Rusia shqyrton krijimin e regjistrave për të gjurmuar dylberat dhe punonjëset e seksit
Që nga fillimi i vitit të kaluar Rusia e ka shqyrtuar krijimin e bazave të të dhënave për të gjurmuar anëtarët e komunitetit LGBTIQ+ dhe punonjëset e seksit në Rusi. Por, Ministria e Brendshme e Rusisë nuk e ka gjetur rrugën për ta bërë këtë, pasi është prekur nga shterimi i resurseve njerëzore që po shkaktohet nga largimi i stafit të saj për të luftuar në Ukrainë, ka gjetur në një hulumtim i publikuar të hënën në gazetën e pavarur ruse të lajmeve Meduza.
Duke cituar burime anonime si brenda Ministrisë së Brendshme, ashtu edhe pranë saj, Meduza shkroi se që nga pranvera e vitit 2024 ishin zhvilluar diskutime për krijimin e një databaze. Kjo gazetë ka shkruar se ideja ishte për t’i gjurmuar “me shkallë të gjerë” anëtarët e asaj që Rusia e quan “lëvizja ndërkombëtare LGBT” – e që Gjykata Supreme e ndaloi duke e shpallur “organizatë ekstremiste” në vitin 2023.
Në vitin 2024, policia kreu të paktën 42 bastisje në vende miqësore për dylberat në të gjithë Rusinë, derisa klientët shpesh detyroheshin të shtriheshin në dysheme për orë të tëra, gjatë kontrollit të dokumenteve të tyre, thuhet në një hulumtim të agjencisë së pavarur të lajmeve Current Time dhe organizatës së të drejtave të njeriut Sphere.
Krahas listave të individëve LGBTIQ+, ministria planifikoi gjithashtu të krijonte një databazë të dhënash të ngjashme për punonjëset e seksit, që “mund të jetë edhe publike” për ta lejuar këdo që të “kontrollojë një mike apo të fejuar”, tha burimi i Ministrisë së Brendshme.
Sidoqoftë, nuk është e qartë se si do të funksiononte evidentimi i punonjësve të seksit në databazë. Puna e seksit është e përhapur në Rusi, por është edhe ilegale. Asnjë databazë tash për tash nuk është krijuar zyrtarisht shkaku i mungesës së financimit, por edhe sepse ministrisë i mungon stafi – meqë policë të shumtë, siç tha një burim i Meduza në ministri, po e lënë punën duke iu bashkuar ushtrisë ruse në Ukrainë.