PZAP gjobit Koalicionin për Familje me 5000 euro për nxitje të urrejtjes anti-LGBTI+
Koalicioni për Familje ka marrë gjobën e dytë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për përdorimin e gjuhës së urrejtjes kundër dylberave.
Pas ankesës së paraqitur nga Dylberizm dhe CEL Kosova kundër Koalicionit për Familje, për shkak të nxitjes dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes kundër dylberave, PZAP të shtunën i shqiptoi gjobë këtij subjekti politik në lartësi prej 5000 eurosh.
PZAP-ja gjeti se gjuha e përdorur nga subjekti politik Koalicioni për Familjen, përkatësisht, nga kandidati i këtij subjekti, Jeton Haxhimustafa, ndaj LGBTI+ në rrjetin social në Facebook, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, përkatësisht, me dispozitat e nenit 34 paragrafi 1, pika 1.11, të LZP-së, ku janë të përcaktuara veprimet e ndaluara të subjekteve politike.
Jeton Haxhimustafa nga Koalicioni për Familje me datë 22 janar ka reaguar publikisht në profilin e tij në Facebook ndaj gjobës së parë të ndarë nga PZAP-ja ndaj këtij subjekti politik, duke deklaruar:
Në këtë rast, PZAP ka marrë për bazë kontekstin dhe qëllimin për të cilin është përdorur gjuha ndaj një komuniteti, faktin që deklaratat janë publikuar në rrjetin social Facebook, prandaj sipas Panelit, përdorimi i gjuhës së tillë ka për qëllim ofendimin, denigrimin dhe shihen si shprehje me ngjyrime përçmuese ose nënvlerësuese.
Po ashtu, Paneli konstatoi se Kodi i Mirësjelljes i detyron të gjitha subjektet politike, kandidatët, anëtarët e subjekteve dhe mbështetësit e tyre që ta respektojnë këtë kod me qëllim të krijimit të kushteve që gjatë periudhës së fushatës, veprimet e subjekteve politik të jenë në një atmosferë të tolerancës demokracisë, paqes dhe respektit për sundimin e ligjit.
Pas deklaratave publike të kandidatit Jeton Haxhimustafa nga Koalicioni për Familje, më datën 23 janar, Organizatat Joqeveritare Dylberizm dhe CEL Kosova parashtruan ankesë kundër këtij subjekti politik.
Pas shqiptimit të gjobës së dytë, Koalicioni për Familje është gjobitur në total me 9,500 euro nga PZAP për nxitje të urrejtjes anti-LGBTI+ nga kandidatës e saj përgjatë fushatës zgjedhore që po zhvillohet në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Vendimin e plotë të PZAP-së e gjeni këtu.