Ndërtimi i strehimores për dylbera osht’ urgjencë sociale, mungesa e saj – cenim i të drejtave të njeriut
Sot n’Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, kërkojmë me u përmbush përgjegjësia institucionale për ndërtimin e strehimores së dylberave. As ma pak, as ma shumë! Realizimi i kërkesës tonë osht’ parakusht për me u jetësu e drejta për liri e siguri për krejt dylberat në Kosovë.
Shpija osht’ veni ku shumë njerz e gjejnë paqen, sigurinë e dinjitetin. Po për dylbera, shpija osht’ shpesh epiqendër e dhunës, trajtimit degradues e diskriminimit me bazë homofobinë e transfobinë. Komuniteti LGBTIQ+ vazhdon me përjetu dhunë n’shpi. Këtë dhunë n’shumicën e rasteve e përjeton në izolim e heshtje. T’rrezikum n’çdo hap prej shpërfaqjes së identitetit t’tyne e pa mundësi mu strehu, dylberat jon n’udhëkryq: ja nejtë n’ambient abuziv ja me përfundu n’rrugë.
N’shumë raste, niveli i abuzimit prej familjarëve kalon n’kërcënim serioz për jetë. Dylberat jon t’detyrum me lypë strehim te t’afërmit, shoqnia e te njerz tjerë. S’paku 17 herë, prej 2016-ës, dylberat prej Kosovës kanë gjetë strehim te “Streha” n’Shqipni, si pasojë e kësaj dhune.
Çdo ditë, n’adresat e organizatave tona, pranojmë mesazhe e kërkesa prej t’rive anëmbanë Kosovës, të cilët nuk kanë asnji person t’vetëm me folë shlirë. Shumë prej tyne jon 15 deri 20 vjeç, që për shkak t’ngacmimeve t’përditshme n’shkollë, abuzimit n’familje e gjuhës t’urrejtjes që e nijnë në publik, ata kanë tendenca për vetëlëndim e vetëvrasje. Deri sa ky numër po rritet dita ditës, ju ma shumë se kurrë, keni përgjegjësi shtetnore, profesionale e morale me i ndihmu dhe ofru mbrojtje t’rive t’këtij veni.
Na kërkojmë prej institucioneve me nda buxhet e me caktu hapësinën e përshtatshme ku strehimorja ka me u bo realitet!
Po bohen plotë gjashtë vjet, prej kur ton kohën lypim jetësimin e strehimores, po asaj as temeli s’ju ka qitë. Loja e pingpongut mes Qeverisë e Komunës t’Prishtnës me turli arsyetimi duhet me u kthy n’punë n’drejtim t’sigurimit t’drejtave bazike t’qytetarëve pa dallim prej orientimit seksual, identitetit gjinor a çfarëdo karakteristike tjetër personale.
I bojmë thirrje publike Komunës t’Prishtinës që përfundimisht me bo zgjidhje t’përshtatshme për pronën ku ka me u bo strehimorja e me ofru at zgjidhjen meniher! Osht’ koha për përgjegjësi e veprim!
I bojmë thirrje Ministrisë t’Drejtësisë që përfundimisht me inicu grupin punues ndërsektorial për me kthy n’realitet ofrimin e shërbimeve mbështetëse e t’strehimit për dylbera, qysh edhe parashihet në Strategjinë për Mbrojtje nga Dhuna n’Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026.
Ligji për Buxhetin i vitit 2025 nuk e parasheh me u ndërtu strehimorja. Po, qysh kanë ditë Qeveria e Kuvendi në vitin 2021 e 2022, me nda buxhet për strehimoren, duhët prapë me nda buxhet. Retorika e qeveritarëve e deputetëve për të drejtat e njeriut nuk osht’ boll për mi bo t’drejtat tona t’prekshme e t’qasshme.
Prandaj, i bojmë thirrje krejt akterëve politikë që vitin e ardhshëm kanë me kon’ pjesë e Qeverisë e Kuvendit që me nda buxhet për strehimoren për dylbera.
Nuk osht’ çashtje e sigunisë veç veriu i Kosovës. Çashtje e sigurisë publike osht’ edhe strehimorja. Sigunia e liria jon t’drejta bazike, me Kushtetutë t’Kosovës e me Konventë Evropiane për t’Drejtat e Njeriut. Ato mbesin veç copa letre nëse dinjitetin e t’drejtat e garantume nuk i gëzojmë praktikisht. Ndërtimi i strehimores për dylberat osht’ urgjencë sociale, e mungesa e saj – e drejtë e papërmbushun e njerit.
Raporti i sivjetshëm i BE-së për Kosovën e thekson që ndërtimi i strehimores për dylbera mbetet i pakrym. Këshilli i Evropës, ku Kosova don me u anëtarësu, e sheh si urgjencë sociale e t’drejtë t’papërmbushun të njeriut, mos-ndërtimin e Strehimores.
N’raportin e organizatës ndërkombëtare Amnesty International: “Nga letra në praktikë: Kosova duhet t’i përmbushë zotimet ndaj të mbijetuara të dhunës në familje” bohet thirrje për angazhim të institucioneve për strehimoren e dylberave.
N’vitin 2015, Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), ka bo publik nji raport ku dul që Kosova osht’ vendi me homofobinë ma n’naltë n’krejt Ballkanin, ku veç 3% e t’anketumve jon përgjigjë që e kishin pranu fminë e tyne si dylber, e 97% kanë thanë që nuk kishin me leju me jetu n’shpi tyne dylbera.
Mbrojta e respektimi i t’drejtave t’njeriut, sidomos t’grupeve t’cenueshme osht’ obligim kushtetues, për qata ju bojmë thirrje me qëndru n’detyrën e juj ligjore, e mi mbrojtë vlerat e kësaj Kushtetute!
Nëse asnjo prej këtyne thirrjeve t’paraqituna ma nalt nuk trajtohen me urgjencën që e meritojnë na ju sigurojmë që mobilizimi e presioni jonë kolektiv, veç ka me u rritë e me u shtu.
Respektona ekzistencën o’ pritna rezistencën!
DYLBERIZM
CEL Kosova
CSGD
SEKHMET
Fondacioni 17
Hyjneshat