Tu e lexu qitash
Rritet fatura e homofobisë për Koalicionin për Familje në 16,500 euro

Rritet fatura e homofobisë për Koalicionin për Familje në 16,500 euro

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka shqiptuar tri gjoba ndaj Koalicionit për Familje që arrijnë shumën e përgjithshme prej 16.500 eurosh – për deklaratat kundër komunitetit LGBTI+.

PZAP-ja e ka shqiptuar sot gjobën e tretë ndaj Eman Rrahmanit, Laureta Rexha, Asdren Bytyqit, Jeton Haxhimustafa, Ferid Aganit, Fatmir Smajlit dhe Visar Korenica në vlerë prej 7.000 eurosh. Të trija gjobat vijnë si pasojë e ankesave të organizatave jo-qeveritare CEL Kosova dhe Dylberizm për nxitje të urrejtjes nga ky koalicion ndaj personave LGBTI+.  Paraprakisht, Paneli shqiptoi gjobë me vlerë 5.000 euro më 25 janar, ndërsa më 22 janar sanksionoi Koalicionin e udhëhequr nga Eman Rrahmani me 4.500 euro. Në vendimin e nxjerrë sot, me datë 28.01.2025, me panelin e përbërë nga gjyqtarët: Violeta Husaj Rugova kryesuese, Kujtim Pasuli dhe Ramush Bardiqi anëtarë, konstatohet se:

“…gjuha e përdorur nga subjektit politik Koalicioni për Familjen, përkatësisht, nga kandidatët për deputet të këtij subjekti, ndaj LGBTI+ në rrjetin social Facebook, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, përkatësisht, me dispozitat e nenit 34 paragrafi 1, pika 1.11, të L.ZP-së, ku janë të përcaktuara veprimet e ndaluara të subjekteve politike. Në këtë rast është marrë për baze konteksti dhe qëllimi për të cilin është përdorur gjuha ndaj një komuniteti, faktin qe deklaratat janë publikuar ne rrjetin social Facebook, prandaj sipas Panelit, përdorimi i gjuhës së tillë ka për qëllim ofendimin, denigrimin dhe njëherit shihen si shprehje me ngjyrime përçmuese ose nënvlerësuese.”

Sipas vendimit, Paneli, me rastin e vendosjes së lartësisë se dënimit ka marrë parasysh të gjitha rrethanat si në vijim: natyrën e shkeljes dhe ndikimit të mundshëm të saj në procesin zgjedhor në fjalë, shkallën dhe peshën e shkeljes, shkeljet e rregullave zgjedhore në fuqi që ka bërë subjekti në fjalë në këto zgjedhje përkatësisht faktin se i njëjti subjekt edhe dy raste të mëhershme në këtë fushatë zgjedhore është dënuar për përdorim të gjuhës së urrejtjes, por përkundër kësaj ka vazhduar me përsëritjen e shkeljes.

Në të trija këto vendime dënuese, gjyqtarët që ishin anëtarë të paneleve të cilat vendosën mbi ankesat, konstatuan se deklaratat e kandidatëve për deputetë të Koalicionit për Familje janë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet, Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, etikën e zgjedhjeve dhe standardet e mirësjelljes për një garë në frymë demokratike. Në arsyetimin e këtyre vendimeve thuhet Paneli ka identifikuar përdorim të gjuhës fyese, denigruese dhe se deklaratat e Koalicionit për Familje përmbajnë nxitje të urrejtjes ndaj personave LGBTI+, si dhe cenim të të drejtave LGBTI+. Sjelljet e tilla, sipas PZAP-së, minojnë procesin demokratik dhe promovimin e zgjedhjeve të lira e të drejta.

Vendimin e plotë të PZAP-së e gjeni këtu.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top