Tu e lexu qitash
Këshilli i Evropës: Strehimorja LGBTIQ+ është urgjencë sociale dhe e drejtë papërmbushur e njeriut 

Këshilli i Evropës: Strehimorja LGBTIQ+ është urgjencë sociale dhe e drejtë papërmbushur e njeriut 

Këshilli i Evropës e sheh mos-ndërtimin e strehimores për personat LGBTIQ+ si mospërmbushje të obligimit të Kosovës për respektimin e të drejtave të njeriut. 
 

Në diskutimin “Krijimi i një strehimoreje për individët LGBTIQ+ në Kosovë që përjetojnë dhunë në familje”, i organizuar nga Dylberizm të premten me 6 dhjetor në kuadër të kampanjës 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me bazë Gjinore, shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Mary Ann Hennessey tha po ashtu se Komuna e Prishtinës dhe Qeveria duhet të tregojnë vullnet politik për ta ndërtuar meqë ajo është urgjencë shoqërore. 

“Nuk ka të bëjë me atë se kush është përgjegjës në bazë të cilit nen e cilit akt nënligjor po flasim për arritjen e disa standardeve të të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit në Kosovë… Strehimorja për LGBTIQ+ është urgjencë sociale dhe në këtë mënyrë duhet ta shohin edhe autoritetet publike. Është e drejtë papërbushur e njeriut që është urgjencë tani” 

Hennesy i bëri thirrje institucioneve të nivelit lokal dhe qendror që t’i shohin me prioritet të drejtat LGBTIQ+. Ajo theksoi qëndrimin e organizatës ndërkombëtare, ku Kosova synon të bëhet anëtare, se të drejtat e njeriut janë të patjetërsueshme dhe se të gjitha të drejtat duhet ta kenë prioritetin e njëjtë.  

“Si organizatë që vepron këtu, jemi të përkushtuar për respektimin e të drejtave dhe ndërtimin e mekanizmave që promovojnë të drejtat e secilit person dhe dua të jem e qartë në emër të zyrës sime, por edhe organizatës që përfaqësoj, Këshillit të Evropës, për të gjithë pjesëtarët e komunitetit që janë këtu se të drejtat e juve që jeni këtu nuk janë më pak të rëndësishme dhe më pak urgjencë se të drejtat e cilitdo grup që ka nevojë për strehimore dhe asistencë”, tha Hennesy.  


Në diskutimin me moderim të aktivistes feministe Valmira Rashiti, morën pjesë Nazlie Bala, këshilltare politike në Ministrinë e Drejtësisë, Blert Morina, drejtor i CEL Kosova, Adelajda Alikaj, drejtore e qendrës “Streha” në Shqipëri dhe Ivana Kostovska, menaxhere e qendrës “Safe House” në Maqedonisë së Veriut.

Në fund të këtij diskutimi, këshilltarja e ministres Albulena Haxhiu, Nazlie Bala, deklaroi se me ose pa përkrahjen e Komunës së Prishtinës, për ta ndarë hapësirën për strehimoren, strehorja për personat LGBTIQ+ që janë viktimë e dhunës në familje do të shndërrohet në realitet. 

“Strehimorja është pjesë e Strategjisë [për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna Ndaj Grave 2022-2026] dhe kjo strehimore duhet dhe do të jetësohet”, tha Bala. 

Ndërsa në fillim të diskutimit përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë e fajësoi Komunën e Prishtinës se nuk ka gjetur pronë të përshtatshme që ka objekt të gatshëm ose që ka hapësirë të përshtatshme për ndërtimin e strehimores. 

“Papërgjegjësia e nivelit të komunës është shqetësuese…Ka hapësira të mjaftueshme komuna për t’i ofruar…Nuk është Prishtina pa objekte. Ka objekte të mjaftueshme e nëse vetë komuna nuk ka Ndërmarrja Publike Banesore. Ka objekte të uzurpume, me vite e vite e vite të cilat mund të vihen në shfrytëzim”, tha Bala. 

Bashkëbiseduesit e panë Komunën e Prishtinës si përgjegjëse kryesore të zvarritjes realizimit të planit që dylberat të kenë strehimore në Kosovë. Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka dy vjet që nuk ka ndarë buxhet për ndërtimin e strehimores, por Bala tha se buxheti për strehimoret është rritur dhe se paratë mund të përdoren për ta mbështetur krijimin e strehimores. 
 

Kosova është i vetmi shtet në rajon pa strehimore për personat LGBTIQ+. Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë që nga viti 2016 kanë referuar persona LGBTIQ+ që kanë qenë në rrezik të lartë për jetë te strehimorja “Streha” në Tiranë. Që nga viti 2019 ata kanë kërkuar ndërtimin e strehimores në Kosovë. 

Drejtori i Qendrës për Liri dhe Barazi – CEL Kosova, Blert Morina, tha se deri më tani nuk kanë parë vullnet politik të institucioneve, sidomos të Komunës së Prishtinës për ta ndërtuar strehimoren për dylberat.

“Para dy vjetësh është ngritur kjo ideja që duhet ta merrni licencën sepse nuk mund ta ndërtoni objektin pa pasur licencë, mirëpo ajo që e kemi parë nga përgjigjet e ministrisë është se nuk mund ta marrësh licencën pa e parë që ai objekt i përmbush ato kritere e kushte. Ajo çka ne po insistojmë është që ministria dhe komuna të ulen bashkë sepse mendoj se këtu kemi të bëjmë me mos-komunikim mes institucioneve…Topi i pingponut herë hidhet te ministria e herë te komuna”, tha Morina. 


Morina tha po ashtu se dylberat që janë viktimë e dhunës në familje janë ata që detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre për në Shqipëri ose të jetojnë në mes të dhunës meqë Kosova nuk i ofron atyre strehimore. Në këto rrethana ushtruesit e dhunës qëndrojnë në shtëpi, kurse dylberat kërkojnë rrugëdalje jashtë vendit. Tha se organizatat në këto rrethana s’mund ta inkurajojnë as raportimin e dhunës në Policinë e Kosovës.  

“Nuk mundemi t’i inkurajojmë për t’i raportuar rastet, duke e ditur që ata persona në fund të ditës do të detyrohen të kthehen në ato familje që janë abuzive”, tha Morina. 

E drejtori i CSGD-së Arbër Nuhiu tha se Komuna e Prishtinës e ka sabotuar ndërtimin e strehimores për dylberat.

“Ka pasur njëfarë lloj sabotazhi për këtë pjesën e strehimores sepse në njërin nga takimet kur e kemi mbajtur bashkë me Blertin dhe me Komunën ata vetë e kanë vendosur një lokacion dhe na thanë që banorët e atij vendi e kanë kuptuar dhe nuk e dimë sa është e sigurtë të shkoni aty [për ta bërë strehimoren]. Pikë së pari ka qenë e çuditshme se si kanë mundur ta kuptojnë banorët e atij vendi kur s’ka pasur asgjë konkrete përvec bisedës në zyrë mes tre a katër personave”, tha Nuhiu.  

E Morina kujtoi se një prej propozimeve të Komunës ka qenë ndërtimi i strehimores në periferi.  

“Nuk mund të më dërgoni në një fshat që i ka 100 shtëpi dhe pastaj të besoj unë se mund ta ndërtoj strehimoren aty dhe se do të mbetet konfidenciale. Është e pamundshme”, tha ai. 

Adelajda Alikaj tha se “Streha” i ka pasur mbi 17 persona që kanë pasur rrezik të lartë për të jetuar në Kosovë që nga viti 2016. Ajo tha se edhe dylberat kosovarë që kanë gjetur strehë në Tiranë ballafaqohen me sfida në vazhdimësi. 

“Kemi të bëjmë me jetë njerëzish në momente shumë delikate… Çdo gjashtë muaj ne strehojmë një person që vjen nga Kosova… Mund të them që rruga është shumë e vështirë për një person që nuk është nga Shqipëria, duhet të bëhet me leje qëndrimi, shërbimet mjekësore nuk i akseson — do t’i duhet ta paguajë shërbimin shëndetësor… Për shumë kohë as nuk mund të punësohej pa një llogari bankare dhe as nuk mund të hapte llogari bankare nëse s’dilte leja e qëndrimit”, tha Alikaj. 

E Ivana Kostovska, nga Safe House në Shkup, tha se në Maqedoninë e Veriut strehimorja është përballur me burokraci së fundi dhe ato i ka rënduar pushteti aktual që e përshkroi si politikisht të djathtë. 

“Nuk na japin mbështetje si asistencë sociale, por në bazë të numrit të përfituesve të shërbimeve. Kriteri është që të gjithë ata që vijnë te ‘Safe House’ iu duhet ta raportojnë dhunën në qendër për punë sociale, në anën tjetër studimet na tregojnë që 86 për qind e atyre që përjetojnë dhunë nuk i besojnë institucioneve dhe nuk e raportojnë dhunën”, tha Kostovska. 

Komuna e Prishtinës, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se ndërtimi i strehimores ka rëndësi të veçantë. Ka shkruar po ashtu se kanë zhvilluar takime me organizatat. 

“Çdo shërbim që synon mbështetjen e grupeve të cenueshme është i një rëndësie të veçantë për ne, dhe për këtë arsye komunikimi ynë është i vazhdueshëm me të gjithë aktorët përkatës…Deri më tani, kemi zhvilluar dhjetëra takime dhe vazhdojmë të mbajmë kontakte me përfaqësuesit e organizatave që avokojnë për të drejtat e komunitetit LGBTI, duke synuar gjetjen e një zgjidhjeje sa më të përshtatshme, ku ata të ndihen të sigurt dhe të gatshëm për të ofruar shërbime sociale”, shkruhet në përgjigjen e komunës. 

Sidoqoftë, Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga kryetari Përparim Rama, nuk mori pjesë në këtë diskutim publik.

Ky aktivitet u organizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, përmes aksionit të përbashkët “Combating discrimination and hatred”, që është pjesë e programit të përbashkët “Horizontal Facility for the Western Balkans and Türkiye”. Pikëpamjet e shprehura këtu nuk mund të konsiderohen në asnjë mënyrë se pasqyrojnë opinionin zyrtar të Bashkimit Evropian ose të Këshillit të Evropës.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top