Supremja rrëzon ankesën e Koalicionit për Familje
Gjykata Supreme e ka rrëzuar ankesën e Koalicionit për Familje kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta gjobitur këtë subjekt politik shkaku i gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI+. Me aktvendim e nxjerrë të enjten, Supremja e hodhi poshtë ankesën për gjobën e parë që PZAP-ja ia shqiptoi Koalicionit gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit duke e shpallur atë të palejuar.
“Hedhet si e palejuar ankesat e Subjektit Politik, Koalicioni për Familje, me seli në Prishtinë, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, A.nr.70/2025, të datë 22.01.2025”, thuhet në aktvendim.
Arsyeja që e ka dhënë gjykata për hedhjen e kësaj ankese është e thjeshtë – gjoba është nën 5.000 euro, sa është minimumi i gjobës ndaj të cilit mund të ushtrojnë ankesë palët sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Pra me qenë se vendimi i PZAP-së i referohet gjobës e cila është më e vogël se limiti i përcaktuar sipas nenit 118.4 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, për këtë arsye Gjykata e hodhi poshtë ankesën si të palejuar”, shkruhet në aktvendim.
Efekti ligjor i hedhjes së ankesës është që Koalicioni obligohet ta paguajë gjobën prej 4.500 eurosh të cilën PZAP-ja ia shqiptoi Koalicionit për Familje për gjuhën anti-LGBTI+ në tubimin e mbajtur më 17 janar në Pejë. Afati që ia ka dhënë PZAP-ja për ta paguar gjobën është data 6 shkurt.
Vendimi i PZAP-së i nxjerrë më 22 janar vjen si rezultat i ankesës të Qendrës për Liri dhe Barazi – CEL Kosova dhe OJQ Dylberizm. Kandidatët e Koalicionit për Familje kanë dezinformuar publikun duke deklaruar se Paneli i ka gjobitur për shkak se e kanë kundërshtuar martesat e personave të të njëjtit seks. Por, kjo është e pavërtetë dhe e pasaktë. Paneli në vendimin vlerësoi se sjelljet e Koalicionit bien ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe se gjuha e përdorur paraqet elemente të nxitjes së urrejtjes dhe cenim të drejtave LGBTI+.
PZAP-ja gjykoi që “gjuha e përdorur nga subjekti politik Koalicioni për Familjen ndaj LGBTI+ në tubimet zgjedhore, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, gjegjësisht me dispozitat e nenit 34 LZP-së (Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme) ku janë të përcaktuara veprimet e ndaluara të subjekteve politike dhe me këto veprime janë shkelur dispozitat e nenit 34 paragrafi 1 nën paragrafi 1.11 të LZP-së”.
Paneli i përbërë nga gjyqtarët Hajriz Hoti, Kujtim Pasuli (kryetar i PZAP-së) dhe Bujar Muzaqi, konstatoi se Koalicioni për Familjen, ka përdorur qëllimshëm gjuhën e urrejtjes, fyerjen dhe denigrimin e komunitetit LGBTI+ në fushatën e saj zgjedhore dhe shkelje të ligjit e akteve nënligjore.
“Në këtë rast është marrë për bazë konteksti dhe qëllimi për të cilin është përdorur gjuha ndaj një komuniteti, faktin që deklaratat janë bërë në miting publik, audiencën, andaj sipas Panelit përdorimi i gjuhës së tillë ka për qëllim ofendimin, denigrimin dhe njëherësh shihen si shprehje me ngjyrime përçmues ose nënvlerësuese. Rregullat që rregullojnë fushatën zgjedhore kërkojnë nga subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre të shmangin përdorimin e gjuhës fyese, denigruese dhe urrejtëse, andaj sipas Panelit përdorimi i kësaj gjuhe nga kandidatët për deputet është shkelur etika zgjedhore dhe standardet e sjelljes në fushatë zgjedhore. Sjellja e tillë minon procesin demokratik dhe promovimin e zgjedhjeve të lira e të drejta. PZAP, me rastin e shqiptimit të gjobës ka marrë për bazë kontekstin se deklarata është bërë në fushatë zgjedhore dhe se fjalitë e përdora i referohen grupeve të caktuara dhe si të tilla përmbajnë elemente të nxitjes së urrejtjes, diskriminimi dhe cenim të drejtave të grupeve që u është referuar”, shkruhet në vendimin e PZAP-së.
Paneli konstatoi se Kodi i Mirësjelljes i detyron të gjitha subjektet politike, kandidatët, anëtarët e subjekteve dhe mbështetësit e tyre që ta respektojnë këtë kod me qëllim të krijimit të kushteve që gjatë periudhës së fushatës, veprimet e subjekteve politik të jenë në një atmosferë të tolerancës, demokracisë, paqes dhe respektit për sundimin e ligjit.
Në ankesën e përbashkët të CEL Kosova dhe Dylberizm, të parashtruar më 19 janar, thuhej se kandidatët e këtij subjekti gjatë tubimit të mbajtur në Pejë, si dhe në paraqitjet e tyre në programet televizive kanë bërë disa shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, Kodit të Mirësjelljes, Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Tri gjobat e shqiptuara nga PZAP-ja ndaj Koalicionit për Familje si rezultat i ankesave të dy organizatave joqeveritare kanë arritur shumën prej 16.500 eurosh.