Fitoret e dylberave përgjatë vitit 2024
Nga vendosja e ndalimeve për të ashtuquajturën terapi të konvertimit deri te prezantimi i reformave që lehtësojnë ndryshimet më të lehta për shënuesit gjinorë, këtu janë disa nga fitoret e dylberave anembanë botës përgjatë vitit 2024.
Me fillim të vitit në janar, Parlamenti i Greqisë miratoi një projektligj që lejon martesat civile të të njëjtit seks, në një fitore historike për të drejtat LGBTQ+ që u prit me brohoritje nga shikuesit në parlament dhe dhjetëra të mbledhur në rrugët e Athinës. Ligji u jep çifteve të të njëjtit seks të drejtën për t’u martuar dhe birësuar fëmijë dhe vjen pas dekadash fushate nga komuniteti LGBTQ+ për barazinë martesore duke e bërë Greqinë një nga vendet e para krishtere ortodokse që lejon bashkime të tilla.
Në shkurt, një gjykatë japoneze miratoi ndryshimin ligjor të gjinisë së një burri transgjinor pa kërkuar më parë sterilizimin, duke shënuar një hap të madh për të drejtat e personave transgjnor në Japoni. Japonia bëri një hap tjetër drejt barazisë në 2024 kur Gjykata e Lartë në Sapporo vendosi se rregullat e kodit civil që kufizojnë martesën te çiftet e seksit të kundërt, janë “jokushtetuese” dhe “diskriminuese”. Ligji ekzistues, shkruan gjyqtarët, duhet të rishikohet ose të rishkruhet për të përfshirë lloje të tjera sindikatash përveç atyre në mes të një burri dhe një gruaje.
Poashtu në mars, Parlamenti i Tajlandës votoi me shumicë dërrmuese në favor të projektligjit për martesat mes seksit të njëjtë, me 400 vota pro dhe vetëm 10 kundër. Projektligji ka kaluar në qershor dhe është dekretuar përfundimisht edhe nga mbreti i Tajlandës, duke u bërë vendi i parë i Azisë Juglindore që njeh martesën mes seksit të njëjtë dhe vendi i tretë aziatik që legalizon martesat mes personave të të njëjtin seks.
35 Organizata të shoqërisë civile bënë një lëvizje historike për të mbrojtur të drejtat e njeriut të personave interseks, ndërsa Këshilli i të Drejtave të Njeriut në prill miratoi rezolutën e parë që adreson në mënyrë specifike diskriminimin, dhunën dhe praktikat e dëmshme ndaj personave me variacione të lindura në karakteristikat seksuale. Rezoluta – e prezantuar nga Finlanda, Afrika e Jugut, Kili dhe Australia – inkurajon shtetet të “punojnë për të arritur standardin më të lartë të shëndetit fizik dhe mendor” për personat interseks.
Më 12 prill, parlamenti i Gjermanisë miratoi një “Ligj të vetëvendosjes” që personat trans dhe jobinarë 14 vjeç e lart ta kenë më të lehtë ta ndryshojnë ligjërisht emrin dhe gjininë e tyre. Më parë, personat që dëshironin të ndryshojnë ligjërisht gjininë e tyre duhej të përballeshin me një ‘ligj transeksual’ 40 vjet të vjetër në Gjermani, i cili kërkonte që personat trans të merrnin vlerësime nga ekspertë mjekësorë “të njohur mjaftueshëm me problemet e veçanta të transseksualitetit”.
Poashtu në prill, Gjykata e Lartë e Dominikës ka hedhur poshtë një ndalim për marrëdhëniet konsensuale të të njëjtit seks në një prej ishujve të Karaibeve. Gjykata vendosi se pjesë të një ligji që kriminalizon marrëdhëniet mes të njëjtit seks bien ndesh me kushtetutën e vendit. Aktivistët LGBTQ+ e mirëpritën vendimin, duke e festuar atë si “një moment historik i rëndësishëm në luftën e vazhdueshme për të drejtat e personave LGBTQ+ në Karaibe”, duke dekriminalizuar përfundimisht mardhëniet konsensuale ndërmjet të rriturve të të njëjtit seks.
Të premten e 17 majit në tarasën e Bashkisë së Tiranës, Edlira dhe Alba, bëhen lezbiket e para që kurorëzojnë dashurinë e tyre në Shqipëri, duke dorëzuan kërkesën në gjendjen civile që martesa e tyre te njihet edhe ligjërisht. Kërkesën e tyre e mbështetë Kushtetuta e Shqipërisë me nenin 53 ku thotë se “kushdo ka të drejtë të martohet”, edhe pse Kodi i Familjes në Shqipëri nuk i njeh martesat e të njëjtit seks, por vetëm mes çifteve heteroseksuale.
Maji shënoi edhe një fitore të rëndësishme për dylberat e Lihtenshtajnit! Parlamenti në kombin evropian – votoi me 24 vota pro 1 kundër në mbështetje të barazisë martesore, duke u bërë vendi i fundit gjerman folës që legalizoi martesat e të njëjtit seks me një vendim pothuajse unanim. Vendi alpin, me një popullsi prej pak më shumë se 39,000 (sipas të dhënave të vitit 2022), fillimisht bëri të mundur që çiftet e të njëjtit seks të regjistrojnë partneritete ligjore në vitin 2011, duke u lejuar atyre disa nga të drejtat e njëjta si çiftet heteroseksuale.
Një fitore tjetër historike për komunitetin LGBTIQ+ dhe të drejtat e njeriut u shënua në kontinentin afrikan në qershor, kur Gjykata e Lartë në Windhoek, kryeqytetin e Namibisë, rrëzoi dy ligje të epokës koloniale që kriminalizojnë marrëdhëniet seksuale mes personave të të njëjtit seks. Aktivistët e të drejtave thonë se megjithëse dënimet ishin relativisht të rralla, ato kanë legjitimuar diskriminimin ndaj komunitetit LGBTIQ+ dhe kanë bërë që burrat gej të jetojnë nën frikën e arrestimit.
Ndërkaq në Korenë e Jugut në korrik, Gjykata Supreme ka konstatuar se është diskriminuese që çiftet e seksit të njëjtë të trajtohen ndryshe nga ato heteroseksuale. Supremja ua ka njohur të drejtën për sigurim shëndetësor bashkëshortor një çifti gej, që pritet të ketë efekte madhore në të drejtat e dylberave në shtetin e Azisë lindore. AFP ka shkruar po ashtu se vendimi sipas aktivistëve i hap rrugë njohjes ligjore të bashkësive civile.
Rreth 180.000 njerëz u mblodhën më 26 tetor në Taipei për paradën më të madhe të Krenarisë në Azi. Parada e Krenarisë në Tajvan u mbajt disa muaj pasi të drejtat e adoptimit të fëmijëve u njohën edhe për çiftet e të njëjtit seks në vend, të drejta këto, që janë në ballë të luftës për të drejtat e dylberave në Azi. Zëvendëspresidenti tajvanez Lai Ching-te u bë zyrtari më i lartë që iu bashkua marshit, i cili për herë të parë u mbajt në shtetin e Azisë Juglindore para 21 vjetësh.
Ndonëse rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA të mbajtura në nëntor kanë ndikuar negativisht në shëndetin mendor të dylberave amerikanë, ato shënuan histori kur Sarah McBride u zgjodh përfaqësuesja e ardhshme e Delaware në Kongres, duke e bërë atë personin e parë transgjinor të zgjedhur në zyrën federale në historinë e Shteteve të Bashkuara. McBride, demokrate dhe ligjvënëse aktuale e shtetit, e mundi republikanin John Whalen në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në SHBA.
Në fund të muajit nëntor, Akkai Padmashali, grua transgjinore nga India, ka fituar të drejtën për të marrë pasaportë për djalin e saj pesë vjeçar pa e përfshirë emrin e babait të fëmijës. Pasaporta e re e fëmijës së saj, e njeh edhe Padmashalin si nënë të djalit të saj që e adoptoi para disa vitesh. Kjo është fitore, si për gratë transgjinore ashtu edhe për nënat beqare në shtetin aziatik.
Ndërkaq, modelja e njohur botërore Alex Consani ka hyrë sërish në histori. Kësaj here, ajo u bë gruaja e parë transgjinore që fiton ‘Modelja e Vitit’ në Fashion Awards 2024 të mbajtur në fillim të dhjetorit. Consani ka lënë shenjë në botën e modës duke u bërë një nga dy modelet e para trans që kanë parakaluar në shfaqjen e modës së Victoria’s Secret.
Mes rrëmujës së rrugës më të ngarkuar të Varshavës, muzeu i parë i dylberave u hap së fundi në Poloni. Dylberat e kanë quajtur moment historik edhe pse ata po ende luftojnë për të drejtat e tyre ligjore. Me vendndodhje në mes një qebaptoreje dhe një dyqani me rroba të përdorura, muzeu ka rreth 150 artefakte që rrëfejnë rrugëtimin e luftës për njohje të lëvizjes së dylberave në Poloni.
Harku i gjatë i historisë tregon për përparim të rëndësishëm kur bëhet fjalë për avancimin e të drejtave të dylberave. Përtej titujve dhe shprehjes vokale të homofobisë politike, viti 2024 ka parë shumë raste përparimi në mbarë botën, dëshmi për këmbënguljen e aktivistëve, ndryshimin e ligjeve diskriminuese, rolin e gjyqësorit të pavarur dhe përparimet e bëra nga ligjvënësit dashamirës.
Vazhdojmë me fitoret e radhës në 2025!