PZAP thotë se gjuha e Koalicionit për Familje është në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe e dënon atë me 5,500 EUR tjera

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka shqiptuar gjobën e gjashtë ndaj Koalicionit për Familje për deklaratat anti LGBTI+, në vlerë prej 5,500 EUR. Në këtë vendim, Paneli Zgjedhor ka përkufizuar gjithashtu se çka i bjen liria shprehjes sipas Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut dhe si mund të përdoret ajo.
“Në nenin 10, paragrafi 1, të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut, i cili thotë: “Çdo person ka të drejtën e lirisë së shprehjes…”, ndërsa në paragrafin 2 të nenit 10 të Konventës ndër të tjera thuhet se “Ushtrimi i këtyre lirive, që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara nga ligji që, në një shoqëri demokratike, përbëjnë masat e nevojshme … për mbrojtjen e dinjitetit ose të drejtave të të tjerëve...”, shkruhet ne vendim.
Ndër të tjera, Paneli i përbërë nga gjyqtarët Bujar Muzaqi si kryesues, Hajriz Hoti dhe Violeta Husaj si anëtarë, me rastin e vendosjes si në dispozitiv të këtij vendimi morri për bazë edhe vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut: Sanchez kundër Francës, në të cilin vendim, thuhet se: “Megjithatë, liria e debatit politik mund të kufizohet për të penalizuar apo edhe parandaluar të gjitha format e shprehjes që propagandojnë, inkurajojnë, nxisin ose justifikojnë urrejtjen e bazuar në intolerancë...”.
Paneli, pas shikimit të shkresave të ofruara si provë materiale për ankesë nga organizatat jo-qeveritare Dylberizm dhe CEL Kosova – deklarata të bëra nga kandidatët e Koalicionit për Familje, Fatmir Smajli dhe Eman Rrahmani, gjatë fushatës zgjedhore të cilat janë publikuar me video në rrjetin social Facebook – ka gjetur se përdorimi i gjuhës së këtyre kandidatëve është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes. Sjelljet e tilla, sipas PZAP-së, minojnë procesin demokratik dhe promovimin e zgjedhjeve të lira e të drejta.
Vendimin e plotë të PZAP-së e gjeni këtu.