Gruaja trans në Indi fiton të drejtën për të marrë pasaportë për djalin e saj
Akkai Padmashali, grua transgjinore nga India, ka fituar të drejtën për të marrë pasaportë për djalin e saj pesë vjeçar pa e përfshirë emrin e babait të fëmijës. Pasaporta e re e fëmijës së saj, e njeh edhe Padmashalin si nënë të djalit të saj që e adoptoi para disa vitesh. Kjo është fitore, si për gratë transgjinore ashtu edhe për nënat beqare në shtetin aziatik.
Në vitin 2018, Padmashali u bë gruaja e parë trans në shtetin Karnataka që zyrtarizoi martesën e një vit më vonë ajo adoptoi djalin e saj, Avin. Më vonë ajo u divorcua nga burri i saj. Akkai Padmashali tha se ishte e vështirë të merrte një pasaportë për djalin e saj pa emrin e ish-burrit.
“Marrja e pasaportës për djalin ishte një luftë e madhe”, tha ajo për Times of India. Zyrtarët e gjendjes civile në shtetin e saj i krijuan pengesa me pretekste administrative, por ajo nuk e ndali përpjekjen e saj.
“Një grua transfobe vazhdimisht kërkonte detaje të babait të Avinit, pavarësisht se unë i tregoja dokumentet e divorcit dhe dokumentet e birësimit. Më thoshte: ‘Do të ta vendos emrin e babait birësues, përndryshe nuk do të lëshoj pasaportën’. Por, e vura në mëdyshje logjikën e saj dhe i përfshiva edhe ata që mbajnë pozita më të larta. Dhe në fund, Avin mori pasaportën e tij, vetëm me emrin tim në të”, tregon Padmashali.
“Transfobia është problemi i madh,” shtoi ajo. “Përndryshe, nuk do të isha në gjendje të tillë. Mund të mos dukem si grua cis e heteroseksuale, por identifikohem si grua dhe kjo duhet të jetë e mjaftueshme”, thotë ajo. Padmashali bëri bujë në vitin 2019 kur ajo adoptoi fëmijën e saj.
Artikulli u publikua në LGBT Nation dhe u përkthye nga Dylberizm.