Tu e lexu qitash
PZAP gjobit Koalicionin për Familje për përdorim të gjuhës anti-LGBTI+

PZAP gjobit Koalicionin për Familje për përdorim të gjuhës anti-LGBTI+

Koalicioni për Familje ka marrë gjobën e parë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për përdorimin e gjuhës së urrejtjes kundër dylberave. Pas ankesës së paraqitur nga CEL Kosova dhe Dylberizm kundër Koalicionit për Familje, për shkak të nxitjes dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes kundër dylberave, PZAP të mërkurën i shqiptoi gjobë këtij subjekti politik në lartësi prej 4.500 eurosh. PZAP-ja vlerësoi se sjelljet e Koalicionit bien ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. 

Po ashtu, Paneli konstatoi se Kodi i Mirësjelljes i detyron të gjitha subjektet politike, kandidatët, anëtarët e subjekteve dhe mbështetësit e tyre që ta respektojnë këtë kod me qëllim të krijimit të kushteve që gjatë periudhës së fushatës, veprimet e subjekteve politik të jenë në një atmosferë të tolerancës demokracisë, paqes dhe respektit për sundimin e ligjit.

Andaj, PZAP gjeti se “gjuha e përdorur nga subjektit politik Koalicioni për Familjen ndaj LGBTI+ në tubimet zgjedhore, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, gjegjësisht me dispozitat e nenit 34 LZP-së (Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme) ku janë të përcaktuara veprimet e ndaluara të subjekteve politike dhe me këto veprime janë shkelur dispozitat e nenit 34 paragrafi 1 nën paragrafi 1.11 të LZP-së”.

Paneli në kryesim të gjyqtarit Hajriz Hoti, konstatoi se Koalicioni për Familjen, ka përdorur qëllimshëm gjuhën e urrejtjes, fyerjen dhe denigrimin e komunitetit LGBTI+ në fushatën e saj zgjedhore dhe shkelje të ligjit e akteve nënligjore.

“Në këtë rast është marrë për bazë konteksti dhe qëllimi për të cilin është përdorur gjuha ndaj një komuniteti, faktin qe deklaratat janë bërë në miting publik, audiencën, andaj sipas Panelit përdorimi i gjuhës së tillë ka për qëllim ofendimin, denigrimin dhe njëherit shihen si shprehje me ngjyrime përçmues ose nënvlerësuese. Rregullat që rregullojnë fushatën zgjedhore kërkojnë nga subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre të shmangin përdorimin e gjuhës fyese, denigruese dhe urrejtëse, andaj sipas Panelit përdorimi i kësaj gjuhe nga kandidatet për deputet është shkelur etika zgjedhore dhe standardet e sjelljes në fushate zgjedhore. Sjellja e tillë minon procesin demokratik dhe promovimin e zgjedhjeve të lira e të drejta. PZAP, me rastin e shqiptimit te gjobës ka marrë për bazë kontekstin se deklarata është bërë në fushatë zgjedhore dhe se fjalitë e përdora i referohen grupeve të caktuara dhe si të tilla përmbajnë elemente të nxitjes së urrejtjes, diskriminimi dhe cenim të drejtave të grupeve që u është referuar”, shkruhet në vendimin e PZAP-së.

Më datën 19 janar, Organizatat Joqeveritare CEL Kosova dhe Dylberizm parashtruan ankesë kundër deklaratave të kandidatëve të Koalicionit për Familje. Në këtë ankesë shkruhej se kandidatët e këtij subjekti gjatë një tubimit, si dhe në paraqitjet e tyre në programet televizive kanë bërë disa shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, Kodit të Mirësjelljes, Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Po ashtu në këtë ankesë thuhej se veprimet e kandidatëve përfshijnë përdorimin e gjuhës nxitëse dhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBTI+, promovimin e përçarjes dhe frikës mes qytetarëve të Kosovës, si dhe nxitjen e urrejtjes përmes përmbajtjes gojore dhe vizuale.

Vendimin e plotë të PZAP e gjeni këtu.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top