Arti i qenies: Bozho Vreqo mbi muzikën, dashninë dhe çlirimin
Bozho Vreqo, sinonim i artit t’pabindun ndaj rregullave, e zbukuroi Prishtinën me praninë e tij gjatë edicionit t’dytë të Festivalit Queer t’Prishtinës, që u mbajtë me 6, 7 dhe 8 shtator 2024. Tu performu si ylli kryesor në natën e hapjes së festivalit, artisti boshnjak la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm me zanin e tij të pakrahasueshëm, por edhe nëpërmjet rrëfimit t’tij me plot zemër dhe filozofisë së thellë. Në nji intervistë intime me Dylberizm, Bozho dha nji vështrim t’rrallë t’zemrës dhe t’mendjes t’nji artisti që kapërcen kufijtë edhe që e fol gjuhën universale t’lirisë.
Qysh prej fillimit, lidhja e Bozhos me Prishtinën dhe audiencën e saj u kon’ e dukshme. “Osht’ hera jem e parë këtu”, ndau ai, me zanin e tij me plotë emocione. “Po nij shumë dashni, shumë kurajo edhe shumë krenari, sepse osht’ diçka që m’shtyn me u bo ma i mirë, ma i guximshëm dhe ma i veçantë”. Kjo ndjenjë e përmbledh thelbin e artit të Bozhos – nji angazhim i patrembun për autenticitet që rezonon thellë me audiencën n’mbarë botën.
N’qendër t’mesazhit t’Bozhos osht’ ideja e t’jetumit pa kufizime. Ai e sheh jetën si rrugëtim shpirtnor, që udhëhiqet prej besimit që liria, e shkputun prej pritshmërive të shoqnisë, osht’ shprehja përfundimtare e njerëzimit.
“E kur nuk ki asnji kufi ose mur përreth teje, nuk je me nji formë specifike. Je nji formë e përtejshme e lirisë edhe qajo liri tërhjek shumë njerz”, shpjegoi ai. Për Bozhon, kjo filozofi nuk osht’ thjesht teorike. Ajo jetohet dhe shprehet n’çdo notë që e knon e n’çdo ndërveprim që e bon. Muzika e tij bohët nji platformë e qasaj lirie, tu e kriju nji hapsinë ku audienca ftohet me reflektu, me u lidhë edhe nashta ma e randsishmja – me i përqafu t’vërtetat e veta.
Bozho tregoi nji histori veçanërisht prekëse të nji ish-kritiku, i cili, masi përjetoi muzikën e tij, u shëndrru në fans t’zjarrtë. “Nuk knoj veç për njerëzit që m’dojnë edhe që mbështesin edhe m’kuptojnë”, tha Bozho. “Nëse e ndrroj veç nji person prej ni milion vetve, ia kam dalë”. Kjo anekdotë ilustron fuqinë transformuese t’artit t’Bozhos që i then barrierat dhe nxit ndjeshmërinë edhe n’vendet ku pritet mas paku.
Procesi i tij krijues, qysh tregon Bozho, osht’ nji ekuilibër delikat i realitetit dhe imagjinatës. “Jetoj gjithmonë me njanën kambë n’botën reale dhe me tjetrën n’nji botë imagjinare,” thotë ai. Osht’ ky dualitet – i rrënjosun n’pikëllimin e thellë e n’dashninë e pathyshme – që përcakton muzikën e tij, veçanarisht qasjen e tij ndaj Sevdah. Për Bozhon, Sevdah osht’ ma shumë se veç nji zhanër muzikor; osht’ nji mënyrë e mbijetesës, nji “kangë mbijetese” që mbart peshën e nostalgjisë, mërzisë e qëndresës.
Planet e Bozhos shtrihen përtej koncerteve t’tij. Ai tregoi detaje t’librit t’tij t’ardhshëm, Lacrimarum, t’cilin e përshkrun si nji koleksion thellësisht personal t’msimeve dhe emocioneve t’jetës t’tij.”Çdo kapitull i librit osht’ nji prej lotëve t’mi”, shpjegon Bozho. “Ka t’boj me ato qysh me mbijetu, qysh me kon’ ai që je dhe me vazhdu me kon’ ai që je.” Përveç kësaj, albumi i tij i shtatë i pritun me padurim, Sevdahology, që ka me u lansu shumë shpejtë, premton me grry hala ma thellë “n’shkencën” dhe shpirtin e Sevdah.
Besimi i Bozhos n’fuqinë e dashnisë dhe autenticitetit shërben si nji dritë udhëzuese për shumë njerëz. “Kurrë mos u tutni prej asaj se kush jeni” porosit ai. “Kur e pranoni veten, krejt kanë me ja u pranu veten e juj”. Fjalt e tij, si muzika e tij, jon testament i shpirtit t’qëndrueshëm njerëzor dhe nji thirrje për me jetu jetën pa marre.
Prania e Bozho Vreqos n’Festivalin Queer t’Prishtinës u kon’ me t’vërtetë transformuese. Zani i tij, si fjalë për fjalë ashtu edhe metaforikisht, i bani jehonë misionit t’festivalit për me e festu identitetin, qëndrueshmërinë dhe mundsitë e pakufishme t’vetë-shprehjes. Për ata që lypin frymzim, intervista e plotë me Bozho Vreqon ofron nji thesar urtësie artistike.
Kqyreni bisedën e plotë në kanalin e Dylberizm n’YouTube dhe hini n’botën e Bozho Vreqos – nji botë ku muzika osht’ liri, dashnia osht’ universale dhe ku mbretnon autenticiteti!