëjnë favore njerëzve të pushtetshëm.

Historia e dytë flet për pozita dhe rreziqe të një niveli më të lartë: me perandorin Ai i dinastisë Han dhe komandantin e forcave të tij të armatosura, Dong Xian. Perandori ishte i njohur për sentimentalitetin e tij e shpërblimin e njerëzve me pozita. Duke qenë bashkë me katër perandoresha të veja, pushteti i doli nga duart. Ashtu si paralajmëronte kryeministri Wang Jia, kjo do të prodhonte pasoja. Wang Jia përmendi shumë njerëz të tjerë të afërt me perandorin që ishin ngritur shpejt në detyrë dhe u ndëshkuan më pas.

Perandori reagoi duke akuzuar kryeministrin për krime që ai s’i kishte kryer dhe e detyroi atë t’ia merrte vetes jetën. Ai reagoi ndaj të gjitha kritikave ndaj të dashurit të tij në këtë mënyrë dhe e kaloi jetën shumë i dashuruar me Xian. Ndryshe nga marrëdhënia e Dukës me kurtizanin, perandori nuk u kthye kundër të dashurit të tij. Sipas të gjitha të dhënave arkivore, ai e kaloi jetën e tij tërësisht në dashuri me Xian, prodhuar edhe historinë e mëngëve të grisura.

Në një rast, Dong Xian e zuri gjumi në krahët e perandorit. Kur perandori duhej të zgjohej, ai preu mëngën, vetëm për të mos e zgjuar nga gjumi dashurinë e tij. Përsëri, historia ishte e thjeshtë, e shkurtër e edhe shumë e ëmbël, por kishte një përfundim të patreguar. Kur vdiq perandori, vdiq edhe Dong Xian, megjithëse jo për të njëjtën arsye.

Perandori vdiq nga shkaqe natyrore, ndërsa Dong Xian vdiq nga vetëvrajsa. Perandori dha urdhër që Dong Xian t’i jepej froni pas vdekjes së tij, por urdhri u shpërfill pas vdekjes së perandorit. Dong Xian iu hoqën të gjithë titujt dhe ai vrau veten së bashku me gruan e tij. Pas vdekjes së tij, njerëzit përreth vendit prenë mëngët duke mbajtur zi simbolike për nder të tij.

Këto dy histori kanë shumë tematika të përbashkëta: gjeste të vogla dashurie, sakrifica të ëmbla dhe dashuria e dy njerëzve nga pozita jashtëzakonisht të ndryshme. Këto storie janë rritur dhe përhapur në të gjithë botën. 

Jo vetëm që përdoren nga dylberat në Kinë për të komunikuar me njëri-tjetrin e njëra-tjetrën, por nga njerëz me origjinë kineze që jetojnë jashtë Kinës – që lidhin dhe zgjerojnë historinë e dylberave të një vendi që ka një qeveri në masë të madhe armiqësore ndaj marrëdhënieve queer. 

Në një vend ku edhe diskutimi i të qenit dylber censurohet, gjuha që dylberat përdorin për të folur me njëri-tjetrin/njëra-tjetrën është e rëndësishme dhe ia vlen të ruhet kudo që të jetë e mundur. Historia e këtyre simbolikave ka rëndësi – pjeshka e kafshuar dhe mënga e prerë vazhdojnë ta bëjnë historinë.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top