Muaji i Historisë Queer: Si filloi dhe pse është i rëndësishëm?

Në vitin 1994, një mësues në Shtetet e Bashkuara donte t’u jepte studentëve qasje në historinë LGBTIQ+. Kështu lindi Muaji i Historisë Queer
Në vitin 1994, Rodney Wilson, mësues i një shkolle të mesme në Missouri të Shteteve të Bashkuara donte t’u jepte nxënësve më shumë qasje në historinë e dylberave, si dhe më shumë modele me të cilët ata/ato mund të identifikoheshin.
Wilson krijoi një komitet planifikimi me drejtues dylbera nga i gjithë vendi dhe prej aty lindi Muaji i Historisë së Gejve dhe Lezbikeve. Grupi zgjodhi tetorin për atë që përfundimisht do të bëhej Muaji i Historisë Queer, meqë po atëherë fillonte viti shkollor. Tetori është edhe muaji kur SHBA-ja feston Ditën Kombëtare të Daljes Hapur (më 11 tetor). Dy marshet e dylberave në Washington më 1979 dhe 1987 u zhvilluan po ashtu në tetor.
Pas themelimit, organizata si Task Forca Kombëtare e Gejve dhe Lezbikeve (GLAAD) dhe Fushata për të Drejtat e Njeriut miratuan Muajin e Historisë së Gejve dhe Lezbikeve dhe në vitin 1995, Shoqata Kombëtare e Arsimit miratoi një rezolutë duke e njohur zyrtarisht atë si një muaj përkujtimor.
Në vitin 2006, organizata për të drejtat civile Equality Forum u bë organizatorja dhe promovuesja zyrtare e muajit. Çdo vit, ky forum zgjedh 31 ikona për të nderuar nga një prej tyre në secilën ditë.
Ndërsa Mbretëria e Bashkuar, në shkurt 2025, i ka bërë 20 vjet qëkur e feston muajin e historisë queer. Shoqata Schools OUT UK këtë vit e ka vendosur si objektiv që ta afirmojë të kaluarën e dylberave, ta festojë të tashmen dhe ta ndërtojë të ardhmen. Përzgjedhja e sivjetme e saj është mësimi me fokus te pesë figura queer të cilat ndikuan pozitivisht në çështjet e grave, të mjedisit, strehimit, çarmatosjes bërthamore, mbrojtjes së trashëgimisë, ndalimin e skllavërisë dhe në çështjet e migrimit.
Sot, derisa konservatorët po i vazhdojnë sulmet e tyre të gjera ndaj të drejtave të studentëve dylbera, Muaji i Historisë Queer është më i rëndësishëm se kurrë, pasi shërben për t’ua kujtuar të rinjve dylbera se ata janë pjesë e një historie të gjatë të forcës, qëndrueshmërisë dhe guximit.
Çfarë është Muaji i Historisë Queer?
Muaji i Historisë së komunitetit queer festohet në nivel ndërkombëtar dhe është bërë një mjet vendimtar për tu siguruar që historia e dylberave të shpërndahet, të mësohet dhe të festohet, pasi ajo rrallë përfshihet në kurrikulat shkollore.
Për pasojë, studentët dylbera shpesh nuk janë të vetëdijshëm për faktin se shumë figura për të cilat ata mësojnë në shkollë ishin dylbera. Ata po ashtu mbesin pa mësuar rreth lëvizjes për të drejtat e dylberave dhe figurave të shumta që kanë luftuar heroikisht për barazinë e dylberave.
Muaji i Historisë LGBTIQ+ është mënyrë për t’i inkurajuar shkollat, mediat dhe institucionet e tjera për shpërndarjen e informatave në një mënyrë që i jep peshë storieve të rëndësishme të komunitetit dylberave.
Kur festohet?
Në Shtetet e Bashkuara, Muaji i Historisë së Dylberave festohet në tetor. Këtë muaj e festojnë edhe Kanadaja dhe Australia. Njihet gjithashtu në Mbretërinë e Bashkuar (në shkurt), Hungari (në shkurt), Finlandë (në nëntor) dhe Berlin (në qershor). Në maj 2022, Kuba u bë vendi i parë në Amerikën Latine që e festoi Muajin e Historisë Queer. Po atë vit për herë të parë e festoi edhe Italia në muajin prill.
Çfarë dallon Muaji i Historisë Queer dhe Muaji i Krenarisë?
Muaji i Historisë LGBTIQ+ fokusohet në arritjet e komunitetit LGBTIQ+. Muaji i Krenarisë i cili shënohet në qershor, kujton Kryengritjen e Stonewall të vitit 1969 dhe ka të bëjë me ngritjen e lëvizjes për të drejtat e dylberave. Muaji i Krenarisë përqendrohet më shumë në rebelimin dhe luftën e vazhdueshme për të drejtat e dylberave, ndërsa Muaji i Historisë së Dylberave fokusohet në nderimin e së kaluarës.
Muaji i Krenarisë është protestë e thirrje për tu bashkangjitur në betejat tona, ndërsa Muaji i Historisë Queer është festë.
Burimet: LGBT Nation, Pinknews, Schools Out