Tu e lexu qitash
Rritet numri i të infektuarve me HIV. E mira është që kemi qasje në trajtim dhe testim falas

Rritet numri i të infektuarve me HIV. E mira është që kemi qasje në trajtim dhe testim falas

29 raste të reja me HIV/AIDS janë raportuar në Kosovë nga janari deri në nëntor të vitit 2024. Pavarësisht se në krahasim me vitet e kaluara kjo është shifër e lartë, profesionistët shëndetësorë na rikujtojnë që si testimi, ashtu edhe trajtimi janë falas dhe të qasshëm. Si në Kosovë, ashtu edhe botërisht popullata heteroseksuale e përbën pjesën më të madhe të të infektuarve, por shumica e njerëzve që kanë rezultuar pozitiv në testin për HIV/AIDS sivjet janë vetëidentifikuar burra që bëjnë seks me burra

Murat Mehmeti, shef i repartit A të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tregon se 29 persona kanë rezultuar pozitiv me HIV/AIDS që nga janari.

“Kryesisht i takojnë komunitetit MSM (burrat që bëjnë seks me burra) dhe kjo nënkupton rritje te numrit krahasuar me vitet paraprake,” tregon po ashtu Mehmeti.

Numri i sivjetëm i të infektuarve paraqet numrin më të madh të identifikuar të paktën që nga 2017-a. Paraqet edhe rritje 16 për qind në raport me numrin e përgjithshëm të të infektuarve, meqë nga viti 1986 e deri në vitin 2023, në Kosovë janë raportuar 177 raste të HIV dhe AIDS. Sidoqoftë, një nga lajmet më të mira të vitit 2024 është se Kosova ka nisur ta japë terapinë PrEP, që parandalon mundësinë e infektimit me HIV/AIDS. 

Derisa reparti që e udhëheq Murati që nga qershori i sivjetëm e realizon trajtimin PrEP, ai thotë se kërkesa nuk ka pasur shumë.

“Tash për tash, numri i personave që janë duke përdorur PrEP sillet rreth 20,” thotë Mehmeti, duke theksuar që është numër mjaft i vogël në krahasim me rastet në rritje. PrEP konsiderohet një nga terapitë që e ka ndryshuar kahjen e virusit për të mirën e njerëzimit.

Ngjashëm me Mehmetin, Edona Dobroshi-Deva, menaxhere e programit për HIV në CDF (Fondi për Zhvillim të Komunitetit), thotë se numri i personave që e kanë marrë terapinë PrEP mbetet mjaft i ulët, derisa cek faktin se trajtimi është mbi 98% efektiv në parandalimin e HIV-it dhe ofrohet pa pagesë.

Doktorja Dobroshi-Deva thotë se “të dhënat e situatës epidemiologjike për HIV dhe AIDS në Kosovë historikisht tregojnë shkallë të ulët të sëmundshmërisë apo prevalencë [përhapje] të ulët të sëmundjes, si në popullatë të përgjithshme ashtu edhe në grupet më të afektuara”.

Rritja e numrit të rasteve pasqyron, sipas Dobroshi-Devës, perceptimin e ulët të rrezikut si pasojë e mosinformimit të publikut të gjerë dhe njëherësh edhe perceptimin që terapia është e qasshme dhe efikase në trajtim për ata njerëz që janë të informuar se trajtimi me PrEP ekziston. Po ashtu sipas saj, mund të ketë ndikuar edhe rritja e vetëdijesimit te grupet më të rrezikuara.

“Mendoj se është bërë një punë e madhe në despistimin [zbulim] e hershëm, në destigmatizimin e testimit për HIV dhe në krijimin e mirëbesimit te popullatat kyçe vulnerabile [të cenueshme], që janë më të afektuara për HIV,” thotë Dobroshi-Deva.

Si në Kosovë, ashtu edhe në botë, raportet, përfshirë edhe ato të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), tregojnë që heteroseksualët janë persona më të prekur me HIV. Globalisht grupi më i prekur me HIV janë gratë heteroseksuale.

Megjithatë, siç tregon Dobroshi-Deva, dylberat llogariten vazhdimisht si popullatë e rrezikuar në studimet për HIV.

“Në raportin e 2023 UNAIDS (Programi i OKB-së për HIV/AIDS) vlerëson se te personat transgjinorë prevalenca [shpeshtësia e përhapjes] për HIV është 14 herë më e lartë, te meshkujt gej dhe meshkujt që bëjnë seks me meshkuj 11 herë, te përdoruesit e drogave me injektim shtatë herë dhe te punëtorët e seksit katër herë më e lartë se te popullata e përgjithshme. Këto popullata në fjalorin e HIV-it quhen popullata kyçe,” tregon ajo.

Organizata joqeveritare CSGD (Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore) vazhdon të jetë adresa e të gjithëve pa dallim në Kosovë për testim dhe këshillim lidhur me sëmundjet seksualisht të transmetueshme, siç është HIV/AIDS.

Këtë vit në këtë organizatë janë testuar mbi 1600 persona. Arbër Nuhiu, drejtor i CSGD-së, tregon se personat e testuar në bazë të vetëdeklarimit janë “rreth 85% persona gej, diku rreth 14% trans gra dhe 1% të tjerë që përfshijnë gra dhe personat jo-binar,” ndërsa pjesa tjetër e mbetur janë vetëdeklaruar heteroseksualë.

Në storien që e ka ndarë në Dylberizm njëri nga lexuesit tanë që është diagnostifikuar me HIV ia ka rekomanduar të gjithëve testimin që ta bëjmë në CSGD (Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore), që ofron testim falas, duke i shmangur mjekët e përgjithshëm. Ai e ka përshkruar përjetimin e tij për diagnostifikimin me HIV si një prej sfidave më të mëdha në jetën e tij.

Për turpin rreth HIV-it tregon edhe Nuhiu, i cili e përshkruan personat e infektuar me HIV-AIDS si shumë të stigmatizuar në shoqërinë kosovare.

“Fatkeqësisht HIV si infeksion është shumë i stigmatizuar, por fatmirësisht, sot HIV-i është infeksion me të cilin mundeni me jetu shëndetshëm,” tregon ai.

Edhe pse përparimet mjekësore tash ua kanë mundësuar personave që jetojnë me HIV për ta jetuar një jetë të shëndetshme dhe më të gjatë, stigma sociale që lidhet me virusin vazhdon të jetë një prej barrierave më të mëdha për parandalimin, kujdesin dhe trajtimin efektiv.

Globalisht, kjo stigmë është më e theksuar te komunitetet më të margjinalizuara, duke përfshirë burrat që bëjnë seks me burrat, gratë trans dhe punonjëset e seksit. Pavarësisht progresit global kundër luftës ndaj HIV dhe AIDS, epidemia vazhdon të stagnojë edhe për shkak të diskriminimit të personave të infektuar dhe dylberave.

Siç tregon Dobroshi-Deva, mjekësia dhe teknologjia kanë arritur te PrEP-i, që konsiderohet si vaksinë kundër HIV-it, por beteja kundër epidemisë së HIV-it është edhe betejë e vetëdijesimit se HIV-i nuk është marre. E mbi të gjitha, siç tregon ajo, është përpjekje për barazi shoqërore dhe të drejta të njeriut.

“Pa një gjithëpërfshirje dhe ndjeshmëri ato [mjekësia dhe teknologjia] nuk janë efikase dhe HIV/AIDS do të vazhdojë të jetë kërcënim i shëndetit publik. Demonizimi, stigma, diskriminimi, dhuna dhe frikësimi i shoqërisë nga personat me HIV apo personat më në rrezik për HIV, vetëm mund ta nxisin përhapjen. Ndërhyrjet bio-mjekësore dhe komunikimi për ndryshimet në sjellje mund të arrijnë ndikimin e tyre të dëshiruar vetëm nëse komunitetet më të prekura nga HIV kanë mundësi strukturore për të siguruar qasje dhe për t’i shfrytëzuar mjetet e nevojshme parandaluese dhe terapeutike, pa frikë nga stigma, diskriminimi dhe dhuna”, thotë Dobroshi-Deva.

Siç tregon ajo, sot është e gabuar të thuhet se HIV është sëmundje vdekjeprurëse, pasi që shkenca, mjekësia dhe teknologjia në këto 40 vjet që nga fillimi i pandemisë së AIDS kanë avancuar. Infeksionet në nivel global kanë rënë për 40% kurse numri i të vdekurve nga AIDS ka rënë për 50%. Dhe, më e rëndësishmja, deri sot shtatë persona në botë janë shëruar plotësisht nga HIV.

Rreth 39.9 milionë njerëz janë infektuar me HIV globalisht sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë prej identifikimit të rastit të parë e deri në fundin e vitit 2023 – rreth 1.3 milionë gjatë 2023-tës. E sot, në Ditën Botërore të AIDS, është mirë që ta kujtojmë vetes se ashtu si shkojmë te mjeku për sëmundje të tjera, ftohje ose infeksione, duhet të testohemi për HIV sepse nuk duhet ta trajtojmë si diçka më ndryshe. Para së gjithash, kujdesi për trupin edhe shëndetin është domosdoshmëri për jetë të mirë. Nuk është marre të testohesh e as të trajtohesh nëse je infektuar. Testohuni për vete, inkurajoni të tjerët të testohen dhe kujdesuni për njëri-tjetrin!

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top