As për 2025-tën nuk ndahet buxhet për ndërtimin e strehimores së dylberave
ANALIZË
Buxheti i vitit 2025, ashtu si ai i viteve 2024 e 2023, nuk e parasheh ndërtimin e strehimores për personat LGBTIQ+
Ligji mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2025, që u miratua këtë të enjte në Kuvendin e Kosovës, i ka rikthyer disa projekte për ndërtimin e strehimoreve për qentë endacakë. Sidoqoftë, ligjet për buxhet prej 2023 e deri te viti 2025 nuk e parashohin fare të ndërtohet strehimorja për dylberat.
Të paktën që nga viti 2021 e deri në vitin 2025, ndërtimi i këtyre strehimoreve për qentë është i paraparë në ligje për ndarje buxhetore. Në buxhetin e vitit të ardhshëm, parashihen të ndërtohen strehimoret e këtilla në fshatrat Slivovë dhe Muhoc. Këto dy strehmore nuk janë ndërtuar, andaj paratë e buxhetit për to janë bartur nga viti në vit.
Por, një pamje krejt ndryshe është te strehimorja për dylberat. Te ligji për buxhet për vitin 2021 parashihej për herë të parë “Ndërtimi i Strehimores për personat LGBTI”. U ndanë 300.000 euro për ndërtimin e strehimores. 300.000 euro ishte vlera e parashikuar për t’u shpenzuar edhe më 2022-tën dhe 450.000 për 2023-tën. Thënë ndryshe, me fillim, shuma e parashikuar ishte mbi 1 milionë euro për ndërtimin e strehimores së dylberave.
Kuvendi i Kosovës projektoi një shumë më të ulët (900.000 euro) në buxhetin e 2022-tës. Në bazë të këtij ligji, u ndanë përsëri 300.000 euro për vitin 2022 dhe u projektuan nga 300.000 edhe për vitin 2023 e 2024. Si datë e fillimit të punimeve për ta ndërtuar objektin, në ligjin e 2022-tës, paraqitej janari i 2021-tës dhe si datë e përfundimit parashihej dhjetori i 2024-tës. Në të vërtetë, tash në nëntor të 2024-tës nuk janë vendosur as themelet për strehimoren për personat LGBTIQ+.
Këto para u ndanë te kategoria “Financimi i Investimeve Kapitale Komunale”. Kërkesa e dylberave është që strehimorja të bëhet në kryeqytet. Organizatat joqeveritare kanë folur gjerë e gjatë me Komunën e Prishtinës për ndërtimin e objektit të strehimores së dylberave në kryeqytet, por komuna nuk krijoi zgjidhje.
Strehimorja për dylberat është esenciale pasi është hallkë e domosdoshme për mbrojtjen e tyre prej dhunës në familje. Ndërkaq, strehimoret për qentë endacakë i shërbejnë rritjes së sigurisë së qytetarëve nga kafshimet e qenve endacakë. Megjithatë, ajo që vërehet prej buxheteve që prej 2021 e tutje është se strehimorja e dylberave është paraparë vetëm në ligjet për ndarjet buxhetore për vitin 2021 dhe 2022, ndërsa strehimoret për qentë endacakë janë vazhdimisht pjesë e buxhetit.
Megjithëse ligjet për ndarje buxhetore ndryshohen zakonisht edhe një herë në vit në Kuvend, ndarja e parave, shpenzimi i tyre dhe parashikimi se ku do të shkojnë ato para në të ardhmen reflektojnë deponimin politik të Komunës së Prishtinës, Qeverisë dhe deputetëve të Kuvendit për t’i respektuar të drejtat e dylberave.
Të gjitha llojet e strehimoreve pa përjashtim kanë të bëjnë me të drejtën themelore të të gjithëve për të jetuar në mënyrë të sigurt në shtetin e tyre. E siguria e qytetarëve e mos-diskriminimi janë obligime bazike të shtetit. Strehimorja është hapi i parë për t’i shpëtuar personat LGBTIQ+ prej ciklit të dhunës në familje dhe është e domosdoshme për ta bërë të mundshëm raportimin e asaj dhune te institucionet.
Mungesa e strehimores për dylberat paraqet privim nga të drejtat themelore për jetë të sigurt dhe për të lirë nga dhuna. Rikujtojmë se shkalla e homofobisë, bifobisë, transfobisë në Kosovë është shumë e lartë, gjë që i ekspozon dylberat jashtëzakonisht shumë në dhunë.