Tu e lexu qitash
Supremja e hedh poshtë ankesën e Koalicionit për Familje, ndërsa PZAP-ja ia shqipton edhe gjobën tjetër në vlerë prej 7600€

Supremja e hedh poshtë ankesën e Koalicionit për Familje, ndërsa PZAP-ja ia shqipton edhe gjobën tjetër në vlerë prej 7600€

Gjykata Supreme e ka rrëzuar sot ankesën e Koalicionit për Familje kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta gjobitur këtë subjekt politik shkaku i gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI+. Ndërsa të dielën, pas ankesës së paraqitur nga CEL Kosova dhe Dylberizm, PZAP-ja ia shqiptoi edhe një gjobë tjetër në vlerë prej 7.600 EUR Koalicionit për Familje për shkak të nxitjes dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes kundër dylberave.

Gjykata Supreme ka nxjerrë sot vendimin e radhës ku ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e subjektit politik Koalicioni për Familjen dhe e detyron këtë koalicion që gjobën ta paguaj në afat prej 15 ditëve.

Arsyeja që e ka dhënë gjykata për hedhjen e kësaj ankese është se gjoba nuk kalon vlerën prej 5.000 EUR, sa është minimumi i gjobës ndaj të cilit mund të ushtrojnë ankesë palët sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës mund të paraqitet brenda dyzet e tetë (48) orëve nga pranimi i vendimit të PZAP-së, në rast se gjoba e përfshirë është më e lartë se pesë mijë EUR (5.000 €)”, shkruhet ne vendimin e gjykatës.

Kurse të dielën, PZAP-ja ka pranuar si të bazuar ankesën e organizatave CEL Kosova dhe Dylberizm ndaj Koalicionit për Familjen për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes, të cilët kanë bërë deklarata të cilat përmabjnë gjuhë nxitëse dhe stigmatizuese ndaj dylberave dhe i ka shqiptuar dënimin me gjobë në lartësi prej 7.600 EUR.

Ashtu si në gjobitjet paraprake nga PZAP, edhe në këtë vendim thekson se “Kodi i Mirësjelljes i detyron të gjitha subjektet politike, kandidatët, anëtarët e subjekteve dhe mbështetësit e tyre që ta respektojnë këtë kod me qëllim të krijimit të kushteve që gjatë periudhës se fushatës, veprimet e subjekteve politike të jenë në një atmosferës të tolerancës, demokracisë, paqes dhe respektit të sundimit të ligjit”.

PZAP-ja ka vlerësuar faktin se deklaratat e kandidatëve Eman Rrahmani dhe Asdren Bytyqi janë të postuara në rrjetin social Facebook, prandaj sipas Panelit, përdorimi i gjuhës së tillë ka për qëllim ofendimin, denigrimin dhe njëherit shihen si shprehje me ngjyrime përçmuese.

Njashtu, PZAP thekson se përdorimi i fjalëve si “turp” dhe “marre” për të sulmuar individë, grupe ose organizata të caktuara, mund të krijojnë një atmosferë të pasigurt dhe të ndarë, duke shkelur parimet e një fushate pozitive dhe të respektueshme.

Vendimin e plotë e gjeni këtu.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top